Spahia: Edi Rama i ka braktisur qytetarët në çdo aspekt

Nga komunikimi me gazetarin Simon Shkreli në emisionin e tij “Autochthonous” në TV Rozafa

Situata e përmbytjeve në Shkodër por edhe bllokimi i akseve rrugore nga reshjet e borës nxori në pah jo vetëm papërgjegjshmërinë e qeverisë me braktisjen e qytetarëve por edhe nevojën e reformimit të sistemit të emergjencave civile. Shohim Shkodrën për shembull dhe ajo që bën diferencën është mënyra e reagimit të qeverive ndër vite. Sot 40 ditë nën ujë dhe akoma nuk shihet një reagim i vetëm nga shteti. E mbani mend sesi në përmbytjet e vitit 2010 e gjithë qeveria u spostua në Shkodër, me ministra, zv. Ministra, drejtorë, të gjithë për sigurinë e banorëve, shëndetin e tyre, ushqim për gjënë e gjallë etj etj. Ishte një angazhim me të gjitha kapacitetet e një shteti, me aq mundësi sa kishte ai shtet, por prezenca e shtetit në krah të qytetarëve ka qenë maksimale. Sot është e kundërta. Ju mediat që raportoni e konstatoni vetë abandonimin që i është bërë këtyre banorëve. Kryeministri Edi Rama vjen në Shkodër sot e nuk denjon as të kthejë kokën, për të parë qoftë edhe për kuriozitet gjendjen e banorëve të përmbytur. E kalon me një indiferencë gati kriminale situatën e banorëve të zonës së Nënshkodrës, ndërkohë që duhet të ishte duke marrë masat për sigurinë e jetës dhe shëndetit dhe sigurisht edhe kompensimin e tyre.

Pandemia e Covid-19 është një tjetër situatë ku duket qartë mungesa e vullnetit për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve, por ka angazhim maksimal vetëm për propagandë. Vaksina që vijnë në mënyrë të errët e me prejardhje sekrete, pa asnjë transparencë. Si profesionist, akoma sot e kësaj dite nuk e kuptoj, pse zgjidhen këto hapësira stadium a pallat sporti për të ofruar shërbimin e vaksinimit, kur me këto shifra e këto ritme mund të përdoreshin fare mirë strukturat shëndetësore, që do garantonin jo vetëm shërbim më të sigurtë e më efikas në rast nevoje, pasi dihet që cdo proces vaksinimi mund të ketë komplikacione edhe pse minimale.

Fakt është që në mungesë të plotë të një strategjie menaxhimi të pandemisë e më tej edhe të një plani vaksinimi, shohim skena qesharake kur kryeministri me ministra shfaqen në aeroport për të pritur një kuti vaksina. E vërteta është se me propagandë po përpiqet të mbulohet dështimi. Eshtë humbur kohë e çmuar në procesin e sigurimit të vaksinave, si për kontaktet direkte që herët, apo atashimin e Shqipërisë me një vend mik të BE, sic bënë vende të tjera në kushtet tona, por u rreshtuam me sistemin Covax, sigurisht i vlefshëm, por jo për standardet që kërkojme ne të jemi. Ai sistem ofron sigurimin e vaksinës për vende të botës së tretë e atyre që s’kanë kapacitete. Sistemi Covax nuk ka startuar procesin e marrjes së vaksinave.

Modeli i koncesioneve e tenderave korruptivë po shkatërron sistemin, degradimi reflektohet direkt në emigrimin e mjekëve e infermierëve. Jemi të fundit në rajon, për numër mjekësh për banorë. Sot kemi 1.2 mjekë për 1000 banorë. Na e kalon edhe Bosnja që ka 2.2 mjekë për 1000 banorë, ndërsa Serbia e Maqedonia e Veriut kanë 5 mjekë për 1000 banorë. Programi i PD për shëndetësinë synon ndërhyrje urgjente në sistem. Në qendër do jetë pacienti që do zgjedhë vetë mjekun e familjes, klinikën, apo spitalin ku dëshiron të kurohet. Rikthimi i dinjitetit edhe për mjekët do realizohet edhe përmes pagave dinjitoze. Paga e infermiereve do të behet 700 Euro ajo e mjekëve do te behet 1200 Euro ndërsa do ketë një pagesë prej 950 euro për specializantët. Shtimi i kapaciteteve në fakultetin e shëndetësisë e hapja e një fakulteti të ri mjekësor do sigurojë jo vetëm rritjen e kapaciteteve në stafe por edhe ruajtjen e atyre ekzistuese. Ndërsa rikthimi i sigurisë për barnat është një tjetër prioritet, pasi me ardhjen në pushtet, socialistët hoqën filtrat e garantimit të sigurisë së ilaçeve duke ndryshuar edhe ligjin përkatës dhe sot një grup njerëzish të lidhur me Edi Ramën sjellin barna të dyshimta si në cilësi e efikasitet, një kosto direkte për pacientët.

Jo vetëm pjesa e shëndetësisë, por gjithë programi i PD “Shqipëria fiton” është rezultat i kontakteve të vazhdueshme me qytetarët, me grupet e interesit, njerëzit e ditur të këtij vendi por edhe ekspertëve ndërkombëtarë sipas fushave të ndryshme. Prandaj më 25 Prill, Shqipëria fiton dhe Edi Rama humb!