Ballina Aktualitet Zhvatja e pacientëve në spitalet Covid, lirohen nga burgu dy shoqet e...

Zhvatja e pacientëve në spitalet Covid, lirohen nga burgu dy shoqet e Tires

Një infermiere dhe një sanitare e spitalit Covid 2, të arrestuar për korrupsion, të cilat u akuzuan si bashkëpunëtore të Tire Alldervishit janë liruar nga burgu. Gjykata e Apelit ka dhënë masën e sigurisë me detyrim paraqitjeje për Rukije Hoxhën dhe Sidorela Çelën, ndërsa e ka gjetur të paligjshëm arrestimin e tyre.

Ndërkohë që për dy të pandehurat e tjera Mira Buri dhe Sheqerije Koçi, Gjykata nuk e ka pranuar kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, me pretendimin se nuk kanë pasur dokumentacion të plotë.

Ato pritet që ta apelojnë vendimin në ditët në vijim. Në gjykatën e Tiranës ndaj tyre ishte dhënë masa e sigurisë e arrestit me burg për një afat 45 ditor, ndërsa prokuroria ishte ngarkuar me detyrën për të mbledhur prova të reja.

Avokatja e Sidorela Çelës tha për mediat se Gjykata kishte vlerësuar të paligjshëm ndalimin e tyre, dhe sipas saj e gjente të drejtë lirimin e tyre nga ambientet e qelisë.

“Gjykata tha se prokuroria duhet të kishte konstatuar veprimet e paligjshme, dhe se në përgjime nuk kishte prova të mjaftueshme për të evidentuar bashkëpunimin mes personave”, u shpreh Sevdari.

Tashmë për aktin e korrupsioni që u zbulua te Shefqet Ndroqi, drejtësia duket se do të ndëshkojë vetëm Tiren, e cila i merrte sasi të mëdha parash familjarëve të personave me Covid, kundrejt shërbimit të tyre.

Exit mobile version