79 persona humbën jetën nga virusi vetëm brenda një jave

Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës, tregojnë se vdekjet u ngjitën në 79 persona që humbën jetën, 14.5 përqind më shumë se një javë më parë (26 Janar – Shkurt) , ose niveli më i lartë që pas javës së tretë të muajit dhjetor. Dita me më shumë viktima ishte 5 Shkurti, kur u rregjistruan 15 vdekje. Ndërsa në 24 orët e fundit u njoftuan për 12 të tjera: 5 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Kuçova, 2 qytetarë nga Kavaja, 1 qytetar nga Vlora, 1 qytetar nga Berati, dhe 1 qytetar nga Shkodra, të moshave 54 -76 vjeç.

Rastet e reja kapën një rekord javor me 7297 të prekur, ose një mesatare ditore prej 1042 të infektuarisht. Krahasuar me javën pararendëse bëhet fjalë për një rritje prej 18 përqind. Shtimi i rasteve ka ecur paralelisht dhe me një numër më të lartë testimesh, 28.227 tamponë (+14.1 përqind), ose një mesatare ditore prej 4032 testimesh. Megjithatë, gjatë javës së fundit pozitiviteti shënoi sërish një rritje, duke u ngjitur në kuotën e 25.8 përqind, nga 24.9 përqind, gjë që dëshmon një përkeqësim të situatës. Pozitiviteti (raporti mes tamponëve dhe rasteve të konfirmuara) është tregues i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Në 24 orët e fundit, numri i të infektuarve rishtazi, ra nën kuotën e 1 mijë rasteve të rregjistruara thuajse gjatë gjithë javës së fundit. Ministria e Shëndetësisë njoftoi për 953 raste të reja. Por kjo duket se i dedikohet vetëm uljes së testimeve, duke qenë se pozitiviteti ishte më i lartë se mesatarja javore, duke kapur nivelin e 27.3 përqind.

Rastet e reja u konfirmuan në 44 bashki të vendit: 372 raste në Tiranë, 145 raste në Durrës, 83 raste në Vlorë, 48 raste në Elbasan dhe Sarandë, 33 raste në Gjirokastër, 29 raste në Fier, 22 raste në Korçë, 13 raste në Kukës, Berat, Mat, 12 raste në Kavajë, 9 raste në Shkodër, Tepelenë, 8 raste në Lushnje, Vorë, 7 raste në Peqin, 6 raste në Kurbin, Lezhë, Mirditë, Kolonjë, Gramsh, 5 raste në Kamëz, 4 raste në Librazhd, Pogradec, Bulqizë, Kuçovë, 3 raste në Mallakastër, Dibër, Skrapar, 2 raste në Krujë, Tropojë, Delvinë, Fushë-Arrëz, Malësi e Madhe, Cërrik, Lobohovë, dhe 1 rast në Devoll, Has, Vau i Dejës, Belsh, Roskove, Klos, Poliçan.

Java e fundit shënoi po ashtu një shtim të ndjeshëm të personave të cilët u detyruan t’i nënshtrohen trajtimit në spitale. Ndërsa java pararendëse u mbyll me 365 të shtruar, të dhënat e ditës së sotme flasin për 449 pacientë. Po ashtu, dhe ata që janë në gjendje kritike janë më të shumtë, me 21 në terapi intensive dhe 15 të tjerë të intubuar, deri pasditen e të hënës.

Që nga fillimi i pandemisë Shqipëria rregjistron 86.289 raste pozitive nga të cilat 32.689 janë ende aktive, ndërsa numri i viktimave është në total 1472 vdekje.