Një apel pro primatiti të kritereve të Kopenhagenit

Genc POLLO

Përkrahësit e paktë të një zgjerimi të shpejtë të Bashkimit Europian drejt Ballkanit Perëndimor sjellin shpesh si argument rrezikun se mos fuqi të treta, jo miqësore ndaj Europës e Perëndimit, hedhin rrënjë në këtë rajon. Përmes zgjerimit, sugjeron argumenti i tyre, zmbrapsen avancimet e Rusisë, Kinës Turqisë e disa shteteve arabe, të cilat kanë investuar prej kohësh politikisht, ekonomikisht e kulturalisht në këtë enklavë europiane.

Ndonëse problemi është real, po ashtu është edhe ekzagjerimi me të. Elitat politike ballkanike betohen rregullisht se synimi i tyre është integrimi europian dhe kur të vijë dita, anëtarsimi në BE. Po ashtu edhe sondazhet e opnioninit dëftejnë se shumica e popullsisë e përkrah këtë qendrim. Por unë druaj se ky arsyetim gjeopolitik kur fillon e bëhet ekskluziv dhe margjinalizon “Kriteret e Kopehagenit”, që përbëjnë themelin e anëtarsimit në BE, mund të bëhet kundraproduktiv e të vështirësojë integrimin europian.

Për kujtesë: “Kriteret e Kopehagenit”, të cilat janë kusht për çeljen e negociatave të anëtarësimi, mund të përmblidhen si të drejtat e njeriut e shteti ligjor, qeveri llogaridhënëse e demokratike, ndarja e pushteteve etj.

Shembullin më të mirë për sa më lart na e jep Edi Rama, i cili kur u emërua në ofiqin kryeministror në 2013 gëzonte një përkrahje të madhe nga BE e ShBA. Natyrisht që me prirjen e tij për imazh Rama përmes propagandistëve të tij do e shiste deri në tepri idenë sikur ai ishte i “përzgjedhuri” i Perëndimit. Kujtoni vizitën e kancelares gjermane në Tiranë dhe pyetjet e stisura ndaj saj (si dhe përgjigjen e saj të esëllt e madje shpotitëse). Nuk po llogaris këtu premtimet e tij pa kufij për integrim e anëtarësim në BE.

Më 30 janar, para një jave, Rama deklaroi se në lidhje me eksportet e mishit Shqipëria nuk duhet dhe nuk do të presë për tregjet e BE pasi ka mundësi më të mira në tregjet e Lindjes, të Turqisë e të Lindjes së Mesme. Teknikisht kjo deklaratë është e pakuptimtë pasi kuotat e eksportit të mishit në tregun e BE mbeten vit pas viti të papërmbushura dhe Shqipërisa është prej kohësh një importues neto i mishit.
Por në nëntorin e kaluar, Rama nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe të cilën me shpejtësi rrufeje e në shkelje të shumë rregullave parlamentare e ratifikoi në Kuvend shtatë ditë më pas. Në vijim e me të njëjtën shpejtësi, qeveria ka hartuar një ligj që lejon dorëzimin e portit kryesor tregtar të vendit, atij të Durrësit, tek kompania ‘Symphony Invest’ në formën e një PPP-je. Pa shkruar aty asnjë kusht, kriter, a procedurë. Për dyshimet se kemi përsëri një rast abuzimi të dëmshëm korruptivo-favoritist qe lindën sidomos pas darkës Nusreti lipset të merremi një tjatërherë.

Dy aktet e mësipërme shkelin Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, traktatin aktual me BE, që parashikon akses të kompanive evropiane në oportunitetet e tregut shqiptar dhe anasjelltas. Eurodeputetë shprehën në janar publikisht shqetësime dhe Komisioni Europian po e ngre çështjen zyrtarisht.
Zotit Rama kjo nuk i erdhi mbas midesë. Dhe ai filloi të fliste për tregje ekstraeuropiane për eksportin e mishit.

