Deklarata e fortë: Veliaj është përpjekur të më joshë përmes miqve të mi, më pas nisi mesazhet me kërcënime

Koordinatori politik i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Vorë, Vojo Bregu ka deklaruar publikisht se kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj është përpjekur ta joshë atë me mesazhe që i ka dërguar përmes miqve të tij.

I ftuar në studion e lajmeve në “ABCNews”, Bregu tha se Veliaj fillimisht është përpjekur ta joshë, e më pas, kur nuk e ka arritur këtë gjë, ka nisur intimidimet dhe kërcënimet. Bregu shtoi më tej se tashmë Veliajn e pret hetimi nga SPAK teksa lajmëroi publikimin e denoncimeve të forta. Kjo deklaratë vjen një ditë pasi kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi të njëjtën gjë.

“Nuk isha i surprizuar, e prisja në fakt. Mesazhet që më kanë ardhur nga Veliaj kanë qenë mesazhe joshëse. Më kanë ardhur mesazhe për të më joshur mua fillimisht dhe më pas miqtë e mi. me anë të miqve që nuk dua t’i përmend. Për tu bashkuar me Partinë Socialiste. Nga joshja kemi vijuar me intimidime dhe kërcënime. Besoj se janë paralajmërime por nuk e përjashtij të ketë edhe veprime konkrete.

E ka përmendur shpesh herë edhe SPAK, por unë jam i hapur. E tha edhe që ata ‘të njësisë 9 do të shkojnë në SPAK’, por dua t’i them që SPAK nuk të ndjek sipas vendndodhjes. Në ditët në vijim do të denoncojmë raste konkrete përsa i përket rastit të kryebashkiakut Veliaj, për ato që tha zonja Monika Kryemadhi dhe të tjera. Që kur kemi filluar një luftë frontale, na janë afruar shumë njerëz. Militante të Partisë Socialiste na informojnë çdo ditë, informohemi”, tha Bregu.