Shehaj: Në Shqipëri, suksesi i biznesit varet vetëm nga lidhjet me qeverinë, ministrat dhe oligarkët. Ne kami një plan konkret

PREZANTIMI I PROGRAMIT PËR BIZNESIN DHE ANTI-KORRUPSIONIN , AGRON SHEHAJ

Pak kohë më parë, një miku im, sipërmarrës i rëndësishëm italian, po shikonte mundësinë për të transferuar prodhimin jashtë Italisë.

E nxita të vinte në Shqipëri, dhe e ndihmova të vizitonte Shqipërinë.

Erdhi ne Shqipëri, takoi ministra, takoi investitorë te tjerë te huaj dhe kur u kthye me tha: në Shqipëri ka shume korrupsion dhe nuk konkurron dot ne mënyrë te ndershme.

Miku im vendosi të investonte në Kroaci, pavarësisht se aty ka kosto më të lartë të punës, por në fund i del më lirë dhe më lehtë se në Shqipëri.

Në Shqipëri, suksesi i biznesit varet vetëm nga lidhjet me qeverinë, ministrat dhe oligarkët.

Fatkeqësisht këtu nuk ka rëndësi sa shumë punon, nuk ka rëndësi sa talent ke, nuk ka rëndësi as sa kapital investon. Rëndësi ka sa paguan ministrin, tatimorin apo burokratin. Dhe ata që paguajnë janë klientët e zakonshëm, oligarkët të cilët sot kontrollojnë ekonominë dhe nuk lënë asnjë hapësirë për të tjerët.

Mungesa e mundësive ekonomike është shkaku kryesor i eksodit të shqiptarëve drejt Perëndimit. Emigrimi ka ulur edhe më shumë potencialin tonë për zhvillim ekonomik dhe shoqëror.

Kjo gjendje duhet të ndryshoje urgjentisht dhe Partia Demokratike dhe Lulëzim Basha do ta ndryshojnë.

Ne do ta bëjmë Shqipërinë një vend ku prosperon sipërmarrja e lirë dhe investimet e huaja.

Ne do të luftojmë korrupsionin, do të rrisim lirinë e tregut dhe do të heqim pengesat e të bërit biznes.

Qëllimi ynë është që Shqipëria të jetë mes 30 vendeve të para në botë për lehtësinë e të bërit biznes.

Ne kemi një plan konkret për këtë qëllim.

— Ne do të vendosim taksen e sheshte 9% që do të stimulojë investimet e brendshme dhe te huaja.

— Ne do të transformojmë administratën tatimore për të garantuar trajtim te drejtë dhe të barabarte të bizneseve.

— Ne do të zbatojmë me rreptësi rimbursimin automatik të TVSH-së, duke ju dhënë fund pengesave dh favorizimeve.

— Ne do të ulim numrin e lejeve, licencave dhe autorizimeve, duke lehtësuar biznesin dhe duke luftuar korrupsionin.

— Ne do të digjitalizojmë qeverisjen dhe do t’i kalojmë online të gjithë procedurat e biznesit.

Dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen ekipit që ka punuar mbi këtë program si dhe Lulëzim Bashës për vizionin dhe mbështetjen që ka dhënë në hartimin e planit.

Së bashku, me programin ekonomik dhe programin kundër korrupsionit, ky plan do të sigurojë transformimin total të ekonomisë dhe futjen e saj në rrugën e zhvillimit të shpejtë.

Në Shqipëri ka mundësi të mëdha për biznes, jo vetëm për shkak të burimeve të jashtëzakonshëm natyrore dhe të popullsisë të etur për punë, por edhe për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare.

Kriza e COVID-it po detyron shumë kompani të mëdha perëndimore që të rivendosin prodhimin dhe bizneset e tyre nga Azia në Europë. Kjo është një mundësi për Shqipërinë, për t’u rifutur në hartën e vendeve ku kompanitë e mëdha ndërkombëtare investojnë.

Më 25 prill shqiptarët do të votojnë për ata që krijojnë me shume mundësi biznesi për sipërmarrjen e lirë dhe për me shume punësim.

Me 25 prill Shqipëria do te fitojë biznesin.

Me 25 prill do te fitoj Shqipëria.