Fajdet që rrënuan biznesin!

Nga Elton LASKA

Kush ka udhëtuar me makinë nga Tirana në drejtim të Lezhës i ka rënë në sy se sapo hyn në autostradë nga Thumana, me dhjetëra kapanone, restorante apo karburante janë të mbyllur, e disa edhe të sekuestruar ose nga bankat ose nga “atoritete private”. Këto janë biznese të falimentuara si pasojë e pamundësisë për të paguar përqindjen e lartë të interesave (siç rëndomtë jepen lekët me fajde).

Pas atyre shiritave fshihen qindra të papunë, në një zonë të varfër si Kurbini, ku emigrimi është zgjidhje edhe jo zgjedhje.

Shkak i këtij falimentimi masiv është mungesa e shtetit, parandalimi i këtij veprimi të paligjshëm dhe mbështetja e munguar me grante nga ana e shtetit.

Sipërmarrësit janë detyruar të marrin para me fajde për të mbajtur në këmbë biznesin, i cili rrezikonte mbytjen mes konkurencës së pandershme dhe gjobave të taksidarëve.
Përfundimi është fatal, vjen mbyllja e biznesit dhe shitja e tij me çmime qesharake, ku shpesh herë çmimi i shitjes është përqindja e munguar.

Çdo ditë në takimet e mia në Kurbin takoj qytetarë që kanë humbur punën, e për pasojë janë detyruar t’u ndërpresin shkollën fëmijëve, apo edhe vështirësi të tjera akoma edhe më të mëdha.

Këta të fundit detyrohen të marrin rrugën e emigrimit, ku në jo pak raste detyrohen të futen në botën e krimit dhe fatura e kësaj është e rëndë.

Komisariati i Kurbinit, Prokuroria dhe Gjykata e këtij rrethi duhet urgjentisht të riformatohen për t’i bërë ballë sfidave të reja të këtyre natyrave.

Kurbini është vetëm një Shqipëri e vogël dhe fajdet sot janë një emergjencë kombëtare.
Biznesi i ndershëm po mbytet në llumin e korrupsionit të administratës, konkurencës së pandershme dhe mungesës së mbështetjes së institucioneve shtetërore.

“Hajdeni në Shqipëri se nuk ka sindikata” edhe sot kur e kujtoj deklaratën e kryeministrit shqiptar drejtuar sipërmarrësve italianë me vjen neveri me përçmimin që ky njeri ka dhe ka pasur ndaj sipërmarrjes së lirë dhe ndaj punëtorit shqiptar.

Ky i fundit nga shteti që duhet ta mbrojë cilësohet si skllav, por po vjen dita që skllevërit do t’i tregojnë vendin skllavëruesve, e kjo do të ndodhë përmes votës së lirë.

2 69