Perëndimi e ka futur në karantinë këtë kryeministër

Nga Red VARAKU
Perëndimi ka filluar një ofensivë të drejtpërdrejtë kundër kryeministrit shqiptar të maskuar nën retorikën e mospërfshirjes së kandidatëve me të shkuar kriminale në listën e kandidatëve për deputetë duke shënjestruar kështu problemin më të madh të kësaj mazhorance lidhjet e saj me krimin.
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, bëri thirrje publike disa herë me rradhë të mos kandidohen persona me rekorde kriminale, duke theksuar faktin që kjo nuk është më thjesht një këshillë apo sugjerim, por është një detyrim që rrjedh si pasojë e angazhimeve të Shqipërisë në raport me aleancat ku bën pjesë.
Ambasadori Britanik gjithashtu i rikujtoi kryeministrit shqiptar detyrimet që ai duhet të përmbushë në lidhje me angazhimet e tij si palë në zgjidhjen e krizës së rëndë ku ndodhet vendi, për të cilën Britania ishte ndërmjetësuesja kryesore, gjë që solli dhe reagimin prej frikacaku të kryeministrit shqiptar.
Ambasadorja franceze ka shprehur prej kohësh shqetësimin e saj në lidhje me qëndrimin jokorrekt që po mban ky kryeministër në raport me BE-në, sidomos në lidhje me retorikën e tij kundër BE-së për shpërndarjen e vaksinave dhe përpjekjet e tij për të shantazhuar BE me qëndrimet e tij antiperëndimore.
Kurse qëndrimi i Koordinatorit për Politikën e Jashtme dhe Zgjerimin në Parlamentin Europian Michael Gahler ishte edhe më i ashpër.
Ai kritikoi qeverinë në Tiranë për qëndrimin e tij jomiqësor ndaj Bashkimit Europian. Duke iu referuar Turqisë, Gahler i kujton Ramës se duhet të ketë kujdes me pazaret joeuropiane dhe me shtete jomiqësore ndaj Europës. Njëkohësisht ai i kērkoi kryeministrit shqiptar të përmbushë detyrimet e tij si një kryeministër i një vendi që synon Perëndimin.
Indiferenca e kryeministrit në raport me këto paralajmërime prodhoi dhe kërcënimin real të Perëndimit nëpërmjet Ambasadorit italian, i cili njoftoi zhvillime të rëndësishme në lidhje me hetimin e lidhjeve të Ndranghetes ne Shqipëri, ku thuhet se janë përfshirë zyrtarë të lartë të administratës shqiptare deri tek krahu i djathtë i kryeministrit, kryetari i bashkisë së Tiranës apo dhe ministra dhe ish-ministra të rëndësishëm.
Zhvillimet e reja të përfshirjes së SPAK në këto hetime dëshmojnë se presioni Perëndimor ka kaluar nga nivel deklaratash dhe kritikash në veprime konkrete si kërcënim i hapur ndaj tentativave antieuropiane të kësaj qeverie.
Pra, SHBA dhe BE janë hedhur në sulm kundër kësaj qeverie pikërisht dy muaj para zgjedhjeve dhe kjo është e paprecedentë.
Por, i paprecedentë është dhe reagimi kryeministrit, i cili po i bën një karshillëk të qartë qëndrimit të Perēndimit rreth mënyrës se si duhet të reflektohet në lidhje me kandidimin e figurave me të shkuar kriminale.
Në vend që të reflektojë Rama po ndjek një linjë të qartë të denigrimit të këtyre përfaqësuesve në publik. Fakti që Rama ka nisur një fushatë të denigrimit të tyre tregon qartë profilin e njeriut që po i kundërvihet me çdo mjet asaj çfarë diplomacia perëndimore mendon për të.
Por ajo që nuk fsheh dot Rama nga kjo ofensivë, është fakti se prej 2019 ai është një udhëheqës në karantinë prej diplomacisë perëndimore. E vërteta e hidhur për Ramën është se nga leximi tërësor i deklaratave të perëndimorëve, ai është një udhëheqës politik, të cilin Perëndimi nuk e beson më.
Dhe këtë nuk e mohon dot njeri, pasi kjo është e gdhendur në çdo rresht, çdo paragraf dhe çdo qëndrim të diplomatëve perëndimorë në Tiranë për të.
Menjëherë pas përfshirjes së tij në projektin e ndarjes së territoreve, ai është vënë nën shënjestër prej Perëndimit, sidomos prej Gjermanisë. Në fakt, kjo e vret atë më shumë se gjithçka.
Dhe nëse doni ta lexoni sa shumë i ka dhembur mosbesimi perëndimor shikoni reagimin e tij kundër tyre vetëm dy muaj para zgjedhjeve, që në fakt nuk mund të konsiderohet thjesht reagim kundër, por vetëvrasje politike, sepse përforcon perceptimin që ai jo vetëm nuk e ka më mbështetjen perëndimore, por është në luftë me Perëndimin.
Në gjuhën e përdorur prej tij kundër përfaqësuesve të Perëndimit kishte një lloj hakmarrje dhe karshillëk të vërtetë prej burreci ndaj atyre që fatkeqësisht e kanë mbajtur në pushtet deri tani.
Është pikërisht ky makth, ky mosbesim që ai ndjen në Perëndim, ajo që e bën të jetë përditë aktiv për të deformuar çdo gjë që ata thonë e shkruajnë për të.
Makthi i tij i vërtetë nuk është më a do të largohet apo jo, por fakti që ai nuk e di se si do jetë fati i tij si politik ashtu dhe njerëzor. Pikërisht këtë makth kërkon të fshehë , por sa më shumë përpiqet, aq më shumë e nxjerr më në pah.