Basha: Vota masive e shqiptarëve me 25 prill, historike për ndryshimin, Berisha, një vlerë për interesat e shqiptarëve

Gazetari: Zoti Basha, fillimisht ju falënderoj që e gjetët kohën për këtë bisedë!

Lulzim Basha: Kënaqësia ime!

Gazetari: Unë po e nis nga një debat i fundit që duket se po zhvillohen në distancë mes kryeministrit dhe ambasadores Kim që ka të bëjë me krimin dhe politikën, përfshirjen ose ndërlidhjen e këtyre të dyjave. Nga njëra anë kryeministri pretendon se partia nuk mund të jetë polici për kandidatët. Ka një diferencë në mendim Partia Demokratike me këtë qasje? Pra, a do të mbani ju përgjegjësi për kandidatët që do t’i prezantoni elektoratit?

Lulzim Basha: Ka një diferencë si nata me ditën. Ju e dini që Partia Demokratike mundësoi ligjin për dekriminalizimin kur nuk kishte votat në parlament, me ndihmën dhe presionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian. Edi Rama është kapur me presh në duar. Në 2013-ën kur solli 19 deputet me rekorde kriminale në parlament. Në 2015-ën kur kandidoi përsëri kandidat për kryetar bashkie me rekorde kriminale.

Në 2017-ën dhe së fundmi edhe në 2019-ën në procesin farsë, ku megjithëse nuk kishte kundërshtar politik përballë, siç e pa e gjithë bota dhe siç u turpërua Shqipëria për fajin e tij, prapë se prapë nuk hoqi dorë nga personat me rekorde kriminale. Ajo që po ndoshta sot është që Edi Rama po përballet dhe do të përballet me faturën e plotë të veprimeve të tij. Për shkak të përfshirjes së personave me rekorde kriminale, këto kanë qenë 8 vitet me dështimet më të mëdha të Shqipërisë, faturën e të cilave e kanë paguar shqiptarët. Kriza ekonomike, papunësia, emigracioni, janë rezultat i dorëzimit të vendimmarrjes politike te krimi i organizuar dhe të një grusht pushtetarësh të korruptuar. Kjo ka qenë beteja jonë kryesore.

Ky është sot shqetësimi më i madh i shqiptarëve dhe shqetësimi i partnerëve tanë strategjik jep jehonë pikërisht këtyre problemeve, këtyre shqetësimeve që ka tashmë e gjithë shoqëria. Edi Rama është i vetëm dhe më 25 prill do të paguaj faturën e 8 viteve të kriminalizimit të politikës që është një nga arsyet kryesore se pse sot Shqipëria është më e varfër, më e papunë, me kosto më të lartë jetë. Kjo është fatura të cilën Edi Rama do ta paguajë më 25 Prill, por është dhe dita kur shqiptarët do të çlirohen nga politika e kapur nga krimi dhe nga ku Partia Demokratike dhe unë personalisht zotohemi se do t’i japim një politikë të pastër nga krimi si parakusht për mirëqenien e çdo shqiptari dhe të gjithë shqiptarëve. Dhe pavarësisht bindjeve politike

Xhoi Malësia: E keni konsideruar si pengesën kryesore për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjithsesi ka zhvillime një paketë me përgjime publikuar fillimisht nga Televizioni Ora ka bërë bujë gjithashtu dosja 184 nuk po merr drejtimin e duhur drejt gjykimit. Fillimisht po çalon drejtësia në këto proçese dhe një pyetje meqë ka pasur akuza në drejtimin tuaj e njihni ju eurodeputetin Cesa?

Lulzim Basha: Shikoni është e kotë të shpjegojmë edhe një herë se sa herë Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij kapen me presh në duar përpiqen ta çojnë fajin diku tjetër edhe destinacioni i preferuar sigurisht jam unë dhe Partia Demokratike. Një gjë është fare e qartë, aleanca midis pushtetit dhe qeverisë në ikje dhe krimit të organizuar ka qenë e pandërprerë në këto 8 vite. Faturën e kanë paguar shqiptarët. Drejtësia patjetër që do ta bëjë punën e vet, do ta bëjë shumë më mirë…

Xhoi Malësia: E ka arritur deri tani këtë punë?

Lulzim Basha: Sigurisht që jo. Përndryshe do të shikonim, do të shikonim figurat kryesore të përfshira në këtë bashkëpunim para drejtësisë dhe prapa hekurave, por garanci që drejtësia do ta bëjë punë e vetë është fitorja e Partisë Demokratike dhe e koalicionit tonë më 25 Prill sepse ajo është dita kur dhe drejtësia do të çlirohet nga presioni që i bëhet nga Edi Rama dhe gjithë të tjerët që janë kapur po në këto afera.

