Historia e Pleshtit

Nga Erl KODRA

Gjatë sezonit të provimeve, studentët e një kursi veterinarie kishin mësuar vetëm kapitullin e Pleshtit. Ata dinin gjithçka për atë krijesë magjike, rreth ciklit të jetës dhe veprës madhështore si instekt që ushqehet vetëm me gjak. Të gjithë ishin magjepsur nga hijeshia dhe zgjuarsia e tij, nga guximi dhe aftësia për të kërcyer, ata e dinin mënyrën se si Pleshti shpërndante vezët, se si pickonte, si pinte gjak, si mbrohej. Jeta legjendare e Pleshtit ishte bërë frymëzim për atë brez veterinerësh, aq sa ata kishin filluar të urrenin të gjitha kafshët e tjera. Sezoni i provimeve erdhi. Së pari, ata do të përgjigjeshin me gojë para trupës akademike. Para auditorit u ftua të referonte vet Analisti i Pleshtit, një djalë i vjetër me syze dhe mjekër, më i flakti ndër adhuruesit e Pleshtit.

– I nderuar Analist, ju lutem na fol për Delet.

– Delet janë kafshë me lesh, një mjedis ideal për të jetuar Pleshti. Ai është i zgjuar, energjik, elegant dhe elokuent, me aftësi të rralla për të kërcyer nëpër lesh. Ai di të shijojë jetën, sepse pi gjak të freskët nga Delet idiote.

– I nderuar Analist, ne të pyetëm për Delet, jo për Pleshtin. Megjithatë, ju lutem na folni për Dhitë.

– Dhitë janë kafshë me lesh, edhe ky një mjedis ideal për të jetuar Pleshti. Madje, Dhia e Zgjebosur e tërheq më shumë Pleshtin, sepse ai e pëlqen erën përrç të Dhisë dhe Cjapit. Pleshti ka luspa të shkëlqyera, ai vishet bukur me Yamamoto, kërcen sa tek bishti i zgjebosur, sa tek sisët e Dhisë. Pastaj i futë një të pickuar në kurriz, diku mes shpatullave, në një pikë ku Dhia e shkretë nuk ka çfarë t’i bëjë Pleshtit…

– Zoti Analist, ne të thamë të flasësh për Dhitë, jo për Pleshtin. Megjithatë, na fol për Peshqit.

– Ah, Peshqit. Për fat të keq Peshqit nuk kanë lesh, prandaj nuk është vend i përshtatshëm për të jetuar Pleshti. Por, sigurisht, në të ardhmen Pleshti do të evolojë dhe do të përshtatet edhe për jetën në ujë të kripur. Deri tani Pleshti mund të notojë, sigurisht në kurriz të Fokave, Balenave, ose Arnjëve, por jo në kurriz të peshqëve. Prandaj Pleshti po bën stërvitje dhe po përgatitet të pushtojë edhe atë mjedis. Madje, Pleshti mund të mposhtë edhe zvarranikët, si përshembull Breshkën me Zhguall, Hardhucën me katër këmbë, dhe Gjarprin me Zile. E besoni apo jo, por Pleshti ka mposhtur edhe Akrepin. Pleshti është Gjeni.

Kjo është historia e Pleshtit dhe e Analistit të Pleshtit, një djalë i vjetër me syze dhe mjekër. Aq shumë e adhuron zotin Plesht djali i vjetër me syze dhe mjekër, sa ai thotë se Pleshti shpesh herë ia ngulë thumbin në mjekrën e leshtë, plotë dashuri.

Çdo përngjasim me Analistin e Pleshtit është krejt rastësi e qëllimshme. Prandaj mos më mërzisni me mesazhe ne privat!