Kashahu: Programi jonë për Turizmin do të çlirojë energjinë e biznesit drejt një turizmi cilësor, do përmirësojë ekonominë e Shqipërisë

PREZANTIMI I PROGRAMIT #SHQIPËRIA FITON PËR TURIZMIN, ARBEN KASHAHU

Të nderuar miq,
Programi ynë për Shqipërinë ka një qëllim: të projektojë ndryshimin për të cilin ka kaq shumë nevojë vendi.

Pas 8 vitesh dështimi të përgjithshëm e në cdo sektor, spikat dështimi në sektorin kryesor dhe jetik të Shqipërisë: Turizmi! Dhe jo për shkak të ndonjë fatkeqesie natyrore, por të qeverisë!

Pas 8 vitesh që shqiptarët dëgjojnë vetëm fjalë por nuk shohin asnjë vepër të realizuar, dëgjojnë probleme por jo zgjidhje, është koha që kjo të ndryshojë, është koha për ndryshim rrënjësor.

Larg premtimeve boshe apo një liste dëshirash, Lulzim Basha do ju paraqesë programin më cilesor të hartuar ndonjeherë për sektorin e Turizmit, i cili është rezultat i një sinergjie mes ekspertëve më të mirë të huaj dhe atyre vendas.

Është një plan gjithëpërfshirës, serioz dhe i realizueshëm. Një plan që do të zbatohet menjëherë pas fitores së zgjedhjeve të 25 Prillit.

Ky plan do përmirësojë ekonominë e Shqiperise, ekonominë e operatorëve turistikë, cilësinë e ofertës dhe shërbimeve në sektorin e turizmit.

Ky sektor si një ndër prioritetet më të mëdha te zhvillimit të qendrueshëm të vendit, do të marrë për herë të parë rëndësinë që i takon.

Të dashur miq,

Rama dhe qeveria e tij në 8 vitet e fundit kanë lënë pas dore turizmin duke atrofizuar potencialin tonë turistik.

Në vitin 2019, industria e udhëtimit dhe turizmit kontribuonte me rreth 1/5 e PPB-së dhe të ardhurat nga vizitorët e huaj kontribuonin në pothuajse gjysmën e eksporteve në Shqipëri.

Varësia kaq e konsiderueshme ndaj turizmit në Shqipëri, kërkonte politika agresive mbështetese për të siguruar një impakt të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm në ekonomi.

Në të kundërt, industria e turizmit është rrënuar dhe vendet e punës janë ulur.

– Niveli i punësimit në industri në fund të vitit 2019 është 4.15% e totalit. Ai është më i ulti në rajon, është më pak se gjysma e Malit të Zi.

Impakti i turizmit në ekonomi është i paoptimizuar.

– Të ardhurat mesatare për turistë prej 397$ janë më të ulta në rajon.

– Kohëzgjatja e sezonit turistik është sa gjysma e të gjitha vendeve fqinje duke shpërdoruar të gjitha burimet njerëzore, natyrore e kulturore në vend.
Industria e turizmit mbetet aspak konkurruese në rajon.

– Indeksi i konkurencës së industrisë së turizmit e rendit Shqipërinë në vendin e 86-të në vitin 2019.

– Për konkurencën e çmimeve, kryesisht lidhur me koston e të udhëtuarit për dhe në Shqipëri, Shqipëria renditet në vendin e 89-të, shumë më keq se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

– Përsa i përket aksesit ndaj burimeve kulturore dhe natyrore, Shqipëria renditet në vendin e 94 në vitin 2019 duke dëshmuar keqmenaxhimin në promovimin e burimeve kulturore.

– Lidhur me cilësinë e infrastukturës, Shqipëria renditet e në vendin e 88. Veçanërisht për infrastrukturën e transportit ajror, Shqipëria renditet në vendin e 105, shumë më poshtë se fqinjët me vetëm 40 fluturime direkte nga 19 vende.

– Kapacitetet akomoduese janë më të ulta në rajon, tre herë më të vogla se ato të Malit të Zi.

Në lidhje me politikat e ndërmarra dhe kushtet lehtësuese, sërish Shqipëria mbetet mbrapa vendeve të rajonit. Ajo renditet në vendin e 95-të.

– Në lidhje me lehtësinë e të bërit biznes, Shqipëria rënditet në vendin e 82-të, shumë më poshtë se vendet fqinje.

Programi jonë do të clirojë energjinë e biznesit drejt një turizmi cilësor, në harmoni me natyrën, të qendrueshëm dhe në pararojë të zhvillimit ekonomik të vendit.

Ne kemi punuar së bashku me Lulzim Bashën për të sjellë një program që do të dyfishojë vendet e punës në industri, do të diversifikojë ofertën turistike ku të gjithë aktorët e komunitetit të marrin pjesë, nga cdo cep i Shqipërisë, të të gjitha tipologjive të turizmit. Kjo për qëllimin e thjeshtë: të ofrojmë larminë e bukurisë dhe historisë që Shqipëria posedon dhe e karakterizon në rajon.

Ftoj Z. Lulzim Basha të prezantojë programin e turizmit.