Gazetari: Ju në dallim nga Partia Socialiste për herë të parë në Shqipëri sillni një sistem të ri të përzgjedhjes së kandidatëve. A ka qenë thellë sa duhet ky sistem? Ka dy kritika kryesore që të paktën fliten ne opinionin publik ku përfshihet kandidimi i një personi që ka qenë pjesë e komisionit vlerësues, gjithashtu shkarkimin, ose largimin, ose refuzimin nga baza e një kandidati që shkon pastaj si drejtues qarku?

Lulzim Basha: Jo, nuk mendoj se ka asnjë kontradiktë. Në rastin e Profesor Mark Markut komisioni ka mbaruar punë dhe ka qenë kërkesë pothuajse unanime e strukturave të Partisë Demokratike të Qarkut të Lezhës që ai të jetë një nga figurat kryesuese të fushatës atje çka ka çuar dhe në emërimin e tij si drejtues politik i qarkut. Edhe Profesor Tritan Shehu një pedagog i njohur, një mjek i njohur, një njeri që i ka kushtuar gjithë jetën e tij shërbimit ndaj qytetarëve po kështu është drejtues politik i qarkut të Gjirokastrës dhe është votuar, apo në procesin e votimit nga anëtarësia ka qenë një nga personat që dukshëm nuk është kontestuar pra ka gëzuar mbështetje nga anëtarësia. Pa diskutim vendimet përfundimtare sa i përket deputetëve i takojnë sipas statutit kryesisë dhe këshillit kombëtar.

Gazetari: Duke folur për deputetët një kuriozitet i madh i votuesve është pozicioni i Zotit Berisha. Ju si trajner i ekipit po them në thonjëza, do të keni nevojë për shërbimet e tij në 25 Prill dhe nëse po në cilin qark?

Lulzim Basha: Unë e kam bërë fare të qartë që është në dorën e Zotit Berisha nëse do të kandidojë dhe të kandidojë ku dëshiron të kandidojë. Zoti Berisha ka qenë dhe mbetet një vlerë dhe një aset i Partisë Demokratike, përvoja e tij është e jashtëzakonshme dhe është vënë gjithmonë në shërbim jo thjesht dhe vetëm të Partisë Demokratike por të demokracisë shqiptare dhe të interesit të shqiptarëve

Gazetari: Ju keni nevojë për të ende?

Lulzim Basha: Unë jam kryetari i Partisë Demokratike dhe unë kam nevojë për këdo që do të ndihmoj në një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri që funksionon për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për një grusht njerëzish. Pa pikë diskutimi në këtë betejë ndihem i privilegjuar pse jo i bekuar nga ndihma, vëmendja, këshilla, inkurajimi jo thjeshtë dhe vetëm i figurave të Partisë Demokratike por edhe i figurave të shoqërisë civile që shohin te Partia Demokratike instrumentin e zgjidhjes së krizës më të rëndë do të thoja unë dhe që ka përjetuar vendi në 3 dekada. Një krizë ekonomike, një krizë politike, një krizë besimi dhe që shikon te Partia Demokratike po kështu shpresën për rikthimin e normalitetit dhe nisjen e rimëkëmbjes ekonomike dhe stabilizimin të një Shqipërie që funksionon siç e thash për të gjithë shqiptarët jo për një grusht njerëzish që sot e trajtojnë si plaçkën e tyre.

Gazetari: Zoti Basha vini me një plan tejet ambicioz ekonomik. Ka pasur pikëpyetje gjithsesi mbi rrugën se si do të shkohet drejt realizimit të atyre premtimeve. Ju thoni që s’janë premtime..

Lulzim Basha: Nuk ka asnjë premtim në planin tim ekonomik. Ka një plan ekonomik i cili është produkt i një pune pothuajse dy vjeçare.

Gazetari: Mendon se duhet të jeni më i qartë tek ky plan?

Lulzim Basha: Kam qenë i hapur dhe mbetem i hapur për çdo pyetje unë dhe ekspertët e partisë demokratike por edhe ekspertët e tjerë që kanë kontribuar, mund t’ju them pa pikë ndrojtje që nëse do të fillonim të flisnim për planin ekonomikë të Partisë Demokratike do të na duhej të paktën dy orë e gjysmë pa asnjë ndërprerje për ta sqaruar nga fillimi deri në fund. Ajo që publiku ka parë dhe është prezantuar janë në mënyrë të përmbledhur pikat kryesore të këtij plani dhe rezultatet apo objektivat e realizimit të këtij plani. Padiskutim që ky është një plan i detajuar në çdo aspekt, edhe në formën e zbatimit ditë pas dite, javë pas jave muaj pas muaji.

