Shifra dramatike, 3361 biznese falimentuan në 2019

Sektori i tregtisë prej vitesh ka hyrë në një cikël krize, për shkak të përqendrimit të njësive të vogla në qendra të mëdha dhe rënies së konsumit nga reduktimi i popullsisë. INSTAT raportoi sot se numri i bizneseve aktive gjatë vitit 2029 ra me 3%, ku pjesa dërmuese e tyre i takojnë bizneseve në fushën e tregtisë. Nga 3361 biznese të mbyllura 2781 ishin nga sektori i tregtisë, sipas të dhënave nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve më 2019.

Të dhënat tregojnë se në shkallë vendi u mbyllën 6% e bizneseve në sektorin e tregtisë. Gjithashtu sektori i shërbimeve shënoi dobësi, pasi raportohet se 8.2% u mbyllen, me rreth 1572 ndërmarrje në të gjithë vendin. Ndikimin me negativ e pati qyteti i Durrësit, ku shumë nga këto njësi u mbyllen për shkak të pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Sektori i industrisë përpunuese gjithashtu raportoi mbyllje të 8% të bizneseve. Nga 8669 të tilla që ushtronin aktivitet me 2018 rezultuan 7961 më 2019.

Në kundërt, ecuri pozitive shënuan bizneset në sektorin e ndërtimit dhe shërbimeve të tjera. Numri i bizneseve në ndërtim u rrit me 9%, ritmi më i lartë në të gjithë sektorët. Kjo rritje erdhi nga investimet e larta në sektorin e banesave sidomos në kryeqytet. Pas ndërtimit, rritje shënuan edhe ndërmarrjet në sektorin e transportit dhe telekomunikimit, por me ritme më të ulta.

INSTAT raportoi se, numri i ndërmarrjeve ekonomike aktive për vitin 2019 është 104.090 duke shënuar një rënie me 3,1 % krahasuar me vitin 2018, nga më shumë se 107 e mijë ndërmarrje aktive që ishin më 2018.

Ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet tregtar zënë përqindjen më të lartë të numrit të ndërmarrjeve, me 40 %. Në vitin 2019, numri i të punësuarve gjithsej është rritur me 15.146 të punësuar ose 2,9% krahasuar me 2018. Prodhuesit e shërbimeve kanë kontribuar me +1,8 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e të mirave kanë kontribuar me +1,1 pikë përqindje.

Shitjet neto në vitin 2019 arritën vlerën 2.264 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 3,8 % ndaj vitit 2018. Shitjet e realizuara nga prodhuesit e shërbimeve për 2019 përbëjnë 67,3 të shitjeve gjithsej dhe kontribuojnë me +3,6 pikë përqindje në rritjen vjetore të këtij treguesi. investimet u rritën me 1,5% në vitin 2019, dhe arritën vlerën 242 miliardë lekë, në krahasim me 238 miliardë lekë në 2018. Ndryshe nga treguesit e tjerë, prodhuesit e të mirave zënë pjesën më të madhe të investimeve të realizuara duke përbërë 62,1 % të investimeve gjithsej për 2019.

Shitjet neto paraqiten me rritje edhe për prodhuesit e të mirave duke kontribuar me +0,2 pikë përqindje në ndryshimin vjetor të këtij treguesi. Prodhimi për të punësuar për vitin 2019 është 2.673 mijë lekë nga 2.698 mijë lekë për të punësuar rezultuar në 2018. Ky tregues është më i lartë tek prodhuesit e të mirave (3.818 mijë lekë për të punësuar) në krahasim me prodhuesit e shërbimeve (2.031 mijë lekë për të punësuar). investimet për ndërmarrje janë rritur me 1,5% në vitin 2019 krahasuar me vitin 2018, duke arritur vlerën 2.323 mijë lekë. Ky tregues paraqitet grafikisht në fig 5.

Në prodhuesit e shërbimeve operojnë 87,3% e ndërmarrjeve aktive të cilat realizuan 67,3 % të shitjeve neto. Në këtë grup ndërmarrjesh, rolin kryesor e luan, tregtia me shumicë, me pakicë dhe riparimi i automjeteve.

Në ndërmarrjet ekonomike aktive gjatë vitit 2019, janë punësuar 530.853 persona. Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar kanë 41,4% të numrit gjithsej të të punësuarve, të cilët realizuan 46,8% të shitjeve neto dhe 55,8% të investimeve edhe pse përbëjnë vetëm 1,4% të ndërmarrjeve aktive. Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar kanë 27,2 % të të punësuarve gjithsej të cilët kanë realizuar 13,0% të shitjeve neto. Këto ndërmarrje realizuan 6,7% të investimeve edhe pse përbëjnë 85,4% të ndërmarrjeve aktive.