Efektivja e policisë qëllon me shuplakë një vajzë në rrugë, Këlliçi publikon videon: Nuk flasin asnjë gjuhë tjetër përveç dhunës!

Kryetari i FRPD, Belind Këlliçi ka denoncuar një rast dhune nga policia ndaj një vajze të re në Kombinat. Këlliçi, njëherësh edhe drejtuesi politik për zgjedhjet e 25 prillit në zonën 6 në Tiranë, ka publikuar një video ku shikohet një efektive policie që godet një vajzë në rrugë në Kombinat.

Këlliçi shkruan në një postim Facebook se, ‘dihet kush është muza e frymëzimit. I madhi i tyre. Të gjithë që e njohin nga afër e dinë që është njeri i dhunshëm’, por Policia e Shtetit duhet të reformohet urgjent pas 25 Prillit!’

Postimi i plotë i Belind Këlliçit

Iku Lleshaj por dhuna ngeli.

Një vajzë e re është goditur me shuplakë nga një efektive e policisë në Kombinat, mëngjesin e sotëm!

Kundërshtimit me fjalë shteti nën uniformë i përgjigjet me dhunë. Nuk flasin asnjë gjuhë tjetër përveç dhunës. Nuk dinë ose nuk duan.

Shumë policë shfrytëzojnë uniformën për të shfryrë agresivitetin e tyre.

Dihet kush është muza e frymëzimit. I madhi i tyre. Të gjithë që e njohin nga afër e dinë që është njeri i dhunshëm.

Policia e Shtetit duhet të reformohet urgjent pas 25 Prillit!

Uniforma e shtetit shqiptar duhet të shndërrisë nga dinjiteti, profesionalizmi dhe qytetaria.

T’ju vijë turp!