Në dy muajt e fundit Rama ka sulmuar shpesh e me fjalor tejet të ashpër BE për mungesën e solidaritetit me Ballkanin Perëndimor në furnizimin me vaksina anti Covid; pavarësisht një granti prej 70 milion Euro, të shpallur në dhjetor nga Komisioni Europian për të bashkëfinancuar blerjen e tyre. Ai i përsëriti akuzat edhe gjatë një vizite zyrtare në Ankara (Rama ka kultivuar një marrëdhënie personale me presidentin e atjeshëm dhe duket se ka gjetur edhe frymëzim për qeverisje “me dorë të fortë”). BE, veçanërisht Franca, reagoi ashpër e me indinjatë.
Qeveria Rama, ndryshe nga ajo e Beogradit, nuk negocioi në kohë me prodhuesit e vaksinave. Kundrejt premtimeve e mburrjeve se “ishte njish” realiteti po e tregon se me vaksinimin po mbetemi mbas Serbisë, Maqedonisë së Veriut e mbase edhe të tjerëve në rajon Meqë jemi edhe para zgjedhjeve i duhej edhe më shumë se kurrë një kokë turku. Por e veçanta e kësaj rradhe ishte se u shënjestrua BE-ja; me fjalor të pazakonshëm edhe për vetë Ramën!

Një sherr së fundmi është edhe më interesant: Rama qortoi ambasadorët e ShBA-së dhe Britanisë së Madhe për insistimin publik që partitë të kenë kandidatë të pastër (pa të shkuar penale) në listat e tyre dhe të respektojnë legjislacionin zgjedhor të reformuar (Delegacioni i BE-së iu bashkua dhe ai këtij qendrimi).
Ai u kujtoi ambasadorëve se zgjedhjet e Shqipërisë nuk ishin punë e tyre dhe se ai nuk mund të dinte nëse kandidatët socialistë do të thoshin të vërtetën për të kaluarën e tyre kriminale. Historia si Rama shpërbleu me ofiqe lloj lloj kriminelësh për sherbime elektorale e të tjera në vitin 2013 është e njohur: po ashtu dihet se presioni amerikan e detyroi te votonte ligjin e dekrimit; ligj të cilin ai e ka vënë shpesh në pikëpyetje në parim, ndërsa në praktikë e ka injoruar. Siç treguan kandidatët rilindistë edhe në vitin 2019.

Por konfrontimi më i madh me BE ndodhi vjeshtën e kaluar, kur Rama devijoi nga një reformë konsensuale e ligjit zgjedhor, reformë e cila ishte ndërmjetësuar në detaj nga diplomatët europianë, amerikanë e britanikë. Sapo zbuloi se të tjera rregulla do të favorizonin partinë e tij, ai ndryshoi në mënyrë të njëanshme ligjin dhe kushtetutën, duke mos marrë parasysh paralajmërimet nga Komisioni e Parlamenti Evropian, dhe disa qeveri evropiane.
Atij aq i bëri se kështu ndërmjetësit u ekspozuan si impotentë e të parëndësishëm; ose ndoshta ky ishte efekti anësor i dëshiruar: duke i treguar publikut vendas se kush është i forti i lagjes.

Dikur kryeministri Rama përdorte me shkathtësi disa ndërkombëtarë për të mbuluar kapjen e shtetit me hapa antikushtetues, korrupsionin e lartë dhe bashkëpunimin me botën e krimit. Ai instrumentalizoi heshtjen, ambivalencën e nganjëherë qëndrimin e tyre të gabuar për të ruajtur e shtuar pushtetin e tij përmes legjitimimit të jashtëm. “I am their son of a bitch, you know!”.
Tashti Rama po sherroset me disa syresh; por synimi i tij mbetet i njëjti: ruajtja e shtimi abuziv i pushtetit!

Por çfarë lidhje kanë terbietet e Edi Ramës me fuqitë e treta jo miqësore në Ballkan mund të pyesë një lexues.

Shqipëria mund të jetë vendi i Ballkanit Perëndimor ku anëtarësia aktuale në NATO dhe e ardhmja në BE gëzojnë mbështetjen më të lartë popullore. Kosova mund ta rivalizojë atë, çka e bën përsëri këtë një gjë tipike shqiptare.

Megjithatë, në mungesë të rendit demokratik dmth. të “Kritereve të Kopenhagenit”, çdo sundimtar i ballafaquar me kërkesat e brendshme dhe ato evropiane / perëndimore për llogaridhënie të qeverisë dhe zgjedhje të lira i ka tashmë mjetet e rrethanat që të tentojë jo vetëm t’i rezistojë presionit, por edhe të sinjalizojë rreshtime jo evropiane.

Kush mendonte se kjo ishte e mundur vetëm në Serbi, nuk e ka vëzhguar Kryeministrin e Shqipërisë që nga fillimi i vitit 2020. —-

Genc Pollo

Ish ministër e deputet

Artikulli është përkthyer e përshtatur nga ai i botuar në New Europe, Bruksel