Aktori i njohur: Basha është i qetë, i sinqertë, artikulon bukur! Rama duhet të thotë, “kaq mundësi pata” dhe të largohet!

Aktori i njohur, Bujar Asqeriu, i ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24”, u pyet për dy kandidatët për kryeministër, Rama dhe Basha.

Asqeriu thekson se, sot 40 për qind e shqiptarëve jetojnë në varfëri, duke shtuar se tek Basha sheh qetësi dhe sinqeritet.

“Unë as nuk e kam takuar asnjëherë Bashën, kurse me Ramën kam luajtur film. Asnjë bisedë nuk e kam bërë, por kam bindjet e mia dhe nuk më ushtron dot presion. Unë merrem me njeriun, sa shikon ky njeri, mënyrën si mendon ky njeri, ky tallet me ne apo jo. Duhet të jetë i sinqertë, mos i gënjejnë shqiptarët.

40 për qind e shqiptarëve jetojnë në varfëri, boll më. Unë shikoj tek Basha, më pëlqen qetësia. Basha është i qetë, artikulon bukur, më duket i sinqertë. Shqipërinë nuk e ndryshon një njeri, janë stafe të tëra dhe secili duhet të bëjë punën e tyre. Sot, njerëzit në zyra qëndrojnë këmbë mbi këmbë. Politikanët duhet të tregojnë xhepat. Të fitojë zotësia”, tha Asqeriu.

Bujar Asqeriu vlerësoi se vendi ka nevojë për rotacion politik.

“Rotacioni politik i bën shëndet dhe është jetik për fatet e vendit. Ne kemi shikimin euro-atlantik, përse Amerika dy mandate e mban presidentin dhe pastaj largohet. Kjo sepse pushteti më pas bëhet qëllim për vetveten, kur dashurohesh me pushtetin aq shumë sa bën dëm. Karrigia është e shtetit, jo e individit. Kryeministri duhet t’i thotë kaq mundësi pata dhe do ia lë, se shqiptar është edhe ai tjetri. Unë kam mbështetur shpirtërisht kauzën e çështjes çame, sepse ndjej kauzën e tyre, vrasjet nga grekët. Këta nuk janë Rilindas, rilindas ishin ata kapedanë që nuk i mblodhi asnjë parti, por i thirri vendi, që hodhën në det Italinë. Ne duhet të vëmë edhe urat vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë”, u shpreh Asqeriu.