40 ditë përmbytje, Ademi: Kryeministri në ikje e ka nxjerrë totalisht Shkodrën dhe shkodranët nga vemendja

Nga Voltana ADEMI

Sot janë 40 ditë nga fillimi i përmbytjeve në territorin e Bashkisë së Shkodrës. Qindra familje vazhdojnë të jenë të rrethuara nga uji. Dy ditët e fundit, ulja e temperaturave dhe reshjet e borës, e kanë vështirësuar situatën.

Problemi kryesor vazhdon të mbetet sigurimi i bazës ushqimore për gjënë e gjallë. Për herë të parë në këto 30 vite, Bashkia e Shkodrës me fondet e veta të emergjencës, ka prokuruar bazë ushqimore për gjënë e gjallë. Kjo, pasi qeveria, Ministria e Bujqësisë dhe agjensitë e tjera të ngarkuara me ligj, nuk morën përsipër përgjegjësinë ligjore.

Kryeministri në ikje i vendit, e ka nxjerrë totalisht Shkodrën dhe shkodranët nga vemendja, edhe në një situatë ekstreme si kjo e përmbytjeve. Pavarësisht se situata e familjeve të përmbytura është shumë e rëndë, Edi Rama vazhdon mospërfilljen, nuk e shpall gjendjen e emergjencës së fatkeqësisë natyrore në zonat e përmbytura.

Ndërsa gjen kohë të vazhdojë me propagandë përmes rrjeteve sociale, kryeministri në ikje nuk gjen kohë të shohë nga afër situatën në zonat e përmbytura, të sjellë bazë ushqimore për gjënë e gjallë e tu gjendet afër banorëve. Ndoshta e ka lënë të vizitojë Shkodrën për të prerë ndonjë shirit elektoral apo për të demonstruar propagandën e radhës të premtimeve boshe, të përsëritura e të pambajtura këto 8 vite.

Por as ne nuk do ti ndahemi, duke kërkuar të drejtat që na takojnë, në emër të të gjithë banorëve: Pagesën për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet nga uji i shkarkuar nga hidrocentralet. Nga burimet tona ujore arkëtohen miliona euro në arkën e shtetit. Për propagandë elektorale paratë shpërdorohen për investime me kosto qindra mijëra euro, jo për Shkodrën jo, jo për Qarkun tonë jo! Ato financojnë projekte fantazëm për lukse logosh e stemash.

Me të gjitha rrugët ligjore, me të gjitha mënyrat demokratike, bashkë me banorët do të bëjmë që qeveria të paguajë dëmin e shkaktuar. Madje, edhe të përmbytjeve të vitit 2018, dëme që kalojnë vlerën 7.5 milion dollarë. Kjo qeveri ka detyrimin ligjor e përgjegjësinë të paguajë dëmin e shkaktuar, mundin e djersën e investuar, pronën, tokën e produktin buqësor të dëmtuar të qindra familjeve.

shkoder permbyt