Pas 19 vitesh në krye, Fox News humbet vendin e parë

Po ndryshon historia mediatike në SHBA?
Për 19 vjet radhazi, Fox News i manjatit të mediave Rupert Murdoch, mban rekordin si rrjeti më i shikuar kabllor i lajmeve. Por pas janarit të këtij viti titulli i kaloi televizionit CNN, sipas kompanisë Nielsen Media Research.

Televizioni Fox News mesatarisht vitin e kaluar ka patur 1.8 milion shikues gjatë ditës dhe 3.5 milionë në orët me shikueshmëri të lartë, sipas vlerësimeve të firmës Nielsen nga janari 2020 deri në shkurt 2021.

Por janari i këtij viti shënoi ndryshime në shikueshmërinë televizive krahas atyre në politikën amerikane. Shikuesit e CNN e ndoqën më shumë kanalin e tyre të preferuar, ndërkohë që demokratët fituan kontrollin e Senatit, mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump sulmuan Kapitolin dhe demokrati Joe Biden u inaugurua si president.

Në muajin janar, CNN, në pronësi të kompanisë AT&T Inc, rezultoi më i shikuar se sa Fox News në pronësi të Fox Corp, duke u vlerësuar si rrjeti kryesor i lajmeve kabllorë për muajin.

Gjatë janarit, audienca e Fox-it ra 19% në shikueshmërinë e përgjithshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që audienca e përgjithshme e CNN-it për të njëjtën periudhë u rrit 153%.

CNN-i gjithashtu ia kaloi Fox-it në orët me shikueshmëri të lartë në janar, një periudhë kur historikisht Fox News me moderatorët Tucker Carlson dhe Sean Hannity kanë qenë dominues.

Megjithatë, në javën e parë të plotë pas inaugurimit të 20 janarit, Fox-i ia kaloi edhe një herë CNN-it dhe televizionit MSNBC, në pronësi të firmës Comcast Corp, sa i përket audiencës në orët me shikueshmëri të lartë të mbrëmjes.

Në muajin janar, Fox News-i njoftoi se po shtonte një orë tjetër program me opinione në 7 pasdite, përveç ndryshimeve të tjera. Rrjeti punësoi kohët e fundit ish-këshilltarin e lartë ekonomik të zotit Trump, Larry Kudlow.