Partnerët e Shqipërisë informohen për krimin e organizuar, dosjet e korrupsionit dhe asetet e grupeve kriminale

Njoftimi i plotë i GJKKO:

Ditën e sotme më datën 15.01.2021, Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e vizitoi Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco.

Gjatë kësaj vizite Ambasadori Del Monaco u takua me Kryetarin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Z. Sandër Simoni. Kryetari, Sandër Simoni e njohu Ambasadorin me veprimtarinë e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar gjatë vitit të parë të funksionimit të saj, rezulatet e arritura si dhe sfidat për të ardhmen.

Gjatë këtij takimi Kryetari Simoni shkurtimisht paraqiti ecurinë së proceseve gjyqësore në Gjykatë duke informuar Ambasadorin del Monaco mbi statistikat gjyqësore të çështjeve të krimit të organizuar, korrupsionit, sekuestrimet dhe konfiskimet e pasurive në kuadër të masave parandaluese pasurore, ato të shqyrtimit të ankimeve mbi rregjimin e posaçëm dhe në tërësi për punën e gjyqtarëve të kësaj gjykate, në shqyrtimin e kërkesave të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar (SPAK) gjatë fazës së hetimeve paraprake dhe gjatë seancës paraprake.

Kryetari Sandër Simoni e informoi Ambasadorin Del Monaco mbi përfundimin e gjykimit të disa çështjeve për vepra penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe ngarkesën e gjyqtarëve me kërkesa gjatë fazës së hetimit paraprak dhe ato për sekuestro e konfiskim në kuadër të Aktit Normativ nr. 1 datë 31.01.2020 duke theksuar se pas çdo përfundimi me sukes të procedime penale të nisura nga SPAK, janë vendimet e gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme, qoftë si gjyqtar të hetimeve paraparke, të seancës paraprake apo si gjyqtarë të gjykimit të çështjeve.

Kryetari Sandër Simoni theksoi bashkëpunimin e hershëm e të vazhdueshëm me Prezencën e OSBE në Shqipëri, si organizata ndërkombëtare që ka mbështetur fillimisht veprimtarinë e kësaj gjykate, dhe në mënyrë të veçantë aktivitetet cilësore trajnuese në lidhje me çështje të terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, alternativave të dënimit, trafikimit të qënieve njerëzore etj duke evidentuar dhe aspektet e tjera ku bashkëpunimi mund të vijojë në të ardhmen.
Ambasadori Del Monaco shprehu kënaqësinë mbi bashkëpunimin e deritanishëm të Prezencës së OSBE më Gjykatën e Posaçme, bëri të qartë qëllimin e tij që gjatë drejtimit të Prezencës së OSBE në Tiranë, të ketë në vëmendje veprimtarinë e SPAK dhe të Gjykatës së Posacme, duke premtuar vijueshmërinë në ndihmën e bashkëpunimin, kryesisht për plotësimin e nevojave të trajnimit për gjyqtarët dhe administratën.

Në mënyrë të veçantë, Ambasadori Del Monaco shprehu interesimin mbi kompetencat e gjykatës në mbikqyrjen e mirëadministrimit të pasurive të përftuara nga veprimtaria kriminale e që janë sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme, si dhe objektin e mundshmë të gjykatës lidhur me veprimtarinë kriminale të grupeve kriminale për trafikimin e kontrabandimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme apo atë të rekrutimit të elementëve me prirje ekstremiste apo terroriste.

Ambasadori del Monaco së fundmi, ofroi gatishmërinë për vijimin e bashkëpunimit nga ana e Preznecës së OSBE në Tiranë me Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.