Shifra rekord, vendi në greminë, 890 milionë euro defiçit për vetëm një vit

Deficiti buxhetor, apo diferenca mes shpenzimeve dhe të ardhurave, për mbulimin e së cilës qeveria ka qenë e detyruar të marrë borxh, arriti në një nivel historik rekord të pas tranzicionit në vitin 2020. Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Financave, ky deficit ishte 110 miliardë lekë, ose 890 milionë euro.

Ky është niveli më i lartë i deficitit që nga viti 1995, kur Ministria e Financave raporton të dhënat. Më herët, rekordi ishte në vitin 2009, në rreth 81 miliardë lekë, që përkon me periudhën e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës.

Rritja e deficitit në 2020-n erdhi si rrjedhojë e rënies së të ardhurave nga kriza e shkaktuar në ekonomi nga Covid-19 dhe nevojës për shpenzime të shtuara për paketat mbështetëse për bizneset dhe individët, si dhe fondet e rindërtimit për tërmetin.

Sipas statistikave fiskale paraprake të publikuara nga Ministria e Financave, totali i të ardhurave në buxhet për vitin 2020 ishte 425 miliardë lekë, me një tkurrje prej 7.5%, ose 34.7 miliardë lekë (280 milionë euro) më pak sesa vit ii kaluar. https://www.monitor.al/buxheti-humbi-280-milione-euro-nga-pandemia-ne-2020-n-permiresohet-dhjetori/

Në kahun tjetër, shpenzimet e përgjithshme publike për vitin 2020, arritën në rreth 536.3 miliardë LEK (92.5% të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr.34 datë 16.12.2020). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 ky zë ka rezultuar 9% më i lartë ose rreth 44.4 miliard LEK më shumë.’

Gjithsesi, deficit buxhetor është 21 miliardë lekë më pak sesa plani i rishikuar prej 132 miliardë lekësh. Mosrealizimi lidhet me arkëtimin e të ardhurave buxhetore, po me rreth 20 miliardë lekë më pak në krahasim me planin, duke detyruar financat të kursejnë po njësoj në kahun e shpenzimeve, për të ruajtur parametrat e planifikuara të deficitit.