Po ndodh një katastrofë me viktimat nga virusi, mjeku: 90% e të shtruarve janë në gjendje shumë të rënduar

Spitali Covid ‘Shefqet Ndroqi’ ka ezauruar të gjitha kapacitetet mesditën e kësaj të mërkure. Lajmin e ka bërë të ditur mjeku Arjan Mezini, i cili tha se mesditen e sotme shtretërit e spitalit ishin plot dhe nuk kishte vend për pacientë të tjerë.

Më tej, mjeku bëri me dije se 90% e personave të cilët shkojnë në spital janë në gjendje shumë të rënduar, ndërsa të tjerët që janë me simptoma më të lehta kurohen në shtëpi.

“Spitali ‘Shefqet Ndroqi’ të paktën deri në mesditën e sotme, ishte ezauruar. Nuk e di nëse është liruar ndonjë, por deri në mesditë, nuk prisnim dot më pacientë. Situata është e rëndë. ata që vijnë, 90% e tyre janë në gjendje të rëndë dhe shumë të rëndë. të tjerët që janë me simptoma më të lehta, nuk vijnë në spitale. Dihet kjo gjë,”– tha Mezini.

Kujtojmë se këtë të mërkurë Ministria e Shëndetësisë raportoi numër rekord viktimash nga Covid-19, 18 gjatë 24 orëve të fundit. Ndërsa rastet e reja vijuan të larta, saktësisht 1075 nga 3901 tamponë të kryer.

Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë bëri me dije aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe në spitalet rajonale po trajtohen 585 pacientë, 37 në terapi intensive nga të cilët 12 pacientë janë të intubuar.