Biden: Të mbrojmë demokracinë, ka vende autokratike në Europë

Presidenti i SHBA-së Joe Biden theksoi në fjalimin e tij në takimin virtual të Konferencës së Sigurisë në Mynih, se demokracia „nuk krijohet rastësisht”. „Ne duhet ta mbrojmë, ta forcojmë, ta përtërimë atë. Ne duhet të dëshmojmë, që modeli ynë nuk është një relikë e historisë”. Demokracia është „rruga më e mirë, premtimi për të realizuar të ardhmen tonë”. “Nëse ne bashkëpunojmë me partnerët tanë demokratë, me forcën dhe besimin, atëherë e di, që ne mund të përballojmë çdo sfidë dhe të tejkalojmë çdo sfidues”, theksoi Biden, i cili iu drejtua një publiku europian për herë të parë qëkurse është në post.

Biden shprehu shqetësimin për kërcënimin mbarëbotëror të demokracisë nga përpjekjet autokratike. “Në shumë vende, ndër to edhe në Europë e në SHBA, procesi demokratik përballet me sulme. (…) Historianët do ta analizojnë këtë moement dhe do të shkruajnë për të. Eshtë një pikëkthese. Ai tha, se „beson fort, që demokracia duhet të triumfojë”.

Joe Biden në fjalimin online nga Shtëpia e Bardhë u shpreh qartazi për NATO-n. Ai e quajti partneritetin e SHBA-së me Europën si „shtyllën kryesore” të politikës së jashtme amerikane. “Amerika është kthyer”, tha Biden, “aleanca transatlantike është kthyer.” SHBA dhe Europa do të bashkëpunojnë ngushtë, për të përballuar së bashku sfidat globale. “Unë e di, që vitet e kaluara marrëdhëniet tona transatlantike u rënduan duke u vënë para një sprove. Por SHBA-ja është e vendosur të bashkëpunojë sërish me Europën.”

Një Europë e lirë, në mirëqenie e paqësore vazhdon të jetë interesi thelbësor i SHBA-së. Biden gjithashtu u shpreh qartazi për NATO-n. „SHBA-ja është plotësisht dhe tërësisht në alencën e NATO-s”, tha presidenti. Ai tha, që SHBA do t’u përgjigjet detyrimeve për mbështetje ushtarake.

Mollë sherri mbetet gazsjellësi Nord Stream 2

Joe Biden e di mirë, se çfarë pret Europa prej tij. Çështje mosmarrëveshjeje ka mjaft, sikurse është edhe tema e Nord Stream 2, por me këto presidenti i ri i SHBA-së nuk po merret tani për tani. Ai e ka të qartë, që Europa katër vjet me radhë ka pasur dyshime ndaj demokracisë së madhe amerikane. E ka të qartë që në raportet transatlantike duhet një ton më i përshtatshëm komunikimi. Biden i quan tani kancelaren gjermane dhe presidentin francez „miqtë e mi” dhe u drejtohet atyre me emër. Apeli i tij për rigjallërimin e demokracisë duket i sinqertë. Më shumë nuk mund të pritet pas fare pak javësh të Bidenit në post. Problemet trajtohen më vonë.

Në periudhën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë përkrah presidentit Barack Obama, në vitet 2008 deri më 2016, Joe Biden si nënpresident ka qenë tri herë në Mynih. Edhe më 2019, gjatë kohës së vështirë nën Donald Trumpin. Atëherë Biden iu drejtua europianëve: „Ne do të kthehemi, së shpejti.” Tani ai ia doli kësaj, edhe pse në mënyrë virtuale.

Deutschland Berlin | Münchner Sicherheitskonferenz | Angela Merkel
Angela Merkel me një qendrim serioz, si gjithmonë pa emocione dhe e kthjellët, tërhoqi vëmendjen për çështjet e hapura, që duhet të zgjidhin së bashku SHBA-ja dhe Europa. U bë e qartë, se sa shumë probleme as që janë trajtuar në katër vitet me Donald Trump : Afganistani, Siria, Libia, Ukraina, e në radhë të parë grindja me Iranin: “Unë shpresoj, ne do t’i japim edhe një shans marrëveshjes atomike”, tha Merkel. E mbi të gjitha temat qendron pandemia.