Ballina Aktualitet Kurimi i Covid në shtëpi shkon mbi 800 mijë lekë, Rama rimbursim...

Kurimi i Covid në shtëpi shkon mbi 800 mijë lekë, Rama rimbursim qesharak!

Një studim i fundit mbi intervistat e dhjetëra familjeve shqiptare të të infektuarëve nga COVID-19 tregoi se kostot e mëdha të lidhura me kurimin po rëndojnë buxhetet e një pjese të madhe të familjeve. Sipas raportit të shoqatës “Together for Life”, kostoja më e lartë për familjet ka të bëjë me analizat e shumta që kërkon sëmundja, të cilat kryhen në laboratorë privatë.

“Trajtimi në shtëpi, duke blerë barnat dhe çdo nevojë tjetër si puls-oksimetër, oksigjeno-terapi, e të tjera, po u kushton pacientëve dhe familjeve shqiptare pothuajse të ardhurat mujore vetëm të një jave për një pacient, duke i vënë seriozisht në vështirësi financiare”, thuhet ndër të tjera në raport.

E ftuar në “Wake Up”, përfaqësuesja e “Together for Life”, Arlinda Shehu tregoi edhe sa kushton trajtimi i Covid në shtëpi. “Mungesa e besimit në sistem është shumë e madhe. Po deklarohet përditë që spitalet nuk kanë hapësirë për të mbajtur njerëzit. Javën e kaluar para infektivit ishin 10 ambulanca që prisnin në radhë dhe njerëzit ishin duke u trajtuar. Njerëzit kanë frikë të shkojnë atje, Të gjithë po marrin bombola oksigjeni në shtëpi, infermierë, mjekë. Në këtë lloj forme, kostot e mjekimit shkojnë 40 mijë lekë, kostot e ekzaminimeve te 40 mijë lekë të tjera. Minimumi një 80 mijë lekësh për t’u trajtuar”, tha ajo.

Shehu tha se “edhe privati e ofron trajtimin e Covid, por e ofron me kosto që fillojnë nga 1 mijë euro e lart nata. Me këto kosto që janë, s’e dimë si mund ta përballojmë. Gjithë bota do ta ndjejë këtë krizë”, theksoi ajo.

Ndërkohë që kujtojmë se rimbursimi i qeverisë Rama, për qytetarët, vetëm pasi të jenë konfirmuar pozitiv me Covid është 16 mijë lekë të vjetra, të cilat duket të tingëllojnë më shumë se qesharake, kur sheh se shpenzimet Covid kapin vlerën e disa mijërave euro.

Exit mobile version