Telefonata e parë mes Presidentit Biden dhe Presidentit kinez Xi Jinping, Kina kërkon “kujdes” për…

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe Presidenti kinez Xi Jinping folën me telefon të mërkurën vonë, telefonata e parë mes të dyve që nga fitorja e zotit Biden në nëntor në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Zoti Biden “pohoi përparësitë e tij për të mbrojtur sigurinë, prosperitetin, shëndetin dhe mënyrën e jetesës së popullit amerikan dhe për ruajtjen e një rajoni Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu për pandeminë e koronavirusit, ndryshimet klimatike dhe mundësinë që Uashingtoni dhe Pekini të ndjekin atë që Shtëpia e Bardhë e përshkroi si mundësinë e ndjekjes së “angazhimeve praktike, të orientuara drejt rezultateve” për kontrollin e armëve.

Por zyrtarët thanë se Presidenti Biden gjithashtu u tregua i vendosur në disa fusha kryesore të mosmarrëveshjeve.

“Presidenti Biden nënvizoi shqetësimet e tij thelbësore në lidhje me praktikat e detyrueshme dhe të padrejta ekonomike të Pekinit, shtypjen në Hong Kong, abuzimet e të drejtave të njeriut në Xinjiang, dhe veprimet gjithnjë e më të forta në rajon, përfshirë drejt Tajvanit”, thuhet në dokumentin e Shtëpisë së Bardhë.

Televizioni shtetëror kinez tha se Presidenti Xi i tha Presidentit Biden se bashkëpunimi dypalësh është zgjidhja e vetme për të zgjidhur dhe menaxhuar mosmarrëveshjet e tyre. Zoti Xi bëri thirrje që mekanizmat e ndryshëm të dialogut dypalësh të rifillojnë për të shmangur çdo lloj keqkuptimesh.

Njoftimi televiziv gjithashtu tha se zoti Xi i tha Presidentit Biden se ai shpreson që Shtetet e Bashkuara do të veprojnë “me kujdes” në lidhje me çështje të tilla si Tajvani, Hong Kongu dhe Xinjiang, të cilat janë çështje që lidhen me punët e brendshme të Kinës dhe “sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”.

Telefonata u bë vetëm disa orë pas vizitës së parë të Presidentit Biden në Pentagon si komandant i përgjithshëm, ku ai sinjalizoi se administrata e tij është e gatshme t’i kundërvihet një Kine në rritje, duke njoftuar formimin e një task force për të rishikuar gjithçka, nga strategjia dhe kapacitetet aktuale amerikane dhe deri tek teknologjia dhe aktiviteti i zbulimit, në lidhje me Pekinin.

“Task forca do të punojë me shpejtësi, duke u mbështetur tek ekspertët civilë dhe ushtarakë në të gjithë departamentin për të siguruar brenda disa muajve të ardhshëm rekomandime për Sekretarin [e Mbrojtjes] Austin mbi përparësitë dhe pikat kryesore të vendimmarrjes në mënyrë që të mund të hartojmë një plan të fortë veprimi për çështje të lidhura me Kinën”, u tha Presidenti Biden gazetarëve.

“Kjo do të kërkojë një përpjekje të të gjithë qeverisë, bashkëpunim dypartiak në Kongres dhe aleanca dhe partneritete të forta”, shtoi Presidenti Biden. “Kështu do ta përballojmë sfidën e Kinës dhe të sigurohemi që populli amerikan të fitojë garat e së ardhmes”.

Kritikët e Presidentit Biden e kanë konstatuar vazhdimisht Kinën si një pikë e dobët për presidentin e zgjedhur së fundmi, duke përmendur me zë të lartë atë që e përshkruajnë si paaftësi të tij për t’iu kundërvënë Pekinit gjatë fushatës së fundit presidenciale amerikane.

“Kina do të zotëronte vendin tonë nëse Joe Biden zgjidhet”, u tha ish-Presidenti Donald Trump mbështetësve të tij gushtin e kaluar.

Duke nxitur mërinë politike, zoti Trump dhe aleatët e tij vunë në dukje një vlerësim parazgjedhor të shërbimeve amerikane të zbulimit që konkluduan se Kina “preferon që Presidenti Trump – të cilin Pekini e sheh si të paparashikueshëm – të mos fitojë rizgjedhjen”.

Por zyrtarët të mërkurën këmbëngulën se ndryshe nga paraardhësi i tij, Presidenti Biden është në një “pozitë të fortë” për të kërkuar më shumë nga Kina në fushat që përbëjnë shqetësim, ndërkohë që mund të mbajë të hapur mundësinë e bashkëpunimit.

“Kanë qenë tre javë shumë aktive”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i administratës në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së bisedave.

“Po zhvillojmë operacione në dy drejtime në Detin e Kinës Jugore”, tha zyrtari. “Kemi kaluar përmes ngushticës së Tajvanit për të treguar përkushtimin tonë për të mos ndryshuar në mënyrë të njëanshme status quo-në kur bëhet fjalë për Tajvanin dhe tashmë me administratën Biden kemi filluar stërvitje detare dhe ushtrime të tjera ushtarake me partnerët kryesorë rajonalë”.

Zyrtarët gjithashtu thanë se megjithëse Departamenti i Mbrojtjes po bën një rishikim të forcave amerikane në të gjithë globin, nuk ka gjasa për një zvogëlim të forcave në rajonin Azi-Paqësor.

“Shikojmë një model sjelljeje që po shkakton vërtet shqetësim, të qetë dhe nganjëherë jo aq të qetë, mes miqve dhe partnerëve”, tha një zyrtar i dytë i lartë i administratës.

Të mërkurën, Pentagoni tha se grupi i ri i punës për Kinën do të punojë me shpejtësi, duke synuar të paraqesë brenda pak muajsh një seri rekomandimesh për të orientuar politikat e Uashingtonit ndaj Pekinit.

Zyrtarët e administratës së Biden kanë paralajmëruar më parë se nevoja për t’u përballur me Kinën shtrihet përtej sferave ushtarake dhe ekonomike, duke theksuar se Uashingtoni duhet të punojë me të njëjtin intensitet për të konkurruar me arritjet tregtare të Kinës në pjesën tjetër të botës.

“Kina në thelb po thotë se modeli kinez është më i mirë se modeli amerikan”, tha Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan gjatë një forumi virtual muajin e kaluar.

“Ata përmendin mosfunksionimin dhe ndasitë në Shtetet e Bashkuara duke thonë: Shikojeni. Sistemi i tyre nuk funksionon. I yni po”.

Zyrtarët amerikanë gjithashtu kanë ngritur vazhdimisht shqetësime në lidhje me spiunazhin industrial të Kinës, vjedhjen e informacionit biomjekësor dhe manipulimin e mundshëm të teknologjisë, si rrjetet celulare 5G.