Analiza/ Çfarë përfitimesh sjell programi i PD për ekonominë shqiptare

Nga PhD Klodian Muço

Ecuria ekonomike e viteve të fundit në Shqipëri është karakterizuar nga një rritje e vazhdueshme e pabarazisë dhe e diversitetit ekonomik ndërmjet shtresave të popullsisë.

Kjo pabarazi ekonomike është shoqëruar shpesh edhe me rritjen e papunësisë, e cila ndikon në uljen e dinamikës së pagave dhe në tkurrjen e konsumit. Këto të fundit çojnë në një rritje të pesimizmit për të ardhmen dhe në rritjen e dëshirës për të emigruar për një të ardhme më të mirë në vendet me zhvillim ekonomik. Zhvillimi ekonomik nuk është vetëm rritje e nivelit të të ardhurave për person, por edhe rritje e nivelit të arsimimit, përmirësim i shëndetit të qytetarëve të një vendi dhe përmirësim i ambientit në të cilin ata jetojnë.

Ndryshe nga koncepti i rritjes ekonomike, i cili nënkupton një rritje në kohë të nivelit të PBB-së reale, pra i referohet vetëm një rritje të nivelit të pasurisë së prodhuar nga një vend, koncepti i zhvillimit është shumë më i gjerë. Ky term nënkupton një sërë modifikimesh të strukturës ekonomike, sociale e institucionale. Nga kjo mund të deduktohet se në Shqipëri, gjatë viteve të fundit, kemi pasur më tepër rritje ekonomike sesa zhvillim (PBB për frymë ngelet sa 31% e mesatares së BE-së duke na renditur të parafundit në rajon, paga mesatare përsëri është ndër më të ulëtat në rajon. Tashmë nga pandemia jemi edhe në një krizë të fortë kërkese dhe oferte).

Nisur nga kjo parantezë e shkurtër në vijim do të paraqitet një analizë sintetike mbi programin ekonomik të PD-së për të evidentuar realizueshmërinë dhe impaktin në ekonominë e vendit.

Ideja është se prezantimi publik i një programi ekonomik dhe krahasimi i tij me alternativat e tjera shërben për qytetarët dhe taksapaguesit, të marrin informacionin e duhur mbi pritshmëritë ekonomike të vendit për 4 vitet e ardhshme, por jo vetëm. Në këtë mënyrë, garimi ndërmjet grupimeve politike do të jetë më demokratik dhe jo i fokusuar te nuancat e militantizmit.

Nga një rishikim i përgjithshëm i programit ekonomik të PD-së, i përbërë nga 13 pika, vërehej se ai prek problemet primare të ekonomisë shqiptare si: varfëria dhe pabarazia në rritje, rënia e numrit të lindjeve, plakja e popullsisë dhe emigracioni në masë, burokracinë dhe presionin fiskal, si dhe shpërdorimin e fondeve publike dhe korrupsioni i tepruar.

Pyetja që lind natyrshëm në këtë rast është sa i zbatueshëm është ky program dhe cilat janë kostot dhe benefitet për ekonominë shqiptare? Zbatueshmëria e tij varet sigurisht nga vullneti politik dhe nga rrjedhojat socio-ekonomike që ai krijon, pra nga ndikimi në cilësinë e jetesës së qytetarëve shqiptarë.

Një nga shtyllat e këtij programi është “rimëkëmbja ekonomike” duke parashikuar shumë shpenzime nga buxheti i shtetit dhe një taksë të sheshtë 9%.

Sa e mundur është të realizohet rimëkëmbja e një ekonomie që është në krizë?

Sot në Europë janë 12 shtete që aplikojnë flat tax, nga të cilat 4 janë pjesë të shteteve ballkanike, si dhe 5 nga shtetet me rritjen më të shpejtë në Bashkimin Europian janë shtete që kanë flat tax.

Në Shqipëri, në 2008-n, kur u implementua për herë të parë flat tax, të ardhurat fiskale u rritën me 15.89%, kjo ishte rritja më e madhe që nga 1997. Po ashtu numri i bizneseve të reja ishte dyshifror në raport me 2007 (sigurisht merita nuk i takon vetëm flat tax-ës). Presupozohet se në vende me informalitet të lartë implementimi i një flat tax dhe reduktimi i barrës fiskale gjeneron rritje të ardhurash dhe shtim të bazës së tatueshme (formalizim të ekonomisë). Taksimi progresiv në vendet si Shqipëria pa konsolidim të mirë fiskal, stimulon evazionin dhe korrupsionin, si dhe flat tax jo vetëm që ndikon sado pak pozitivisht në përmirësimin e klimës së biznesit, por edhe është tërheqës për Investimet e Huaja Direkte.

Flat tax 9% do t’i japë mundësi shtresës së mesme për të shpenzuar më tepër para (aktualisht paguajnë 13% dhe 23% mbi të ardhurat nga paga), kjo me siguri do të stimulojë konsumin dhe rritjen e të ardhurave fiskale nga taksat indirekte (TVSH-ja).

Nëse ekonomia do të ishte statike dhe do të ngjante me matematikën, kalimi nga një taksë progresive si kjo që kemi aktualisht në flat tax sigurisht do të sillte reduktim të ardhurash për buxhetin e shtetit, por nisur nga fakti që ekonomia është dinamike kam përshtypjen se flat tax në kompleks do t’i rrisë të ardhurat në buxhet.

