Shqipëria ndodhet në mes të emergjencës më të madhe shëndetësore të të gjithë kohërave!

Nga Erion DASHO

STATUSI I FUNDJAVËS, 6.02.2021

BETEJA PËR SHËNDETËSINË: OPOZITA 1 – QEVERIA 0

Shqipëria ndodhet në mes të emergjencës më të madhe shëndetësore të të gjithë kohërave e cila tashmë është kthyer në një tragjedi njerëzore.

Për koincidencë, vendi ndodhet edhe i mbërthyer në një fushatë elektorale ku forcat politike duhet t’u mbushin mendjen qytetarëve se e meritojnë t’i drejtojnë dhe qeverisin përgjatë katër viteve të ardhme.

Në të gjithë botën, kjo përkthehet në ekipe që dalin dhe shpalosin idetë e tyre të materializuara në programe elektorale dhe qeverisëse, ndërkohë që qytetarët dëgjojnë, gjykojnë, peshojnë dhe në fund zgjedhin.

Java që po mbyllet nisi me prezantimin e programit të opozitës për shëndetësinë, një program i cili prekte disa prej shtyllave bazë ku mbështetet ofrimi i shërbimeve shëndetësore.

Personalisht, vlerësova si tepër pozitive një prej ideve të shpalosura.

Në përgjigje të problemit më të madh që ka sot shëndetësia shqiptare, atij të emigrimit të bluzave të bardha dhe skenarit afrikan të 1 mjeku për 1 mijë banorë, opozita propozon rritjen e pagës së personelit mjeksor në nivele dinjitoze dhe ngritjen e një universiteti mjeksor. Kjo nuk është një zgjidhje “alla-shqiptarçe”; e kanë aplikuar mjaft vende si të zhvilluara, ashtu edhe thellësisht të prapambetura dhe kanë patur sukses.

Disa zhurmues me patentë të asocijuar pranë qeverisë e sulmuan menjëherë racionalitetin e kësaj mase duke hedhur dyshime mbi mundësinë e realizimit të saj. I njohur nga media me kundër-argumentet e tyre, ato m’u dukën nihiliste dhe të nisura nga pozitat e një administrate që tashmë është dorëzuar përballë katrahurës që ka krijuar me sistemin shëndetësor. Me sa duket, në mungesë të vizionit reformues, “programi” i qeverisë duket se do të jetë anatemimi i programit të kundërshtarit.

Këtë nuk mund ta bëjë dot, të paktën për sa i takon ngritjes së një universiteti të ri mjeksor në vend! Vizioni opozitar për ngritjen e universitetit mjeksor është i drejtë dhe adreson nevojat! Madje opozita mund të kishte shkuar edhe më larg. Jo një, por tre ose katër spitale rajonale mund të marrin status të plotë universitar dhe të planifikojnë ofrimin e studimeve në degën e mjeksisë së përgjithshme duke nisur nga viti shkollor 2022-23.

Durrësi, Shkodra, Elbasani, Vlora, Fieri dhe Korça, një pjesë e të cilëve tashmë janë qytete universitare, me spitale rajonale të lidhur prej vitesh me fakultetet e infermierisë, e kanë kapacitetin të shndërrohen në spitale të mirëfilltë universitarë duke pritur edhe fakultete të mjeksisë së përgjithshme.

Që kjo masë të realizohet, nevojitet ndërmarrja e disa hapave të shpejtë:

Së pari, ngritja e menjëhershme e grupeve të punës që do të hartojnë studimet e fizibilitetit. Studime të tillë kërkojnë gjashtë deri nëntë muaj për t’u realizuar dhe sigurisht që do të dalin në fund me një plan veprimi dhe një faturë financiare.

Së dyti, në varësi të gjetjeve dhe rekomandimeve të studimeve të fizibilitetit duhet të identifikohen universitetet e ardhshme mjeksore të cilat duhet të krijojnë partneritet ose binjakëzim me universitete prestigjioze ndërkombëtare. Korça me Selanikun apo Athinën, Vlora ose Durrësi (ose të dy bashkë) me universitete italiane, Shkodra me universitete në Austri apo Gjermani, etj. P.sh. partneriteti i spitalit të Durrësit me Spitalin Universitar të Pizës është i gatshëm dhe thjesht ka nevojë të rigjallërohet.

Së treti, duhen parashikuar burime financiare në formën e një granti për ngritjen e strukturës dhe hartimin e kurrikulave, pagesën fillestare për mobilizimin e partnerit të huaj universitar dhe krijimin e një fondi bursash për financimin e një numri të garantuar studentësh për çdo vit shkollor.

Në degë të tilla, pagesa për një vit shkollor shkon të paktën 5 mijë euro në vit për student. Për të krijuar një kohort prej rreth 50 studentësh për fakultet dhe duke supozuar se do të ngrihen tre ose katër fakultete mjeksie, duhet parashikuar një financim vjetor rreth 1 milion euro vitin e parë, i cili do të rritet gradualisht për të arritur në 5-6 milionë euro në vitin 2028-29 kur edhe do të diplomohen 100-150 mjekët e parë. Për një shtet si Shqipëria, kjo kosto është e papërfillshme në raport me përfitimet dhe rrugëdalja e vetme për të kapërcyer impasin aktual.

Së fundi, universitetet mjeksorë kanë nevojë për spitale të rinj rajonalë. Asnjë prej spitaleve ekzistues nuk i plotëson kushtet e një spitali universitar. Ndërsa për 2 ose 3 vitet e parë, partneriteti me universitetet që ndodhen në të njëjtin qytet do të sigurojë auditorë dhe dhoma mësimi, me nisjen e praktikës së mirëfilltë klinike, do të kërkohen spitale bashkëkohorë, me infrastrukturë dhe teknologji që përputhet me kërkesat e një spitali terciar universitar.

Ndërtimi i spitaleve rajonalë ka një kosto të rangut 100 deri 200 milionë euro për spital. Në një status pasardhës do të diskutoj mundësinë e financimit të tyre pa prekur buxhetin aktual të shtetit shqiptar.

Avantazhi kryesor i kësaj pike të programit të opozitës qëndron tek fakti se fakultetet e mjeksisë dhe spitalet universitare do t’u shërbejnë paralelisht dy qëllimeve madhore: (1) rritja me gati 40% e kapaciteteve aktuale trajnuese dhe gati dyfishim i të diplomuarve në mjekësi dhe (2) përmirësimi i cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe adresimi i nevojave të anashkaluara të qytetarëve dhe pacientëve. Studimet e fizibilitetit do të identifikojnë edhe shumë përfitime të tjera, disa direkte dhe disa indirekte.

Si përfundim, me propozimin për ngritjen e universiteve mjeksore si një masë prioritare pas zgjedhjeve të prillit, opozita ka adresuar drejt një nga nevojat më emergjente të sistemit shëndetësor shqiptar.

Për mendimin tim, ajo ka shënuar edhe golin e parë në betejën elektorale të 25 prillit.

Opozita 1 – Qeveria 0