Presidenti Ilir Meta kpriti në një takim sot, Ylli Bodinakun, i cili në 2 Korrik 1990 me makinën e tij shembi murin e ambasadave, veprim që do të pasonte me dyndjen e qindra qytetarëve drejt tyre.
Meta shkruan në një postim në Facebook se, Bodinaku edhe pse me djalin e tij 3 muajsh në krah, nuk iu tremb vdekjes, duke dhënë për gjithë të tjerët një shembull frymëzimi, rrëzimi i çdo muri që na ndante asokohe nga Europa.
Postimi i Presidentit Meta
Një takim i ngrohtë me Ylli Bodinakun, heroin e ngjarjeve të 2 korrikut 1990, i cili me “Skodën” e tij, hyri në historinë e Shqipërisë, për aktin e pashembullt të trimërisë dhe të guximit, si i pari që çau “murin shqiptar të Berlinit” dhe hapi një dritare shprese e lirie për mijëra shqiptarë, pas dekadash terrori e izolimi.
I bindur se bashkë me familjen dhe Rikelin në krah, djalin 3 muajsh, mund të shkonte drejt vdekjes, asgjë nuk e ndali Ylli Bodinakun, për të na dhënë të gjithëve një shembull dhe mesazh të madh frymëzimi: Të rrëzojmë çdo mur, që na ndan nga Europa e Bashkuar.