T’i besosh fuqisë së të rinjve dhe të grave në Shqipëri!

Dr. Sonila DAIU
Sekretare e Çështjeve Zgjedhore Dega e PD Elbasan

📍T’u besosh fuqisë së të rinjve dhe të grave në Shqipëri, një shembull qytetarie nga grupi i Partisë Demokratike.

T’u besosh fuqisë së të rinjve, të grave dhe vajzave të një vendi do të thotë të ecësh me hapa të sigurtë drejt një shoqërie më të mirë. Dhe për këtë ka disa arsye shumë të thjeshta. Janë të rinjtë ata që përcjellin një vizion ndryshe, më të orientuar drejt së ardhmes, janë ata që kanë dedikimin e palodhur për të kapur mundësitë për të punuar për përmirësimin e jetës së tyre dhe njerëzve që i rrethojnë. T

ë rinjtë historikisht kanë qenë pjesë e evolucioneve, ndryshimeve thelbësore të sistemeve politike dhe ekonomike. Nga ana tjetër, pjesëmarrja aktive e vajzave dhe grave në vendimmarrje sjell vlera të dukshme për demokracinë sidomos lidhur me përgjegjësinë sociale dhe barazinë gjinore.

Por që këta të rinj, vajza e gra të sjellin ndryshimin, duhet mbështetur në sfidat e tyre. Fatkeqësisht janë ata që shpesh përballen me varfërinë, barrierat në edukim, diskriminimin social dhe ekonomik, dhe mbi të gjitha me një mungesë hapësire ku zëri i tyre të dëgjohet. Ndaj është e nevojshme që t’u gjendemi pranë, të shohim vendin tonë nga sytë dhe eksperiencat e tyre, të dëgjojmë për problemet me të cilat përballen çdo ditë, t’u japim zë propozimeve dhe zgjidhjeve të tyre.

Nuk mjafton vetëm një grup të rinjsh aktivë apo një grup grash në politikë: duhet t’u gjendemi pranë çdo qytetari në çdo skaj të Shqipërisë. Shembulli më i mirë për këtë kanë qenë pikërisht grupi i të rinjve dhe grave demokrate që po trokasin derë më derë në qytetin e Elbasanit dhe më gjerë, në çdo cep të Shqipërisë.

Derë më derë, për t’i kushtuar kohë çdo qytetari dhe për t’i dhënë prioritet zgjidhjes së vështirësive që ata kalojnë çdo ditë. Si shpessherë, jemi dëshmitarë të anëtarëve të Partisë Demokratike që janë një model qytetarie, një model i qeverisjes me popullin, për të.

Sistemet politike që kanë rezultuar të suksesshme janë pikërisht ato gjithëpërfshirëse që kanë konsideruar jetën dhe sfidën e çdo njeriu për të punuar për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.