Jo vetëm Pipero, infektohet me Covid-19 një tjetër mjek, ndonëse i kishte marrë të dyja vaksinat

Një tjetër mjek është infektuar me Covid-19, ndonëse i kishte bërë të dyja vaksinat anti-Covid. Mësohet se mjeku është i spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe pas testimit ka rezultuar pozitiv për Covid, vetëm pak ditë pasi kishte marrë dozën e dytë të vaksinës Pfizer.

Sipas informacioneve të para, mjeku është vaksinuar dhe infektuar në harkun kohor të një jave, ndërsa gjendja e tij momentalisht paraqitet e qendrueshme.

Ekspertët e mjekësisë kanë deklaruar se është e nevojshme që të merren dy doza të vaksinës në mënyrë që trupi të fillojë të krijojë antitrupa ndaj virusit.

Por megjithatë ekziston një mundësi shumë e vogël (5% e rasteve) që edhe pas vaksinimit, persona të caktuar të mos fitojnë imunitet.

Në fillimin e kësaj jave në vendin tonë janë konstatuar dy raste të infektimit me Covid, të dy qytetarëve që ishin përballur me virusin edhe gjashtë muaj më parë.

Qytetarët janë një 40 vjeçar dhe një 50 vjeçar nga qyteti i Shkodrës.

Nuk bëhet e ditur nëse rastet e shfaqura për herë të dytë janë me simptoma më të rënda se në herën e parë kur qytetarët janë përballur me Covidin.

Më parë u infektua me Covid-19 edhe mjeku Pëllumb Pipero pasi kishte bërë vaksinë e parë anti-Covid.