Ballina Aktualitet Uzurpim i krejt vijës bregdetare/ Çfarë “trashëgimie” po i lë Rama-Zahos në...

Uzurpim i krejt vijës bregdetare/ Çfarë “trashëgimie” po i lë Rama-Zahos në Vlorë?

Kryeministri Edi Rama ka bërë këtë javë vizitën e radhës në Vlorë nga ku pret që të dalë edhe vetë deputet në zgjedhjet e 25 prillit.

Por kjo “dashuri e madhe” e tij duket se nuk ka të bëjë thjesht me mandatin personal dhe po ashtu as me atë “të tretin” qeverisës, pasi dihet se kjo zonë elektorale ka votuar tradicionalisht drejt Partisë Socialiste.

Në fakt, meraku dhe planet e Edi Ramës janë të tjera.

Prej kohësh në media është denoncuar projekti i tij që është shoqëruar edhe me ligje dhe vendime qeverie, për të uzurpuar krejt vijën bregdetare, toka e troje, në favor të pak biznesmenëve të ashtuquajtur “strategjikë”.

Tashmë është vulosur se “tokat bujqësore” dhe troje që preken nga ligji për Investimet Strategjike, ai i vitit 2015 “Për Turizmin” dhe vulosja me krijimin e “Korporatës së Investimeve”, do të lejojnë kapjen e 16 milion metrave katrorë nga Narta deri në Ksamil.

Kjo do të thotë që mijëra familje të Bregut do të humbasin pronat e gjyshërve dhe si kompensim, ose do të marrin toka nëpër gërxhe ose një shpërblim financiar qesharak i cili shkon edhe 160 lekë të reja për metër katror.

Të mos llogarisim këtu pronat e shumta shtetërore në këtë zonë, të cilat po bëhen gati që tu jepen falas disa oligarkëve miq të Ramës dhe madje të shoqëruara edhe me ngritjen e infrastrukturës përkatëse (rrugë-ujë-energji) nga shteti. Pra gjithçka falas ose për “një copë bukë” dhe me infrastrukturë të bërë gati.  me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Ditë e djeshme (e premte) presidenti Ilir Meta duke replikuar me kryeministrin për Vlorën gjatë një konference për mediat tha se, zotërinjtë (Rama me të tjerë) e duan Vlorën për ta futur në xhep dhe se pas investitorëve arab që po sjellin, fshihen interesat e tyre dhe shumë shpejt do të ketë informacione për këtë çështje.

Rama nuk u përgjigj për këtë aferë të madhe që po denoncohet jo vetëm për Vlorën e deri në Sarandë, por edhe për vijën bregdetare të Durrësit nga porti te Currilat, si dhe hektarë të tërë në Përmet.

Por ajo që bëri ishte, se të njëjtën ditë në mbrëmje dha një intervistë në ERTV, ku fliste si “baba” i Vlorës së rilindur dhe se si ai po ja linte atë “trashëgim”, Zahos së vogël.

“Më kujtohet kur isha i vogël dhe vinim në Vlorë me trenin deri në Fier dhe më pas me autobus. Stacioni ka qenë në anën tjetër dhe pastaj bënim rrugën e bulevardit ku ishin palmat. Më kujtohet shprehja e sime mëje “palmat e Kristo Papajanit”. Edhe deri këtu e kam lënë emrin për Zahon kur të vijë dhe kur të jetë në një moshë që unë mbase s’do jem më. Përtej emrit, kujtimi i mirë është një nga motivet bazë që mua ma bëjnë politikën pasion dhe nevojë për të qenë i dobishëm”, deklaroi Rama.

E vërteta është se kjo “trashëgimi”, financimet e investimeve më të mëdha në Vlorë dhe veçanërisht ato për Lungomaren nuk janë bërë nga qeveria Rama, por nga Bashkimi Europian.

Dhe të gjithë e dimë se në ato dhjetëra vizita që ai ka bërë në Vlorë, këtë fakt nuk e ka përmendur kurrë duke e shitur siç bëri edhe  mbrëmë si një “mrekulli” personale dhe të qeverisë së tij.

Ka qenë kjo arsyeja që vetë ambasadori i BE-së Luigi Soreca  e nisi pikërisht nga Vlora më 15 korrik të vitit të shkuar, fushatën “Europa është këtu”.

“Lungomare ishte një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për Bashkimin Europian. Ai e rimodeloi tërësisht Vlorën, hapi bregdetin për pamje të mahnitshme, e bëri infrastrukturën miqësore me mjedisin dhe, mbi të gjitha, ndryshoi jetën dhe biznesin e shumë banorëve.

Tani ne po punojmë së bashku për një tjetër projekt të rëndësishëm: bypass-in e Vlorës. Sapo jemi kthyer nga një vizitë me kontraktorët dhe inxhinierët, dhe unë jam i lumtur që shoh se puna po përparon shumë shpejt. Bypass-i do ta ndryshojë qytetin e Vlorës ashtu siç bëri Lungomare. Ne jemi krenarë të investojmë në një projekt që po përdor teknologjinë më të përparuar në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Por a e dinë të gjithë se është Bashkimi Europian që po e financon bypass-in e Vlorës?

Shumica e njerëzve nuk e dinë këtë dhe për fat të keq kjo ndodh shpesh me mbështetjen tonë financiare. Vetëm për rrugët, BE-ja ka investuar më shumë se 110 milionë euro në 10 vitet e fundit, duke ofruar 700 km rrugë në të gjithë vendin. Ka shumë të ngjarë që, çdo ditë dhe pa e ditur, ju udhëtoni në një rrugë që e ka financuar BE-ja”, deklaroi jo pa nerv atëherë Soreca.

Pra edhe e vetmja gjë “e saktë” jo vetëm për Vlorën por edhe në gjithë vendin,  me të cilën mburret për 8 vitet e tij në pushtet është, një projekt i BE-së dhe jo i qeverisë së tij të dështuar në mënyrën më spektakolare.

Të njëjtën gjë ka dy ditë që po bën, edhe me spitalin e Fierit. Ka edhe aty dy ditë që rri me kamera nga prapa, duke bërë fushatë me një dhuratë nga Turqia, ndërkohë që shifrat që ju ka dhënë miqve të tij për koncesione të dyshimta dhe jo efikase në shëndetësi, kapin qindra e qindra milion euro.

Në dy mandate rresht, pra në 8 vite nuk ndërtoi dot vetë një spital, por mburret vetëm me fasadat e qendrave shëndetësore.

Me pak fjalë Edi Rama kur deklaroi “trashëgiminë” që po i lë Zahos, jo vetëm në Vlorë, u tregua I sinqertë. Në fakt nuk bëhet fjalë për emrin e tij të mirë kur të mos jetë më në këtë jetë, por për grabitjen e pasurive më të çmuara të qytetarëve dhe shtetit, nga Velipoja deri në Ksamil.

Kjo është trashëgimia e vërtetë, që Edi Rama po i lë Zahos i cili e pret në shtëpi, por ai po e sakrifikon “për hir të Shqipërisë”.

Exit mobile version