Pollo: Rama të shpjegojë çfarë ka biseduar në Ankara

Ish-deputeti Pollo i ka kërkuar Ramës që të shpjegojë çfarë ka biseduar në Ankara dhe pse Ankaraja po proteston ndaj njohjes së Kosoves nga Izraeli

“Unë e kuptoj që Serbia proteston ndaj njohjes diplomatike të Kosovës nga Izraeli dhe hapjen reciproke të ambasadave në kryeqytetet e të dy shteteve.
Por nuk e prisja një kritikë të tillë nga Ankaraja!

Edi Rama duhet të shpjegojë se çfarë ka biseduar gjatë vizitave të tij atje”, shprehet Pollo. Turqia kundërshton venosjen e ambasadës së Kosovës në Jeruzalem. KJo është bërë e qartë në një njoftim zyrtar që në muaj shtator të vitit të kaluar.

Turqia, si një nga vendet e para që njohu Kosovën, gjithashtu që ka siguruar një mbështetje të madhe për përpjekjet drejt njohjes ndërkombëtare të këtij vendi që nga fillimi, nuk e sheh të drejtë që ky proces të ndërtohet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, territoret e të cilit janë nën okupim.

“Është theksuar vazhdimisht nga rezoluta të ndryshme të OKB-së që konflikti palestinez mund të zgjidhet vetëm përmes krijimit të një shteti të pavarur, sovran dhe të afërt të Palestinës bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Jerusalemin Lindor si kryeqytet”, thuhet në njoftim.

Ambasada turke në Prishtinë i bën thirrje udhëheqjes së Kosovës që të veprojë në përputhje me këto rezoluta dhe të përmbahet, siç thuhet, në njoftim nga veprimet që do të dëmtonin statusin historik dhe ligjor të Jerusalemit dhe që do të parandalonin që Kosova të njihet nga shtetet e tjera në të ardhmen.