Mediat kroate dhe sllovene jehonë takimeve të Bashës me dy kryeministrat

Mediat sllovene dhe kroate i kanë bërë jehonë vizitës së kryetarit të PD, Lulzim Basha në Lubjanë e Zagreb ku ai takoi kryeministrat e këtyre dy vendeve anëtare të BE.

Media sllovene i ka kushtuar rëndësi të veçantë vizitës së zotit Basha, duke i dhënë jehonë takimit me kryeministrin Jansa, pasi ai do të marrë së shpejti Presidencën e Bashkimit Europian.

Mediat kryesore të Sllovenisë vunë theksin tek angazhimi i zotit Basha që me ardhjen në qeveri pas zgjedhjeve të 25 prillit të sigurojë tryezën e parë ndërqeveritare për të hapur realisht negociatat për antarësim për Shqipërinë.

Vëmendje media vendase i kushtoi edhe mbështetjes së garantuar nga ana e kryeministrit Jansa për ta mbështetur Shqipërinë në këtë proces.

Edhe media e Kroacisë i ka kushtuar vëmendje të madhe vizitës së zotit Basha në Zagreb duke theksuar se modeli kroat mund të jetë një ndihmë e madhe për Shqipërinë për të shkuar drejt familjes europiane. Media citon kryetarin e PDSh për projektin e tij të integrimit duke mësuar nga eksperienca e Zagrebit pak vite më parë.

Media sllovene dhe kroate kanë folur edhe për ftesën e zotit Basha për biznesin e dy vendeve që të investojë në Shqipëri.