Koeman: Na duhet Messi në top formë kundër PSG

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman i ka bërë thirrje kapitenit Lionel Messi ta bëjë një tjetër paraqitje të klasit më të lartë në përballjen e së martës kundër Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve.

Messi i shënoi dy gola spektakolarë në fitoren e Barçës 5:1 kundër Alavesit në La Liga dhe u zgjodh lojtari i ndeshjes për paraqitjen mahnitëse që e bëri.

Sulmuesi argjentinas i ka shënuar 15 gola në La Liga deri tani këtë sezon dhe ngel vetëm një prapa Luis Suarezit të Atletico Madridit.

Koeman pret që Messi ta bëjë një paraqitje të ngjashme edhe kundër PSG-së në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve të martën.

“Messi është i përqendruar dhe është i ngazëllyer. Ai është i lumtur sepse ka qenë shumë efektiv para portës së fundmi. Ai krijon hapësirë për lojtarët e tjerë në fushë. Ai ka vizion madhështor të lojës”, tha Koeman.