Ballina Aktualitet Bizneset: Na mbytën në gjoba! Basha: Në qeverisjen e PD do keni...

Bizneset: Na mbytën në gjoba! Basha: Në qeverisjen e PD do keni një pullë në derë dhe asnjë inspektor nuk do të hyjë brenda!

Kryetari i PD, Lulzim Basha zhvilloi një takim me qytetarë e biznese në Njësinë Administrative nr.4 në Tiranë. Gjatë bisedave me qytetarët e kësaj njësie, Basha iu tregoi bizneseve dhe qytetarëve planin e tij qeverisës pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Bizneset dhe qytetarët i thanë kryetarit të PD se, situata ekonomike është shumë e vështirë dhe se biznesi po kalon ditë shumë të rënda.

Qytetarja: Me një pension vetëm në këtë periudhë është e tmerrshme. Unë kalova dhe COVIDIN, e kalova shumë rëndë. Nuk pranova të shkoj në spital, se thash më mirë po vdes në shtëpi.

Lulzim Basha: Sa të shkoi fatura në shtëpi?

Qytetarja: Po më shkoi 1.800.000 mijë lekë, po.

Lulzim Basha: 1.800,000?!

Qytetarja: Dhe ku i kam marrë, si i kam marrë. Mirë që e kalova, faleminderit Zotit, por tani nuk më zë gjumi natën se ku do t’i marrë që t’i laj.

Lulzim Basha: Borxhin?

Qytetarja: Borxhin që kam marrë. Kjo është.

Lulzim Basha: Është një situatë shumë e rëndë, dyfish e rëndë. Pandemia ka dal jashtë kontrollit komplet, se nuk u mor asnjë masë. As testime, as gjurmim, as izolim.

Bizeset i thanë kreut të opozitës se njerëzit nuk kanë mundësi më të blejnë dhe për pasojë ka rënë xhiroja në maksimum. Madje ata thanë se edhe me lista nuk po japin dot më se nuk kanë mundësi pasi qytetarët nuk i shlyejnë dot detyrimet.

Lulzim Basha: I vetëpunësuar je?

Qytetari: Po i vetëpunësuar.

Lulzim Basha: Biznes yt?

Qytetari: Po!

Lulzim Basha: Sa kohë ke?

Qytetari: Po ne kemi shumë vite këtu. Shumë vite. Vështirësi nga më të ndryshmet. Kjo zonë ka qenë, investimi i vetëm ka qenë kjo rruga që është bërë në mandatin tuaj të fundit.

Lulzim Basha: Po, projekti i rehabilitimit në të gjithë zonën.

Qytetari: Ka që 20 vite me një fjalë që nuk ishte prekur fare. Kjo sikur i dha një çik kështu…

Lulzim Basha: Gjendja ekonomike copë-copë? Me lista je besoj, apo jo?

Qytetari: Me lista pak se edhe ne s’kemi mundësi të japim më, se…

Lulzim Basha: S’ke mundësi më?!

Qytetari: S’kemi mundësi. Edhe tjerët për shembull kur marrin çdo gjë duhet me lekë në dorë. Dhe çdo gjë vjen duke u shtrënguar.

Exit mobile version