Një institucion ndërkombëtar do të hetojë të gjitha koncesionet, Kontrata-Basha kundër korrupsionit

Basha prezanton programin e biznesit dhe anti-korrupsionit: Objektivi ynë është ta fusim Shqipërinë mes 30 vendeve më të mira për të bërë biznes.

Ne do të vendosim një moratorium 1 vjeçar, gjatë të cilit do të ndalohen gjobat nga organet lokale apo qendrore për bizneset dhe do të reformohet tërësisht sistemi i inspektimit.

Ne do ta ulim dhe do ta kufizojmë me ligj edhe numrin e inspektimeve dhe kontrolleve ndaj bizneseve. Gjatë një viti nuk do të bëhen më shumë se 10% inspektime apo kontrolle te bizneseve.

Ne do të ulim në mënyrë drastike numrin aktual të gjithë licencave dhe lejeve që jepen sot nga shteti. Do të përgjysmojmë afatet ligjore për çdo leje që kërkon vendimmarrje shtetërore, nga 60 ditë për lejet mjedisore të tipit A në vetëm 30 ditë.

Do të luftojmë për një ekonomi tregu ku nuk sundon monopoli apo oligopoli. Ne do të fokusohemi jo vetëm në biznesin e madh por edhe tek biznesi i vogël dhe i mesëm që është motori i ekonomisë shqiptare.

Ne besojmë tek shtresa e mesme dhe jemi të bindur që ajo është shtylla e zhvillimit ekonomik por edhe e stabilitetit demokratik. Qeverisja e vogël dhe efektive do të jetë në qendër të vëmendjes sonë.

Një Shqipëri që Fiton është ajo ku të gjithë qytetarët janë të barabartë përpara Ligjit njësoj siç janë përpara Zotit. Çdo vendim i qeverisë do të jetë transparent. Unë do të publikoj në 100 ditët e para të punës normën e taksave për 4 vite, duke ofruar parashikueshmërinë fiskale.

Do të eliminojmë çdo interpretim ligjesh nga zyrtarët e ministrat duke mbledhur legjislacionin fiskal në një Kod Tatimor të vetëm. Do të eliminoj çdo përjashtim nga ligjet, që sot janë bërë rregull.

Unë angazhohem të ngre Bordin e Transparencës Fiskale, i pavarur nga qeveria, me emërim nga Parlamenti, që do të monitorojë zbatimin e të gjitha politikave fiskale.

Angazhohem të krijoj mjedisin më favorizues për mbështetjen e biznesin duke eleminuar koston e korrupsionit dhe duke krijuar një sistem të thjeshtë taksash me një nivel, ku në qendër është individi dhe familja dhe shteti ka një rol dytësor.

Asnjë kontroll tatimor për biznesin e vogël që demonstron pullën fiskale dhe asnjë zyrtar shteti ne dyer te bizneseve. Nuk do të lejoj asnjë operator off-shore në tendera, gara dhe koncesione.

Me një institucion të besueshëm ndërkombëtar do të kalohet në lupë çdo koncesion dhe PPP i dhënë duke përfshirë në një hetim të imtësishëm çdo kontratë të dhënë këto vite. Nuk do të ketë asnjë gare publike me një operator me qëllim që të rrisim konkurrencën në treg.

Nuk do të ketë asnjë kontratë të re publike për ato kompani që nuk kanë përfunduar 70% të punës në kontratat ekzistuese, me qëllim të zgjerojmë numrin e kompanive dhe të rrisim konkurrencën.

Unë angazhohem në ngritjen e menjëhershme të Agjencisë Kundër Korrupsionit, e cila do të koordinoje përpjekjet tona për të luftuar korrupsionin në çdo qelizë, duke përgatitur dhe dosjet korruptive.

Zbatimi i Ligjit Anti-mafia dhe parimeve të tij edhe për aferat korruptive duke zbatuar të njëjtat parime edhe për asetet që janë vendosur nga praktika korruptive.

Vendosjen e detyrueshme të kontrollit për çdo kontrate publike koncesionare edhe nga Zyra e Auditit të Brendshëm përveç kontrollit që ushtron institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Angazhohem për të ngritur një sistem që vendos ne qendër individin dhe, familjen, qe ngre pagat dhe rrit pensionet, një sistem që motivon të drejtën, një sistem ku unë si kryeministër nuk do të kem pushtet të pakufizuar, por do të ketë institucione dhe mekanizma që kontrollojnë dhe monitorojnë!