-Taksa 0.5% për biznesin e vogël është një masë që nga një anë “detyron” edhe biznesin e vogël të japë një kontribut modest në arkat e shtetit (aktualisht zero), por nga ana tjetër mund të konsiderohet një masë e domosdoshme që i jep frymëmarrje biznesit të vogël, të mesëm, të vetëpunësuarve, kryesisht duke rritur numrin e tyre, çka do të sjellë rritjen edhe të të ardhurave në buxhetin e shtetit. Në këtë rast do të kemi rritje të ardhurash për arkat e shtetit me rreth 20 milionë euro.

-Ndihma e çifteve të reja (5000 kredi me interesa zero) dhe bonusit për fëmijët është një masë shumë e mirë që do të ndikojë sado pak në frenimin e emigracionit.

Sot, 79% e të rinjve që sapo mbarojnë shkollën duan të emigrojnë se e kanë të vështirë të gjejnë punë dhe të krijojnë familje. Kosto e kësaj nisme do të jetë në vitin e parë rreth 16.5 milionë euro (9 milionë euro bonus bebe + 7.5 milionë euro interesat e kredive), duke shkuar pas pesë vitesh rreth 53 milionë euro (45 milionë euro bonus bebe + 8 milionë euro interesat e kredive). Të gjitha këto para do shkojnë për të frenuar sadopak emigracionin që i shkakton një dëm ekonomisë shqiptare që përllogaritet rreth 120 milionë dollarë në vit. Përveç kësaj, paratë e bonus bebe gjithsesi do të “rihidhen në ekonomi” e kjo do të ndikojë pozitivisht në konsum dhe në rritjen ekonomike të vendit.

Fondi për bujqësinë do të sjellë vetëm vlerë të shtuar pasi bujqësia përbën 19% të PBB-së dhe rreth 37% e të punësuarve total janë në këtë sektor. Kështu që buxheti prej 100 milionë eurosh, i dedikuar fermerëve, është një pagesë e merituar për ta që do t’ia “kthejnë” ekonomisë shqiptare disa herë më shumë (edhe gjatë pandemisë, fermerët falë meritave të tyre, arritën të rrisnin eksportet e produkteve të tyre drejt vendeve të Europës së Veriut).

– “Një reduktim i mëtejshëm i barrës fiskale për sigurimet shoqërore në 18% besoj se do të gjenerojë kosto të tepërta për arkën e shtetit, ndërsa çdo shtesë që kalon për pensionin është pozitive, sepse kalon e gjitha për konsum dhe rritje ekonomike.

Sot, në fakt, skema e pensioneve është me një deficit të fortë (rreth 470 milionë dollarë). Një reduktim i sigurimeve shoqërore nga 24.5% në 18% do të gjeneronte një rritje të deficitit të skemës me gati 50%, sigurisht që ky deficit do të rikuperohet pjesërisht nga rritja e pagës minimale (25 milionë euro) dhe nga zgjerimi i punësimit (81 milionë euro), por prapë mund të thuhet se “dëmi” që i bën skemës së sigurimeve është më i lartë sesa benefitet që sjell. Për këtë arsye, mund të gjykohet si pjesërisht i realizueshëm (i shkallëzuar ndër vite ndoshta).

Reduktimi i çmimit të naftës me 24 lekë do t’u kushtojë arkave të shtetit rreth 96 milionë euro. Nga një anë, kjo do të gjenerojë rritje të lehtë të konsumit dhe reduktim të kostove për ndërmarrjet e transportit, por që gjithsesi kam përshtypjen se ky zgjerim i bazës (konsumit) nuk do të mbulojë dot kostot e nismës.

-Heqja e tarifave për 90% të studentëve dhe librat falas kanë një kosto rreth 41.5 milionë euro (23.5 milionë tarifat + 18 milionë euro librat) por kauza e kësaj ndërhyrje është shumë e madhe, pasi stimulon arsimimin që konsiderohet si një ndër tre shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të një vendi.

Rritja e pagave të mjekëve, infermierëve dhe mësuesve, edhe pse mund të kushtojë mbi 70 milionë euro, kam përshtypjen se është një domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik të vendit, e cila do të shërbejë për rritjen e mirëqenies dhe për këtë arsye e konsideroj të domosdoshme.

Në kompleks, nëse ky program ekonomik vihet në zbatim, do të kushtojë rreth 450-500 milionë euro. Pjesa dërmuese do të rikthehet në formën e rritjes së bazës së tatueshme, nga rritja e konsumit, rritja e investimeve të huaja dhe ato private vendase e një pjesë e vogël, e ngelur, mund të gjenerohet nga një menaxhim më i mirë i financave publike (nëse do të jetë vullneti politik). Megjithatë, nëse vërtet do të merrte jetë ky program me siguri do të kishte impakt pozitiv në zgjerimin e shtresës së mesme, në reduktimin e varfërisë, në frenimin e emigracionit dhe në rritjen e mirëqenies së vendit.

Për të konkluduar mund të them se një masë shumë e mirë për të financuar këtë program do të ishte një taksë luksi mbi koncesionet dhe PPP-të që gjenerojnë nga 30-60% të xhiros fitime në vit, kjo ndoshta do të gjeneronte më shumë të ardhura sesa dhe prishja e kontratave të tyre, gjë që duket e vështirë.