Deklarata e fortë e anëtarit të Komitetit të Ekspertëve: Masat kufizuese i vendos Rama dhe Qeveria

Mjeku i njohur, Tritan Kalo, i cili është njëkohësisht anëtar i Komitetit të Ekspertëve, ka reaguar ndaj kryeministrit Rama, duke deklaruar se masat shtrënguese nuk i merr Komiteti i Ekspertëve, por qeveria dhe kryeministri.

Një ditë pas deklaratës së kryeministrit Rama, Kalo thekson se, Komiteti, ku ai është pjesë nuk ka asnjë fuqi vendimmarrëse, por këshilluese.

Anëtari i Komitetit të ekspertëve ka demaskuar në këtë mënyrë kryeministrin Edi Rama, i cili çdo masë shtesë ja atribuon Komitetit të ekspertëve, që sipas Kalos janë mbledhur vullnetarisht dhe jo si strukturë vendimmarrëse.

Pas deklaratës së kryeministri Edi Rama se vendimet për shtrëngim ose jo të masave të pandemisë i merr Komiteti i Ekspertëve ka reaguar edhe mjeku i njohur Tritan Kalo. Mjeku Kalo iu kundërpërgjigj kryeministrit duke pohuar se vendimet i merr ai dhe ekzekutivi, ndërsa Komiteti i Ekspertëve nuk ka fuqi vendimmarrëse, por këshilluese

‘Të vërtetat shpesh bishtnohen sepse ato janë ‘pak të idhta’, për veshët e individëve dhe organizmave vendimmarrëse në këtë vend, ose sepse me to abuzohet nga keqdashësit apo keqbërësit ndaj progres-sjelljes në këtë vend….

Duhet përfundimisht të kihet e qartë prej kujtdo se, Komiteti këshillon, Ekzekutivi vendos…. Mos abuzoni me togfjalëshin se ‘Komiteti i Ekspertëve vendosi që…’ Jepini Çezarit atë që i përket atij….E thënë shkurtazi e qartazi…. Together forever!!!’, shkruan mjeku Tritan Kalo.

Më tej Mjeku Tritan Kalo sqaron kompetencat e Komitetit të Ekspertëve, duke theksuar se ai është ndërtuar mbi vullnetarizëm dhe jo si strukturë për menaxhimin e situatës.

‘Më 31.01.2020 me një Vendim të Ministres së Shëndetësisë, u krijua Komiteti prej 11 Anëtarësh të fushave të ndryshme të Shëndetit Publik të kryesuar nga Zv. Ministria, për të debatuar e ndërmarrë iniciativa në Mirëmenaxhimin e Pandemisë së Sars-Cov2/ Covid-19….

Bëhet fjalë për një Komitet Këshillimor jo vendimmarrës sikundër pothuajse përditë abuzohet nga ekzekutivi dhe opozita….Këshillat e udhëzimet e këtij Komiteti ekspertësh që funksionon mbi bazat e vullnetarizmit, më pas diskutohen e kalojnë filtrin ligjor, ekonomik e social përpara se mbi bazën e tyre të merren vendime nga ekzekutivi…’, shkruan mjeku.

Jo vetëm kryeministri Edi Rama, por edhe sot Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, teksa komunikoi masat shtrënguese, theksoi se ky ishte një vendim u Komitetit të Ekspertëve.

Por ky reagim i Tritan Kalos një prej anëtarëve të Komitetit nxjerr zbuluar Edi Ramën dhe ministren Manastirliu për faktin se janë ata që i marrin vendimet dhe jo ekspertët.