Jeta e njerëzve s’përbën asnjë shqetësim përballë babëzisë së Ramës për pushtet personal

Nga Kastriot ISLAMI

Që Rama është i paaftë e dështak në menaxhimin e krizës sanitare, kjo dihej. Këtë e ka deklaruar me fakte e prova Fondacioni Forbes. Që Rama është i papërgjegjshëm edhe kjo dihej. Që Rama mashtron me testimet e vaksinat edhe kjo dihet. Që Rama ka tentuar prej dhjetë muajsh të përdorë krizën sanitare për qëllime politike dhe kjo dihet. Mund të numuroj një listë të gjatë të sjelljeve të Ramës lidhur me menaxhimin e krizës sanitare.cPër të gjitha këto shumica e shqiptarëve, mbi 2/3, tashmë s’kanë më asnjë dyshim se jeta e shqiptarëve është rrezikuar kryesisht nga veprimet e mosveprimet e Ramës dhe të qeverisë së tij. Këto janë një “bashkësi arsyesh” revoltuese për shqiptarët të cilat i kanë bashkuar në angazhimin e tyre për largimin e “aleancës së qelbësirave”…

Vetëm në 8 ditët e para të shkurtit 2021 kanë rezultuar të infektuar nga COVID-19 mbi 8160 (shifra “zyrtare” me shumë gjasa shumë është më e ulët sesa shifra reale), duke e vendosur Shqipërinë në vendin e parë në Europë përsa i përket infektimeve për frymë. Kjo shifër prej 8162 është më e lartë se shifra e shënuar në mbi 165 ditët e para të pandemisë nga data 9/03/2020 deri në 21/08/2020. Kjo shifër vjen nga fakti se në 8 ditët e para të shkurtit 2021, kanë rezultuar të infektuar mbi 1000 qytetarë/ditë. Kjo është një shifër e frikshme e infektimeve nga COVID-19.

Po ashtu në 8 ditët e para të shkurtit 2021 kanë rezultuar 92 viktima nga COVID (shifra reale mund të jetë ndoshta disa hëre më e lartë sesa “shifra zyrtare”). Edhe kjo është një shifër shumë e lartë për frymë popullsie, nga më të lartat në Europë dhe në Ballkanin Perëndimor. Vetëm gjatë mbi 125 ditëve të para të pandemisë, nga data 9/03/2020 deri në 12/07/2020 janë shënuar po aq viktima nga COVID-19 se në 8 ditët e para të shkurtit 2021. Numri mesatar ditor i vdekjeve gjatë këtyre ditëve të para të shkurtit ka qënë rreth 11,5 viktima/ditë…

Rama s’e can kokën fare për këtë gjëndje të shqiptarëve të varfëruar në ekstrem dhe të pamundur për të përballuar një pandemi kaq të rëndë e vrastare për njerzit më të dashur të familjeve të tyre…Për këtë gjëndje që ka krijuar trauma e drama të tmerrshme në shumë familje shqiptare. Por mendon vetëm për pushtetin e tij personal.. Jeta e njerzve të thjeshtë duket se edhe më parë, s’përbën asnjë shqetësim për të përballë babëzisë së tij për pushtet personal. Duket madje se kjo rritje e infektimeve dhe e vdekjeve e “lumturon” sepse mendon ta keqpërdorë kundër opozitës duke “vrarë demokracinë” dhe duke “hedhur në erë” fushatën zgjedhore përmes masave “drastike” për të penguar opozitën të bëjë fushatë normale elektorale meqë ai vetë dhe të gjithë kandidatët e tij s’janë në gjëndje të takohen me zgjedhësit që e urrejnë masivisht Rilindjen…