Gazetari: Zoti Basha sa i përket bashkëpunimit në opozitë, ndjeheni disi në avantazh dhe e kam fjalën për ndryshimin e sistemit zgjedhor të cilësuar nga opozita në mënyrë të njëanshme. Pra, dy lista. Një, është zgjidhur kjo dilemë dhe sa i përket marrëveshjeve me aleatët. Çfarë po ndodh me ato?

Lulzim Basha: E rëndësishme është që koalicioni ynë është i bashkuar dhe i vendosur të realizojë peshën e misionit që kanë ngarkuar mbi shpatullat tona shumica dërrmuese e shqiptarëve. Në 25 Prill zgjidhja është e qartë, o me Edi Ramën dhe kundër Shqipërisë, o me Shqipërinë dhe kundër Edi Ramës. Dhe koalicioni ynë politik si dhe shumë faktorë të tjerë që nuk janë pjesë formale e koalicionit tonë politik, janë instrumenti i ndryshimit. Vota për koalicionin tonë, vota për Partinë Demokratike dhe aleatët tanë është rruga e duhur që të fitojë Shqipëria, që të fitojnë shqiptarët.

Gazetari: Një listë apo dy lista, kur do të marrë fund ky debat ?

Lulzim Basha: Nuk ka pikë rëndësie sesi vendimmarrja e cila ka të bëjë me aspektet teknike do të materializohet. Rëndësi ka që ne jemi një koalicion, kemi një qëllim dhe qëllimi është largimi i Edi Ramës dhe rikthimi i Shqipërisë në duart e shqiptareve.

Gazetari: Kur ju pyeta për zoti Berisha thatë që kishit nevojë për të gjithë, po për disa eksponentë apo kontribues ndër vite të PD-së, a keni nevojë zoti Basha ? E kam fjalën për zonja Topalli, zoti Patozi apo edhe shumë të tjerë.

Lulzim Basha: Kjo është një betejë ku gjithsecili prej tyre vendos rolin që ka. Çdo shqiptar me 25 Prill do të vendosë vendin në pozicionin që ka. Dhe pozicioni kurrë nuk ka qenë më i qartë, ose me Shqipërinë dhe kundër Edi Ramës ose kundër Shqipërisë dhe me Edi Ramën. Ata që kanë vendosur interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve mbi interesat e Edi Ramës apo dhe interesat vetjake kanë qenë dhe janë gjithmonë të mirëpritur.

Gazetari: Zoti Basha keni një padi ndaj zotit Veliaj dhe nga burimet thuhet që ju pretendoni që ai ka shpifur kurë ka thënë se ju jeni bërë me 4 shtëpi pas tërmetit se keni përfituar gjatë periudhës së gjatë fatkeqësisë së tërmetit dhe se keni ndërtuar pa leje, ka dhe akuza të njëjta dhe nga zonja topalli përse paditët vetëm zotin Veliaj mund ta bënit këtë me zonjën Topalli. A keni një koment për këto akuza?

Lulzim Basha: vetëm një koment, për 8 vjet kanë pasur të gjitha pushtetet, Edi Rama bashkë me Erion Veliajn dhe të gjithë ata që i shërbejnë sot kanë pasur më shumë pushtete se kushdo tjetër përveç Enver Hoxhës. E ku jemi sot? Ku jemi në raport me premtimet që ka bërë? 300 mijë vende pune, shëndetësinë falas, pandemia e nxori zbuluar në çfarë gjendje është shëndetësia. Prandaj tiret e qeverisë dhe kryetarja e qeverisë nuk kanë absolutisht asgjë tjetër për të dalë para shqiptarëve përveçse sulmet ndaj meje. Ndërsa unë siç e kam formimin tim sulmeve dhe shpifjeve i jam përgjigjur në rrugë ligjore dhe do të vazhdoj t’i përgjigjem në këtë mënyrë.

E rëndësishme është që nuk do të harxhoj asnjë sekond me këtë fushatë shpifjesh dhe sulmesh që është e vetmja gjë që do të dëgjojnë shqiptarët deri me 25 prill, por do të kem gjithë energjinë dhe fokusin tim të merrem me atë që është problemi i vërtetë i shqiptarëve, papunësia, kosto e jetës, që janë rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së taksave, i korrupsionit masiv të kësaj qeverie, i shkatërrimit të ambientit të biznesit, i përzënies së investitorëve të huaji dhunës ndaj investitorëve vendas, dhunës ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm, i keqtrajtimit të fermerëve shqiptarë, i braktisjes totale të grave dhe nënave shqiptare, i emigracionit si katastrofë kombëtare, këto janë problemet e shqiptarëve dhe s’mund të them unë probleme tjera, përveç problemeve të shqiptarëve. Kjo është arsyeja pse kërkoj votën për të qenë kryeministri i Shqipërisë dhe jo për tu marrë me të kaluarën, me ata që me 25 prill do të jenë me të drejtë, me vulën e shqiptarëve me votën e shqiptarëve e kaluara e këtij vendi.

