Kur okulton opinioni, fiton “Shën Kalkulatori”

Zef ZEFI

Ndryshe nga shumë nga ata të cilët nuk hezituan që Nanon neo-elektoral ta fokusojnë me reflektorët e tyre të një “humbësi…” a “fituesi,” rilindas, nuk më duket se doli pa gjë. Sigurisht Nano zhgenjeu një pjesë ndjekësish në “Rrëfim i Rrallë” ku pritej një Nano qytetar ish politik apo jo politik, sepse siç u pa, intervista e Nanos rezultoi e anëshme dhe banalisht politike. Aspak një këqyrje jashtëpolitike e politikës.

Por në këtë kontekst, Nano që ka kryesuar afro 13 vjet PS (ndersa 16 vjet ky tjetri) konsiderohet lider historik i të majtëve, është i justifikuar. Siç është po aq i justifikuar të zgjedhë e ti përmbahet narrativës së vet, duke pothuajse injoruar atë se ka qënë dhe disa herë kryeministër i të gjithë shqiptarve, jo veç i partisë. Nëse “opinioni” zgjedh zvarritet madje ekzaltohet pas kësaj narrative, të gjithë janë të justifikuar, me përjashtim të gazetarit.

E mesmja me dhjeta, vetëkrahasimi me dogmatikët e byrosë politike që nuk dinin anglisht… dhe një shurrim adoleshencial në orën e fizkulturës, e zhvoshken pothuajse krejt fetishin “intelektualit” antikonformistit të amplifikuar jo vetëm nga të vetët. Gjithashtu kur politizoi në mënyrë të ulët vdekjen e s’ëmës, që dukej një plagjim me sajesën makabre të Rames, kur Gregu i babit… futej nën krevat prej kazanit të Mero Bazes, progresistin e propaganduar e çuan tek përshkrimi i autorit të “kurbanit” që përkon edhe me babin “in low” të Gregut: “…natyrë prej aventurieri gjysëm romantik e gjysëm marifetçi, i dashuruar me veten si askush…i pa lexuar, i vetësigurtë në shfaqje, i luhatur në brendi…, meskin i zellshëm.(shih Kurban) Po ta vazhdonte linjen më tej për divorcin e Rexhinës apo përzhitjen e zemrës nga flaka e Xhojit, patjetër do t’ja prokuronte PD agresive.

Përpjekja për ta shitur burgimin e tij si i ndërgjegjes…, do ta përligjte shumë justifikimin e liderit modern, po të bënte qoftë dhe një cekje të lehtë paraleles me mijëra shqiptarë shumë më intelektualë e anglisht folës se ai, të cilët partia “historike” i kish burgosur përpara e ndryshe prej tij, masakruar, torturuar, e grirë me plumba.

Ndersa kur këtë s’e bën as gazetari aq më pak ti kujtonte “viktimës” se hoxhë-thanasët e hoxhë-kristaqët viktimat e tyre, jo vetëm s’i lanë të shkonin në varrimet e prindërve, apo të ndertonin “new love story”, po edhe kockat ua zhduken, mjerimi i “opinionit” është i tmerrshëm.

Rrudhja e shëmtuar e liderit “historik” në një shërbëtor parcial të zhubrosur në favor të “ri-lindjes” ndonëse kundërthënës me gjithë cilësimet e tij të mëparshme deri përçmues për klientin, tani padronin Rama, e degjeneroi fare dhe atë pak elegancë që ia kishin ngecur me zor idealistet e simpatizantët e PS të pa rilindur. Kjo s’do mend ua preu krahët përfundimisht çdo iluzionisti të faktorit të majtë Socialist properëndimor, progresist e europeist brenda PS. Faktor që siç dihet rezistoi sa mundi mbas 2005 deri tek belbëzimet e fundit të bushatlliut-junior, pa e ditur se “kalkuluesi…” i kishte mallifikuar e paketuar për blerësin si “business personal.” Qesharak, paradoksal sidomos meskin deri në bërtitje, (marifetçi-sipas autorit Kurban) edhe në përpjekjen e tij “aberrante” prej kripto-ateisti për tu shitur si i krishterë. Kjo shi sepse të shtatë (sipas tij) mëkatet biblike, ua nënrenditi shtatëdhjetë herë kryefjalës së vet “fituese katarsiste” të hileqarisë bizantine, kalkulim dhe kal-kul-ator. Nano duke qënë një vegël e vjetëruar siç e vertetoi, i vlefshëm sa për magazinën e pluhurosur të antikuarjatit të politikës, apdejtuar keq e me nxitim për nevoja elektorale, nuk mungoi të shfaqë një dozë sinqeriteti që mund të konsiderohet dhe koherenca e tij inkonshiente:

Admirimi elektoral për pasardhësin Rama konsistonte në atë se po punonte me të gjitha mjetet… që Partia Demokratike të kthehet në një “…shoqatë jo politike…” Premtim të cilin ua kishte bërë vetë “progresistëve të armatosur” të 97-es, po që s’kishte mundur ta mbante për arsye të “agresivitetit” opozitar. Këtu dhe “artizani” më autodidakt i gazetarisë, nuk mund të mos përfitonte që përpara syve të “liderit historik,” të thirrte regjinë për insertin me titull: “Faji i opozitës…Foto e Shqipërisë politike nga Euro-Amerika Dhjetor 2020: 1- Eurostat; Shqipëria vendi më i varfër, me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë. 2- Departamenti Shtetit Amerikan: Shqipëria vend i pamundur për biznes-pengesë korrupsioni, kriminaliteti. -Shqipëria vendi i dytë në Botë për braktisjen e vendit. 3- Fondi Monetar Nderkombtar. Shqipëria e fundit për paketën e ndihmave për biznesin dhe papunësinë në rritje. 4-OKB: Shqipëria vendi kryesor i prodhimit e shpërndarjes së drogës. 5- International Transparency: indeksi i korrupsioni në rritje 6- OBSH: Shqipëria me nr me të ulët të mjekëve për banor. 7- Në 8 vjetë rilindje është festuar tre herë hapja e negociatave me Europën. Sot më larg se 30 vjet tranzicion ose barabar me 50 vjetëshin e parë socialist nga Europa. 8- Raport zyrtar i Kontrollit të Shtetit: Qeveria ka shpërdoruar pa adresë vetëm në 5 vite 6 miliardë Euro. Përballë kësaj foto-tabele që nuk është e opozitës “agresive,” Partia Historike nga 80 vjet, ka qeverisur plot 70 vjet.

Nga 30 vjet tranzicion, ka qeverisur 20 vjet. Na i bej dy llogari të thjeshta mbi këtë foto euroamerikane mister-kalkulator. Mirëpo Por kur ka zgjedhur të blofojë dhe okultojë në vend të informojë “opinioni” s’ka sesi të mos fitojë plaçkë “shën-kalkulatori,” nëse jo për reputacionin të paktën për qesen e tij.