Bujar Leskaj, mesazh të ndjerë për humbjen e kryetarit të PD Sarandë

Sot, më 16 Shkurt 2021, u nda papritur nga jeta në moshën 54 vjeçare, Kryetari i Partisë Demokratike dega Sarandë, zoti Hariz Mema.

Dhimbja jonë sot është shumë e madhe për këtë humbje të parakohshme e të pazëvendësueshme.

Ikja e tij është shumë e trishtë.

Gjatë 30 viteve demokraci, është angazhuar në të gjitha ngjarjet e sfidat e mëdha të Partisë Demokratike, angazhim të cilin po e vazhdonte me përkushtim edhe në ditët e sotme, duke qenë njëri nga drejtuesit kryesorë të Shtabit Qendror të qarkut të Vlorës në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

U shpreh ngushëllimet më të thella e më të sinqerta familjarëve, të afërmve e miqve të tij.

Familja humbi prindin dhe bashkëshortin shembullor.

Saranda humbi një qytetar e politikan aktiv në jetën e problemet e përditshme të qytetit.

Partia Demokratike humbi një demokrat të vërtetë, një politikan e shpirt të vërtetë demokrat, njeri të vendosur e të palëkundur në bindjet e tij.

Humbi një nga zërat e çmuar dhe një nga drejtuesit me shumë vlera të saj.

Harizi vinte nga një familje me vlera të larta atdhetare dhe të persekutuar prej regjimit komunist.

I diplomuar për ekonomi u shqua si sipërmarrës i suksesshëm në Sarandë.

Hariz Mema ka qenë nga viti 2011 deri në 2014 kryetar i Shoqatës “LABERIA” – Dega Sarandë.

Nga viti 2012 ka qenë anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, dega Sarandë.

Në vitin 2014 u zgjodh për herë të parë kryetar i Partisë Demokratike për Sarandën, dhe në këtë detyrë u rikonfirmua përsëri në vitin 2018.

Në zgjedhjet e vitit 2017 ishte kandidat për deputet në qarkun e Vlorës në listën e Partisë Demokratike.

Gjatë madatit të tij 8 vjeçar si kryetar i degës, Harizi gjatë gjithë kohës ishte në opozitë me pushtetin për të mbrojtur interesat e qytetarëve të Sarandës dhe është shquar për përkushtimin, korrektësinë dhe ndjenjat atdhetare.

Në krye të Partisë Demokratike shqua për qytetari, tolerancë dhe vendosmëri të palëkundur në aksionet politike.

Harizi ishte anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Hariz Mema ka një kontribut të çmuar në jetën shoqërore e politike të qytetit të Sarandës si anëtar i këshillit bashkiak dhe drejtues politik.

Vdekja e tij e parakohshme është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për bashkëshorten e tre fëmijët e tij, për të gjithë ne që e kemi njohur, për Sarandën, për familjen e madhe të Partisë Demokratike.

Ashtu siç kryetari Basha e vlerësoi sot në këtë ditë të zezë: “Kjo është edhe një humbje shumë e rëndë për ne, për demokratët, ku ai prej dy mandatesh drejtoi me sukses degën e Sarandës, dhe për mua personalisht që kam humbur një mik të rrallë dhe bashkëluftëtarin e papepur të kaq shumë betejave. Do ta kujtojmë si përherë, fjalëpak e punëshumë, të vendosur, të dashur, të fortë dhe të qeshur”.

U prehsh në paqe i shtrenjti Hariz!

I paharruar kujtimi yt!