Për të gjithë ata që pyesin ku do të gjenden paratë: paratë do të gjenden në buxhetin e shtetit, ku përmes këtyre masave çdo vit shqiptarëve do t’u kursehen kosto të tilla si ajo prej 7,2 miliard euro e korrupsionit në këto 8 vit.

PREZANTIMI I PROGRAMIT PËR BIZNESIN DHE ANTI-KORRUPSIONIN NGA KRYETARI I PD, LULZIM BASHA

Kam kënaqësinë që në këtë prezantim, e hap një nga pedagoget e njohura të Fakultetit të Ekonomisë. Të tillë janë shumica e të pranishmëve në këtë sallë sipas masave anti-COVID dhe qindra të tjerë që na janë bashkëngjitur përmes lidhjes zoom apo aplikacioneve të tjera, ekspert nga më të mirët që ka Shqipëria, disa ekspert të huaj që na kanë ndihmuar po kështu, të cilët dua t’i falënderojë nga zemra për punën e jashtëzakonshme që kanë zhvilluar pothuajse për një vit e gjysmë.

Të dashur qytetarë shqiptarë!
Kemi javë që prezantojmë planet e punës që kemi hartuar pas diskutimesh dhe debatesh, me specialistët, ekspert, grupe të interesit. Janë plane pune, të mirë menduara, të studiuara. Nuk janë premtime boshe.

Janë përgatitur deri në detaje dhe janë gati të zbatohen menjëherë pasi të fitojmë zgjedhjet.

Një kryeministër që nuk i mban angazhimet e tij para qytetarëve nuk ka të drejtën të kërkojë një mandat tjetër.

Ky është angazhimi im ndaj jush.

Në vijim të shpalosjes së programit tonë Shqipëria Fiton, sot kam kënaqësinë t’ju prezantoj disa nga detajet e planeve tona për të nxitur dhe përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri si edhe planin për të luftuar korrupsioni.

Të dyja këto janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Problemi me kryeministrin në ikje dhe qeverinë e tij, është se ata kanë dështuar në çdo fushë për 8 vite me radhë.

Problemi është se kryeministri në ikje dhe qeveria e tij janë të korruptuar, se për 8 vite janë kujdesur vetëm për veten e tyre dhe një grusht miqsh.

Kryeministri në ikje dhe ministrat e tij shumëfishuan pasurinë e tyre në vitet e fundit, ndërkohë që ekonomia jonë është shkatërruar, ndërkohë që qytetarët shqiptarë janë varfëruar.

Prandaj, për ta kthyer Shqipërinë në rrugën e zhvillimit dhe suksesit, për një ekonomi të fortë, për një vend ku ia vlen të bësh biznes, më së pari duhet të luftojmë korrupsionin.

Dhe këto janë hapat kryesore:

– Të largojmë Ramën.

– Të godasim korrupsionin jo me fushata por në mënyrë sistematike.

– Dhe ta kthejmë Shqipërinë në një vend zhvillimi dhe suksesi për të gjithë.

Pas 8 viteve dështimi të Ramës, unë jam i vetëdijshëm se kjo nuk do të jetë e lehtë, por ne do ta bëjmë, së bashku!

Siç u tha dhe pak më parë, Shqipëria renditet e 82-ta në botë mes 190 vendesh, sipas raportit Doing Business 2020. Një vend ky mjaft i ulët krahasuar me 4 vende të rajonit:

ku Maqedonia e Veriut është e 17-a, Serbia e 44-ta, Mali i Zi i 50-i dhe Kosova e 57-a.

Objektivi ynë është ta fusim Shqipërinë mes 30 vendeve më të mira për raportin “Doing Business”.

Ky është objektivi ynë kombëtar.

Dhe për ta përmbushur këtë, ne do të ndërmarrim hapat e mëtejshëm:

Sot biznesi shqiptar humb shumë kohë, energji, nerva me kontrolle dhe inspektime. Për më tepër, kontrollet dhe inspektimet nga organet qendrore dhe lokale, janë ndër faktorët kryesorë që mbajnë gjallë dhe rëndojnë faturën korrupsionin. Sot bizneset shpenzojnë ditë të vlefshme pune për këto kontrolle dhe inspektime.

