Basha: Largimi i Edi Ramës do të thotë largimi i politikave të dështuara! Me taksën 9% më shumë para në xhepat e shqiptarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një interviste për Syri Tv me gazetarin Ermal Rizai, foli për programin e PD si dhe për një listë se kujt i duhet sekuestruar pasuria sipas ligjit Antimafia.

Gazetari: Zoti Basha, shumë faleminderit që pranuat këtë intervistë për Syri televizion!

Lulzim Basha: Kënaqësi!

Gazetari: Ju keni disa ditë që keni prezantuar planin ekonomik në kuadër të zgjedhjeve parlamentare, sa i zbatueshëm është ky plan dhe cilat janë kostot dhe benefitet për ekonominë shqiptare?

Lulzim Basha: Qëllimi i planit është shumë i qartë, 110 mijë vende të reja pune do të mundësohen vetëm kur Shqipëria të mundësojë një klimë biznesi, ku biznesi vendas dhe i huaj të investojë dhe të hap vende pune. Kjo sot është e pamundur. Hapi i parë, është largimi i Ramës. Hapi i dytë, është ulja e taksës. Taksa 9% do të thotë më shumë para për xhepat e shqiptarëve, do të thotë më shumë para për të investuar si për investitorët e huaj dhe investitorët e brendshëm. Por, po kështu ne do të mbështesim me kredi dhe grante speciale biznesin artizanal, do të mbështesim të rinjtë që kërkojnë sipërmarrjet e tyre, do të krijojnë pra një klimë biznesi e cila do të mundësojë mbi të gjitha që çdokush që ka talentin, ka dëshirën, ka vullnetin të ndërtojë një sipërmarrje apo të fuqizojë sipërmarrjen që ka duke punësuar më shumë shqiptarë, ta ketë qeverinë në krah dhe jo kundër siç është rasti sot.

Gazetari: Tek taksa e sheshtë 9% ka pasur replika mes jush por edhe zotit Rama edhe mes përfaqësuesve të tjerë të mazhorancës, sa i redukton të ardhurat e buxhetit të shtetit kalimi në këtë taksë?

Lulzim Basha: Është fare e qartë dhe Shqipëria shembull se si ku ka taksë të sheshtë të ardhurat e shtetit shtohen, përgjigja është fare e thjeshtë sepse me taksën e sheshtë formaliteti shtohet. Pra shqiptarët e kanë provuar tashmë se sa herë rriten taksat, ulen të ardhurat sepse shumë ndërmarrje krijojnë bilance të dyta. Me taksën e sheshtë 10% ne arritëm të mblidhnim 1.6 miliardë dollarë më shumë në dy vite dhe këto para i investuam për të rritur pensionet për të ndërtuar infrastrukturë, për të ndërtuar rrugë, për të përmirësuar jetën edhe cilësinë e shqiptarëve, për të rritur mirëqenien e tyre.

Ndaj taksa 9% do të ketë një funksion, rritjen e mirëqenies së shqiptarëve përmes dy mënyrave kryesore që do të thotë në radhë të parë më shumë para në xhepat e tyre që sot Edi Rama j’ua merr dhe u’a jep oligarkëve, monopoleve, koncesioneve dhe së dyti më shumë para për bizneset që të investojnë dhe investimi i bizneseve përkthehet në punësim, përkthehet në vende pune. Pra gjithçka është e zbatueshme dhe tërësisht e arritshme, është pjesë dhe fryt i një plani të mirëmenduar dhe të punuar me kujdes dhe në bashkëpunim e me dialog me biznesin, sipërmarrjen, me biznesin e vogël e të mesëm, me investitorët e huaj prej më shumë se dy vitesh.

Gazetari: Një prej premtimeve tuaj ose siç ju e quani ju angazhimeve tuaja është edhe hapja e 110 mijë vendeve të reja pune. Si do të hapen vendet e punës kur në Shqipëri mungojnë investimet e huaja prej vitesh por edhe kriza që ka shkaktuar pandemia covid-19 është një plagë e madhe dhe në shoqërinë shqiptare?

Lulzim Basha: Padiskutim që kemi ardhur në këtë situatë për shkak të keq qeverisjes dhe dështimeve tetë vjeçare të Edi Ramës. Kur të gjithë vende rreth e qark ulnin taksat, krijonin mjedis të përshtatshëm për investitorë e huaj në Shqipërinë e Edi Ramës investitorët e huaj përziheshin dhe vendet e punës mbylleshin. Ndaj është fare e qartë pa larguar Edi Ramën nuk mund të vijë ndryshimi. Por largimi i Edi Ramës në vetvete do të thotë largimi i këtyre politikave të dështuara, do të thotë që Shqipëria do të jetë konkueruese me taksën e sheshtë 9% do të thotë që Shqipëria të mundësoj potencialin e jashtë zakonshëm që ka ekonomia jonë të kthehet në investime dhe vetëm investimet mund të sjellin vende pune.

Pra është e qartë që kemi të bëjmë me dy përqasje krejt të ndryshme. Për 8 vite me radhë dështime, taksa të larta, përzënie të investitorëve të huaj, nuk ka një investim strategjik në 8 vitet e Edi Ramës. Investimet e fundit strategji që akoma punësojnë afro 70% të punësuarve në investimet e huaja u kontraktuan në 8-vjeçarin e fundit të Partisë Demokratike. Kjo është përqasja e Edi Ramës 8 vjet dështime. Përqasja e programit tonë është rikthimi i Shqipërisë në një vend atraktiv me taksa të ulëta, me ambient miqësor për biznesin dhe një synim të vetëm të përkthejë çdo masë të qeveris në vende pune për qytetarët. Ka funksionuar për Maqedoninë e Veriut, ka funksionuar për Kosovën, ka funksionuar pothuajse për të gjitha vendet e rajonit dhe jam i bindur që do të funksionoj për Shqipërinë e cila në vetveta ka potenciale shumë më të mëdha se çdo kush tjetër në rajon.

148431040

Basha1 5