10 fakte për të mos votuar Partinë-shtet në pushtet!

Nga Haris VONGLI

Sot, të kesh kurajon për të shprehur domosdoshmërinë që ka shoqëria shqiptare për ndryshim, është diçka aspak e vogël; është një pakt i bërë me dinjtetin dhe integritetin. Është detyra ime si shetase dhe taksapaguese e këtij vendi të mos hesht, të mos relativizoj keqqeverisjen dhe mos amnistoj Partinë-shtet.

Domosdoshmëria jo vetëm për rotacion politik/partiak, por edhe qarkullim elitash, i shërben demokratizimit si proces praktik dhe jo populizmit empiriko-teorik. Rotacioni kërkon tanimë zbatim sa më të shpejtë të mundshëm, në mënyrë që të shmangim rrënjët e pushtetit autoritar, arbitrar, të pakontrolluar e të pa limituar në kohë. Një qeverie që ka dështuar në një sërë politikash zhvillimore, arsimore, shëndetësore, sociale, ekonomike, administrative, etj., i ndalohet të pretendojë një mandate tjetër. Nuk ka politolog që mund ta justifikojë këtë. Një qeverie, edhe sikur e suksesshme të jetë, nuk i lejohet të artikulojë një vijmësi pushteteti, aq më tepër kur e humb kontaktin me realitetin. Kjo qeveri, nëse ka sadopak respekt për elektoratin e saj dhe individin, aq më tepër që është përfolur për kërcënimin e një shtylle bazë të demokracisë – zgjedhjet e lira dhe të ndershme, duhet të largohet me vullnet të lirë.

Në këtë kuadër, po rendis disa arsye/problematika tejet shqetësuese për Shqipërinë, marrë nga revista “Monitor.al”, të cilat duhet të na largojnë nga nostaligjitë për sistemet e para 90-ës. Pra, po parashtroj disa fakte për të mos votuar Partinë-shtet në pushtet:

1. Vit pas viti, fenomeni i emigracionit po merr përmasa alarmante dhe po përfshin segmente të shoqërisë me aftësi.

2. Bizneset janë në krizë për punonjës, tashmë në emigracion po ikin të arsimuarit.

3. Një anketë e vitit 2020, e profesorëve Gëdeshi dhe King, nga Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale, zbuloi se 79% e studentëve shqiptarë dëshirojnë të largohen nga vendi, në raport me 65% në vitin 2018.

4. Nga ana tjetër, 95% e atyre që studiojnë jashtë nuk dëshirojnë të kthehen në Shqipëri.

5. Sipas krahasimit të të dhënave në universitetet publike në vendet e BE-së, rezulton se tarifat studentore të nivelit bachelor, Shqipëria i ka më të lartat në krahasim edhe me vendet si Polonia, Kroacia, Çekia, Greqia, Gjermania, apo Sllovenia, Franca, Belgjika, Austria, etj, kjo gjithmonë në raport me të ardhurat mesatare në vend.

6. Shqipëria po ashtu bën dallim edhe me vendet fqinje të rajonit, ku përsëri ka tarifa më të larta se sa Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Serbia, përjashto Malin e Zi, i cili nuk ka tarifa fare.

7. Një vrojtim i realizuar në vitin 2018 tregoi se gjatë 5 viteve të fundit rreth 13 % e stafit mjekësor kishte emigruar nga Shqipëria dhe se numri i atyre që emigrojnë çdo vit është i barabartë ose më i madh se sa numri i mjekëve të rinj që diplomohen në Universitetin e Mjekësisë.

8. 78% e mjekëve pohojnë se mund të largohen nga Shqipëria.

9. Vendi ka normën më të ulët të mjekëve për mbulimin e kujdesit shëndetësor për popullsinë, me 1.2 mjekë për 1000 banorë.

10. Një anketë e Qendrës Shqiptare Kundër trafikut të Qenieve Njerëzore, në më shumë se 1000 persona ketë vit në të gjithë vendin, gjeti se 77% e tyre mendojnë se situata politike në vend është më e keqe dhe ky përkeqësim është një shtysë sipas tyre për të emigruar.

Përse duhet votuar përsëri partia dhe përfaqësuesit e saj në pushtet? Për thellimin e mëtejshëm të shpopullimit? Nisur nga faktet e lartpërmendura, e shumë të tjera si këto, ku do përfundojmë? Rotacioni dhe qarkullimi i elitave nuk është thjesht domosdoshmëri. Ndryshimi është detyrim i yni dhe emergjencë kombëtare.

#harisvongli
#opinion