Arsyet e kapitullimit të qeverisë përballë emergjencave natyrore

Nga Red VARAKU

Pafuqia dhe paaftësia e shtetit shqiptar për tu përballur qoftë dhe me sfidat më të vogla natyrore tashmë është bërë legjendare.

Sa herë shtohen pak reshjet apo bien pak temperaturat, të gjithë përballemi me dështimin spektakolar të strukturave shtetërore dhe absurdi qëndron në faktin se të gjithë e dimë eksaktësisht çfarë do të ndodhë, fjala vjen cila shtëpi do përmbytet, ku do kalojë uji, sa ditë do të zgjasë etj.

Ndërsa, rasti i bllokimit të rrugëve dhe paralizimit të aeroportit kryesor të vendit për 10 cm dëborë edhe pse IGJEUM kishte paralajmëruar, nuk përbën më skandal, por është turpi i rradhës i kësaj qeverie.

Ky dështim spektakolar vjen për shkak të dy të arsyeve të mëdha, që kjo qeveri përpiqet t’i mbulojë paturpësisht me propagandë bajate.

Mungesa e investimeve strategjike dhe paaftësia legjendare për të menaxhuar një situatë të tillë dhe për t’i ardhur sadopak në ndihmë qytetarëve, të cilët paguajnë taksat më të larta në rajon për të pasur garanci në situata të tilla.

Pra, kjo qeveri jo vetëm nuk ka bërë asnjë investim strategjik për të mbrojtur qytetarët, por ajo sot nuk ka asnjë një plan kombëtar për parandalimin apo reagimin në situata të tilla, ndaj situata është vazhdimisht rrumpallë dhe tërësisht jashte kontrollit.

Kjo qeveri nuk ka investuar për studimin dhe më pas planifikimin e një strategjie për tu mbrojtur nga fatkeqësitë. Ajo e ka kthyer Emergjencen Civile një strehe militantësh dhe nuk ka investuar asnjë qindarkë për modernizimin e saj, ndaj sot shërbimi që ofrohet është pa asnjë vlerë substanciale.

Edhe ato pak rregulla që kanë qenë, janë prishur, pra nuk ka asnjë studim shkencor kombëtar, për investime në kuadrin e një investimi strategjik të domosdoshëm.

Është pikërisht kjo papërgjegjshmëri që prodhon më shumë dëme se vetë fatkeqësia dhe që ka bërë që kostoja për qytetarët të jetë e pabërballueshme. Pikërisht për këtë kjo qeveri duhet të jape llogari dhe jo të dërdëllisë për suksese imagjinare, aq më tepër kur qytetarët e kuptojnë që shumë pasoja mund të shmangen vetëm me menaxhim të mirë dhe punë.

Dhe për sa kohë do ketë vetëm propagandë të lodhur në vend të një një plani kombëtar të mirëstudiuar për emergjencat civile, për sa kohë do ketë investime në luks, në vend të investimeve serioze strategjike konkrete, për sa kohë do ketë modernizim të teknologjisë propagandistike në vend të modernizimit të sistemit të amortizuar hidroteknik, që mban nën kontroll bonifikimin dhe disiplinon derdhjet e lumenjve, gjithmonë do të përballemi me të njëtën faturë, që sigurisht do ta paguajmë të gjithë.