Djallëzia e Boratit!

Nga Erion DASHO

Viti 2020 u mbyll me bluzat e bardha të cilave u këndoheshin këngë, shpalleshin qytetarë nderi dhe vetë kryeministri u çonte lule dhe bombone për t’i përgëzuar për “heroizmin” e treguar në përballje me “armikun e padukshëm”.

Tashmë Tirja është bërë simboli i padëshiruar i mënyrës se si ofrohet kujdes shëndetësor në Shqipëri. Nuk ka si ndodh ndryshe në vendin ku politika kontrollon gjithçka dhe paraqet gjithçka sipas interesit të vet.

Nisi me rastin “Tire”, vazhdoi me kërcënimin për të ndaluar dypunësimin e mjekëve dhe u finalizua me linçimin publik të Dr. Edvin Priftit. Të gjithë këto lëvizje i shërbejnë një plani të mirëmenduar dhe djallëzor të kryeministrit dhe enturazhit të tij.

Si përfiton politika nga demonizimi i mjekëve dhe nxirja e bluzës së bardhë?

Së pari, Borati u mbush mendjen votuesve se drejtësia e re boratase ka nisur të funksionojë. Nuk ka rëndësi në se je sanitare apo shtylla e një shërbimi shëndetësor jetëshpëtues, “drejtësia” e Boratit vepron njëlloj dhe është e pamëshirshme. Të huaj e vendas duhet ta “hanë” me qejf këtë pjatë bajate, por që është përgatitur dhe servirur mjeshtërisht.

Së dyti, Borati dhe boratasit nuk ka ditë të mos përfliten për skandale. Tendera të fshehtë që si me magji fitohen me fond limit, qytete që përmbyten edhe nga vesa më e lehtë, koncesionarë që i mirëmbajnë rrugët në “të thatë”, por sa bie 20 cm dëborë ngecin, etj. Drejtësia e Boratit sigurisht hesht dhe është e paaftë të veprojë kundër korrupsionit të vërtetë. Por në se u hedh ca bluza të bardha turmave, këto të fundit do të harrojnë skandalet miliardëshe.

Së fundi, dhe më e rëndësishmja, duhet gjetur alibia për katastrofën shëndetësore të COVID-it që u shpërtheu boratëve mú më mes të fushatës elektorale dhe është pasojë e drejtpërdrejtë e paaftësisë dhe amatorizmit. Ku ka zgjidhje më të mirë se t’ua lësh dështimin në derë “heronjve” të djeshëm? Dështimi me testimin, gjurmimin, trajtimin, etj. shitet tek bluzat e bardha, ndërsa Borati dhe boratët me pamje solemne presin 7,020 vaksinat “shpëtimtare”. Ndërkohë që numri real i vdekjeve si pasojë e keq menaxhimit të epidemisë e ka vendosur Shqipërinë midis vendeve më të prekura në planet.

Borati ka hartuar dhe po zbaton një plan djallëzor për të tërhequr vëmendjen nga dështimi total me menaxhimin e epidemisë dhe jo vetëm. “Heronjtë” e djeshëm janë bërë viktimat e sotme.

Para disa muajsh u pata bërë thirrje kolegëve që të refuzonin cilësimin e pamerituar “hero” dhe aleancën ta shihnin me qytetarët dhe jo me politikën.

Ende janë në kohë për të demaskuar dëmin e jashtëzakonshëm që politika i ka bërë jetës dhe shëndetit të qytetarëve…