Kush është mjeku kirurg i QSUT që ju gjetën në banesë 250 mijë euro dhe 160 milionë lekë

I përfshirë në mega-aferën e Gjykatës së Krujës, ku sot u arrestua gjyqtarja Enkeleda Hoxha dhe avokati Aldo Tabaku, është edhe mjeku i QSUT, Edvin Prifti. Policia ka gjetur në banesën e mjekut kirurg në QSUT, Edvin Prifti 250 mijë euro dhe 160 milionë lekë.

Gjatë një kontrolli në banesë dhe në zyrën e tij, SPAK i ka sekuestruar një shumë të madhe parash mjekut Prifti, që arrin në rreth 500 milionë lekë. Gazetarja Klodiana Lala zbardh për “BalkanËeb” detaje të reja mbi operacionin e SPAK, që sipas saj, mund të çojë pas hekurave edhe zyrtarë të tjerë, ditët në vijim, pasi ka dyshime që në këtë mega-aferë të jenë përfshirë edhe institucione të tjera.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se nga përgjimet e SPAK ka rezultuar që mjeku Edvin Prifti ka pasur kontakte me sekretaren e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi, të cilës i kishte operuar të ëmën, duke i marrë ryshfet.

Sipas gazetares Lala, shuma e madhe e parave e gjetur në banesën dhe zyrën e mjekut, përkatësisht 250 mijë euro dhe 160 milionë lekë të vjetra, ndryshojnë pozitën e mjekut Prifti, pasi ai do të duhet ta justifikojë atë, në të kundërt ndaj tij do të ngrihen edhe akuza të tjera.

“Duke qenë se SPAK kishte dyshime se mjeku është i përfshirë në afera korruptive, prokurori Altin Dumani ka urdhëruar kontrollin e të gjitha banesave të dyshuara për korrupsion, përfshirë edhe mjekun. Gjatë këtij kontrolli është sekuestruar shuma e madhe e parave, rreth 500 milionë lekë të vjetra, që do duhet të justifikohen nga mjeku.

Ai mund të pretendojë se këto para janë të ligjshme, megjithatë një shumë kaq e madhe i ka surprizuar oficerët e policisë gjyqësore, sidomos shuma e gjetur në zyrën e tij, pasi është e ndaluar që të mbahet një shumë aq e madhe në zyrë. Ky rast i korrupsionit, i hetuar në Gjykatën e Krujës, ka çelur një sërë çështjesh të tjera, që mund të sjellin arrestime në ditët në vijim, pasi ka dyshime për korrupsion në institucione të tjera”, tha gazetarja Lala.