Rama fut Shqipërinë në listën e zezë të Europës për vaksinimin

Shqipëria rezulton një nga shtetet e Europës që ka avancuar më pak me vaksinimin e popullsisë.

Sipas të dhënave të “The Our World in Data”, që gjurmon ecurinë e vaksinimit në shumë vende të botës, në Shqipëri deri në datën 14 shkurt, ishin administruar 0.04 doza vaksinash për 100 banorë.

Mesatarja e Europës deri në 16 shkurt ishte 5.91 doza për 100 banorë, me rekordin që e mban Mbretëria e Bashkuar prej 23.75 doza. Mesatarja e Bashkimit Europian ishte 5.02 doza.

Në rajon, rekordin e mban Serbia, që në fakt rezulton e dyta në Europë, pas Mbretërisë së Bashkuar, që deri në 18 shkurt kishte administruar 18.36 doza për 100 banorë, duke ia kaluar madje edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Italia ka administruar 5.06 doza për 100 banorë, Greqia 5.52, Kroacia 2.94. Bullgaria 1.17. Nuk ka të dhëna për ecurinë e vendeve të tjera të rajonit.

Si arriti Serbia para të gjithëve për vaksinimin

BBC shkruante pak ditë më parë një artikull se si Serbia ia kishte dalë të arrinte në krye të Europës sa i përket fushatës së vaksinimit.

“Kryeministrja e arsimuar në SHBA e Serbisë ishte udhëheqësja e parë europiane që mori vaksinën Pfizer-BioNTech. Ministri rusofil i punëve të brendshme të vendit hapi krahun për të administruar dozën e Sputnik V. Dhe ministri i shëndetësisë u shfaq duke bërë injeksionin me vaksinën kineze Sinopharm. Këto foto-opsione ishin një mënyrë për të qetësuar një popullatë skeptike serbe për sigurinë e vaksinimeve. Por ata gjithashtu ilustruan një qasje të gjithëanshme ndaj prokurimit të tyre, që e ka vendosur Serbinë në krye të garës për të vaksinuar njerëzit në Evropën kontinentale”.

“Pavarësisht nëse [vaksinat] vijnë nga Kina, SH.B.A. ose BE – ne nuk na intereson për sa kohë që ato janë të sigurta dhe ne i marrim ato sa më shpejt të jetë e mundur,” tha kryeministrja Ana Brnabic. “Për ne, vaksinimi nuk është një çështje gjeopolitike. Është një çështje e kujdesit shëndetësor.”

Një përqasje e tillë, shkruan BBC, ka dhënë frytet e veta. Vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor kanë hasur vështirësi në sigurimin e furnizimit me vaksina, duke i varur shpresat e tyre tek BE ose në skemën ndërkombëtare Covax. Në të kundërt, Serbia duket se synon të vaksinojë të paktën një të dhjetën e popullsisë së saj brenda shkurtit.