Një prej pallateve në Kombinat të dëmtuar nga tërmeti është rrënuar nga Bashkia pa asnjë vendim, banorët në mes të katër rrugëve!

Një prej pallateve të dëmtuara nga tërmeti në zonën e Kombinatit është rrënuar nga Bashkia Tiranë pa asnjë vendim të Këshillit Bashkiak.

Ndërkohë banorët kanë mbetur në mes të katër rrugëve pasi shteti nuk po u jep një zgjidhje për strehimin e tyre në bazë të vlerës së pronës së apartamentit që kishin.

Teksa vendimi për shëmbjen e pallatit është marrë pa asnjë konsultim me banorët dhe asnjë dokumentacion ligjor, pronarët e apartamenteve kërkojnë të dinë se çfarë do të ndodhë me strehimin dhe më pas me kompensimin e pronës së tyre.

“Na kanë kërkuar dokumetet dhe tapitë për të vlerësuar nëse pallati do të rindërtohet apo do të ndërtohet diku tjetër. Na është thënë më 7 janar se pallati do të prishet. Do të largoni orenditë shtëpiake dhe ta boshatisni. Nuk na është dhënë asnjë vendim. Ky është cënim i të drejtave të njeriut, i të drejtës mbi pronën, i të drejtës themelore që ka njëriu, për shtëpinë. Ne nuk kemi një dokument ku ne kemi firmosur, ndërkohë po përfitojnë banorë të pallateve që nuk janë prishur”, thotë një banore e cila kërkon të drejtën mbi pronën e saj.

“Nuk e di a kemi apo jo qeveri. Nuk merret asnjë masë që të bëhet diçka. Kemi dëgjuar se qeveria do të na japë ne që jemi burrë e grua në familje, me dy dhomë e një kuzhinë, nuk na takon 2 e kuzhinë, sepse ne po të strehojmë dhe do të marrësh një dhomë e një kuzhinë. Cila qeveri të mohon pronën?”, tha një tjetër banore e njësisë 6 në Tiranë.

Ina Zhupa e cila ndoqi nga afër shqetësimin e këtyre banorëve theksoi se ky është një tjetër rast skandaloz se si ligji shkelet me të dyja këmbët dhe se si shteti shkatërron në mënyrë barbare banesat e qytetarëve, pa asnjë vendim ligjor.

“Ky pallat sipas vendimit të Këshillit Bashkiak nuk është shembur akoma, ndërkohë që ne jemi në rrënojat e tij. Shteti ligjor me Edi Ramën dhe me Erjon Veliajn, Arben Ahmetaj, Belinda Balluku, nuk funksionon. Ata nuk duan t’ia dinë për ligjet, nuk duan t’ia dinë për jetën e qytetarëve, nuk duan t’ia dinë për strehimin e qytetarëve, duan vetëm të bëjnë propagandë, të filojmë që këtu po shembdet dhe gjoja po punohet në Kombinat.

Duan vetëm të tregojnë që ata e meritojnë mandatin e tretë ndërkohë që nuk kanë punuar asnjë ditë për qytetarët, por vetëm për veten e tyre, një grup oligarkësh dhe klientë të pushtetit. Më 25 prill i kthehemi edhe një herë shtetit ligjor dhe me 25 prill qytetarët e Kombinatit do të votojnë për të humbur Rama dhe për të fituar Tirana dhe për të fituar e gjithë Shquipëria”, tha Ina Zhupa nga Kombinati.

1 80

2 70