Ne do ta ndryshojmë këtë!

Ne do të vendosim një moratorium 12 muajsh, pra 1 vit të tërë, gjatë të cilit do të ndalohen gjobat nga organet lokale apo qendrore për bizneset dhe do të reformohet tërësisht sistemi i inspektimit.

Ne do ta ulim dhe do ta kufizojmë me ligj edhe numrin e inspektimeve dhe kontrolleve ndaj bizneseve.

Gjatë një viti nuk do të bëhen më shumë se 10% inspektime apo kontrolle te bizneseve. Kjo sipas shembullit dhe praktikave me më të mira europiane.

Ne do të ulim në mënyrë drastike numrin aktual të gjithë licencave dhe lejeve që jepen sot nga shteti.

Për këtë, ne do të aprovojmë me ligj një listë gjithëpërfshirëse të lejeve dhe licensave me qëllimin që asnjë ministër, asnjë zyrtar tjetër i pushtetit qendror opo lokal të mos mund të kërkojë apo të shtojë kërkesa të reja për biznesin.

Unë angazhohem të përgjysmojmë afatet ligjore për çdo leje që kërkon vendimmarrje shtetërore, nga 60 ditë për lejet mjedisore të tipit A në vetëm 30 ditë e kështu me radhë. Duke rritur transparencën, efiçiensën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve shtetërore ndaj qytetarëve, duke investuar në digjitalizimin e shërbimeve.

Së dyti, do të luftojmë për një ekonomi tregu ku nuk sundon monopoli apo oligopoli. Partia Demokratike beson se ekonomia e tregut është sistemi i vetëm që mundëson zbatimin e të drejtave themelore të njeriut dhe një ekonomi shkalle dhe prosperitet në vend.

Ne do të fokusohemi jo vetëm në biznesin e madh, që është një faktor i rëndësishëm i ekonomisë, por edhe tek biznesi i vogël dhe i mesëm që është motori i ekonomisë shqiptare.

Tek mbi 100 000 familje të vetëpunësuara në këto biznese që sigurojnë të ardhurat për familjet e tyre në këto sipërmarrje.

Ne besojmë tek shtresa e mesme dhe jemi të bindur që ajo është shtylla e zhvillimit ekonomik por edhe e stabilitetit demokratik të një kombi.

Qeverisja e vogël dhe efektive do të jetë në qendër të vëmendjes sonë. Menaxhues të zotë të taksave të çdo shqiptari për t’i rikthyer atë që meritojnë nga kontributi i tyre në buxhetin e shtetit.

Një Shqipëri që Fiton është ajo ku të gjithë qytetarët janë të barabartë përpara Ligjit njësoj siç janë përpara Zotit.

Prandaj do të zbatojmë praktika të mirënjohura ndërkombëtare, gjyqësore, për të luftuar jo vetëm pandëshkueshmërinë si dhe mungesën e përgjegjësive personale në dëmet që i janë bërë pasurisë publike.

Por siç e përmenda më lart, për t’i përmbushur këto objektiva, ne duhet së pari të godasim në mënyrë sistematike dhe të luftojmë me sukses korrupsionin.

Ndaj për këtë qëllim do të ndërmarrim këto hapa thelbësorë:

1.Transparenca dhe Mirëmenaxhimi.

– Çdo vendim i qeverise do jete transparent, dhe çdo databazë shtetërore do te jetë publike. Duke filluar nga garat publike e deri te regjistri i pronës. Transparenca totale dhe digjitalizimi do të bëjë të mundur eleminimin e çdo kontakti të panevojshëm me përfaqësues shtetërorë.

– Unë do të publikoj në 100 ditët e para të punës normën e taksave për 4 vite, për çdo biznes te huaj e vendas duke ofruar parashikueshmërinë fiskale që gjithë këto vite është shkelur me këmbë dhe ka larguar qindra investitorë dhe mijëra vende pune.

– Do të eliminoj çdo diskrecion dhe interpretim ligjesh nga zyrtaret e ministrat duke mbledhur legjislacionin fiskal në një Kod Tatimor të vetëm.

– Do të eliminoj çdo përjashtim nga ligjet, që sot janë bërë rregull dhe e ka çuar korrupsionin në Shqipëri në nivelin e kapjes së shtetit.