Gazetari: Zoti Basha, a keni një koment për sondazhet që janë publikuar, të paktën për sondazhin e televizionit që unë përfaqësoj, duket sikur është një betejë e ashpër midis opozitës dhe mazhorancës pas 8 viteve në qeveri e ku nuk kanë munguar skandalet, beson se duhet të ishit disi më dominant?

Lulzim Basha: Nuk ka pikë diskutimi që sondazhi i 25 prillit, që është vota masive e shqiptarëve, do të tregojë një fitore të thellë, ndoshta të paprecedentë ose të krahasueshme me proceset më historike të këtyre 30 viteve. Sigurisht edhe ne kemi sondazhet tona të brendshme dhe e dimë fare mirë që opozita dhe partia demokratike, po shkon krejt një fitoreje të thellë, e shohim këtë në entuziazmin e njerëzve kur shkojmë e i takojmë, jo thjeshtë për t’iu kërkuar mbështetjen apo për t’iu shpjeguar programin dhe kujt nuk mjaftohen vetëm me diskutimet vetëm me dialogun pyetje përgjigje, po kërkojnë të kontribuojnë sepse e kuptojnë që beteja e 25 prillit nuk është thjeshtë dhe vetëm një betejë midis koalicionit tonë dhe një pushteti 8-vjeçar që e ka shkatërruar vendin dhe e ka shkatërruar ekonominë e vendit, por është betejë për ta, është betejë për familjet e tyre, ndaj edhe 25 prilli do të jetë dita e fitores së gjithë shqiptarëve, e familjeve të tyre, dita e fitores së gjithë Shqipërisë, jo thjeshtë dhe thellë dita e një fitoreje të koalicionit opozitarë dhe të Partisë Demokratike.

Gazetari: Zoti Basha, do të kujdeseni për barazinë gjinore në listat e zgjedhjeve, pamë një foto pas takimit tuaj me drejtuesit politikë të qarqeve, pamë vetëm 3 gra, mendon se do të reflektoni ndryshe në listat që do ofronit elektoratit?

Lulzim Basha: Pa pikë diskutimi Partia Demokratike i ka prirë gjithmonë betejës për barazi gjinor. Mos harroni ishim ne që propozuam 50% përfaqësimin e grave në këshillat bashkiakë. Problemi nuk është vetëm tek numrat, është tek mënyra se si i trajton gratë dhe vajzat shqiptare. Në qoftë se i merr për fasadë dhe pastaj i dhunon apo i vë si viktimat e para të politikave të tua, se politikat e Ramës shpopullimi, varfërimi, rritja e taksave, papunësia me të vërtetë rëndojnë mbi gjithë shqiptarët, por rëndojnë më shumë mbi nënat shqiptare dhe mbi gratë shqiptare dhe mbi motrat tona. Apo do të arrijmë ti promovojmë ato duke iu dhënë përgjegjësitë e duhura, duke i trajtuar si partnere të denja të rrugës për ndryshimin e Shqipërisë. Unë besoj tek e dyta. Dhe këtu padiskutim përgjegjësia e përfaqësimit të grave do të vazhdojë të dominojë në zgjedhjet që Partia Demokratik dhe unë personalisht do të bëjmë.

Gazetari: Dhe një pyetje të fundit më të lirshme të themi. Ju kemi parë aktiv në rrjetet sociale, ju duke gatuar, pra keni shfaqur anën familjare tuajën. Mendon se ka munguar deri tani ne profilin tuaj publik dhe përse në këtë moment?

Lulzim Basha: E vërteta është që unë të paktën në krahasim me politikanët në tërësi, por edhe me politikanët në Shqipëri jam më i rezervuar për sa i përket jetës time private, ndërsa ndryshimi për ndryshimin ju si media që tregoni kaq shumë interes nuk duhet të më falenderoni mua, duhet të falenderoni time shoqe të paktën deri tani.

Gazetari: Mirë po e mbyllim me një përshendetje. Zoti Basha ishte kënaqësi!

Lulzim Basha: Kënaqësia e imja! Faleminderit shumë!