– Unë angazhohem të ngre Bordin e Transparencës Fiskale, një institucion i pavarur nga qeveria, me emërim nga Parlamenti, që do të monitorojë zbatimin e të gjitha politikave fiskale dhe kontrollin e shpenzimeve publike që sot kanë dalë jashtë kontrollit.

2.Së dyti, beteja për një treg të lirë.

– Angazhohem të krijoj mjedisin më favorizues për mbështetjen e biznesin duke eleminuar koston e korrupsionit dhe duke krijuar një sistem të thjeshtë taksash me një nivel. Kjo do të jetë baza për një sistem të drejtë, të thjesht ku në qendër është invalidi dhe familja dhe shteti ka një rol dytësor.

– Asnjë kontroll tatimor për biznesin e vogël që demonstron pullën fiskale dhe asnjë zyrtar shteti ne dyer te bizneseve.

– Nuk do te lejoj asnjë operator off-shore në tendera, gara dhe koncesione. Duke nisur një betejë për të luftuar jo thjesht korrupsionin përmes këtyre praktikave por edhe luftën ndaj monopolit dhe kontratave abuzive që janë dhënë përmes këtyre skemave.

– vMe një institucion të besueshëm ndërkombëtar do të kalohet në lup çdo koncesion dhe PPP i dhënë duke përfshirë në një hetim të imtësishëm çdo kontratë të dhënë këto vite.

– Nuk do të ketë asnjë gare publike me një operator me qëllim që të rrisim konkurrencën ne treg.

– Asnjë kontrate te re publike për ato kompani qe nuk kanë përfunduar 70% të punës në kontratat ekzistuese, me qëllim të zgjerojmë numrin e kompanive dhe të rrisim konkurrencën.

3. Së treti, sistem anti-korrupsioni si vullnet politik

– Unë angazhohem në ngritjen e menjëhershme të Agjencisë Kundër Korrupsionit, e cila do të koordinoje përpjekjet tona për të luftuar korrupsionin në çdo qelizë, duke përgatitur dhe dosjet korruptive që do t’u dorëzuar përpara drejtësisë për ato subjekte që janë identifikuar në akte korruptive.

– Zbatimi i Ligjit Anti-mafia dhe parimeve të tij edhe për aferat korruptive duke zbatuar të njëjtat parime edhe për asetet që janë vendosur nga praktika korruptive.

– Vendosjen e detyrueshme të kontrollit për çdo kontrate publike koncesionare edhe nga Zyra e Auditit të Brendshëm përveç Kontrollit që ushtron institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Këto masa kërkojnë vullnet të hekurt, këto masa kërkojnë vullnet politik dhe unë e kam vendosur luftën ndaj korrupsionit në krye të agjendës time dhe angazhohem për të ngritur një sistem që vendos ne qendër individin dhe, familjen, qe ngre pagat dhe rrit pensionet, një sistem që motivon të drejtën, një sistem ku unë si Kryeminsitër nuk do të kem pushtet të pakufizuar, por do të ketë institucione dhe mekanizma që kontrollojnë dhe monitorojnë!

Dhe për të gjithë ata që pyesin ku do të gjenden paratë: paratë do të gjenden në buxhetin e shtetit, ku përmes këtyre masava çdo vit shqiptarëve do t’u kursehen kosto të tilla si ajo prej 7,2 miliard euro e korrupsionit në këto 8 vite. Do të eleminojmë çdo barriere për bizneset, do të krijojnë një treg me konkurrencë të lirë ku nuk ndërhyn shteti, ku barra e shtetit është e papërfillshme, ku parlamenti nuk do miratoje më ligje speciale për miq special të kryeministrit.

Të dashur bashkëqytetarët e mi,

Unë e di që ne mund ta zbatojmë këtë plan, ashtu siç mund të zbatojmë të gjitha planet që kam prezantuar deri tani.

E kemi vetë në dorë dh unë besoj tek fuqia jonë e përvbashkët.

Besoj se së bashku mund të fitojmë dhe se do të fitojmë për të mirën e vendit tonë.

Më 25 prill Rama do të humbë dhe do të fitojë Shqipëria. Ne do të fillojmë menjëherë punën për të sjellë ndryshim e shpresë për të gjithë shqiptarët.

Ju faleminderit shumë!