Ballina Kulturë Rod Dreher, autori që denoncoi hegjemoninë kulturore të së majtës dhe të...

Rod Dreher, autori që denoncoi hegjemoninë kulturore të së majtës dhe të lëvizjes LGBT

«Ne kristianët konservatorë nën sulm»

Kristianët konservatorë duan që të peshojnë më shumë në politikën amerikane. Lëvizja antiabortiste pro life po i shton presionet për ta shtyrë Gjykatën Supreme që ta tejkalojë vendimin historik Roe vs. Wade që nga viti 1973 garanton të drejtën për ndërprerjen e shtatzanësisë në Shtetet e Bashkuara. Shpresat tani i janë besuar 47 vjeçaren Amy Coney Barrett, gjykatësen e re hiperkatolike e sapoemëruar nga Donald Trump për të zëvendësuar liberalen Ruth Bader Ginsburg në organin më të lartë gjyqësor. E kemi eksploruar këtë botë me ndihmën e shkrimtarit 53 vjeçar Rod Dreher, i lindur në Baton Rouge të Louisiana, kristian që i përket Kishës ortodokse, autor i bestsellerit Opsioni Benedikt. Në këto javë ka dalë një libër tjetër tashmë në qendër të debatit kulturor: Live Not by Lies (shtëpia botuese Sentinel), «Të jetosh pa gënjeshtra»: «Është apeli i fundit që Aleksandr Solženitsyn i drejtoi popullit rus, përpara se të dilte në ekzil». Çfarë nënkupton sot? Surprizë: katolikët dhe evangjelistët ndjehen të kërcënuar nga «ideologjia e drejtësisë sociale» e promovuar nga e majta radikale. Teza e Dreher mund të duket ekstreme, e ekzagjeruar, ama pasqyron gjendjen shpirtërore e shumë amerikanë, burra dhe gra besimtarë, që shohin me preokupim nga Joe Biden dhe janë gjithnjë e më larg nga Papa Françesku.

Në librin tuaj të parë ju ftonit besimtarët që të izolohen nga bota e dominuar prej shekullarizmit, të imitojnë zgjedhjen e Shën Benediktit nga Norcia për të rikuperuar ndjenjën e fesë. Në këtë vepër tuaj të re theksoni se kristianizmi është i kërcënuar nga «një regjim autoritar». Nuk është shumë?
«Është ajo që po ndodh në Shtetet e Bashkuara. Nuk duhet të gënjehemi nga dukja. Konservatorët mund të kenë pushtet në politikë, në Shtëpinë e Bardhë apo në Kongres, por zëri i tyre është shtypur krejtësisht nëpër shkolla, universitete, media, shkencë mjekësore, në ambientin e financës e të industrisë. Është një situatë e ngjashme me atë që ndodhi në shtetet europiane e pushtuara nga Bashkimi Sovjetik. Ja pse i bëj apel fjalëve të Solženitsyn dhe e nis librin duke treguar historinë e një prifti jezuit kroat, i quajtur Tomislav Kolakoviç, që e parashikoi pushtimin sovjetik dhe persekutimin e kishës në vendin e tij të ri, Sllovakinë. Qe ai që organizoi besimtarët në komunitete të vogla lutjeje dhe aktivizmi: bazat e rezistencës ndaj regjimit komunist. Mendoj se në Amerikë tani po përjetojmë një Kolakovic moment».

Po thoni se në Shtetet e Bashkuara qeveris një regjim komunist? Në Shtëpinë e Bardhë është ende Donald Trump.
«Jo, unë po flas për një regjim totalitar në shoqëri. Po jap një shembull: provoni të deklaroheni kundër martesës midis homoseksualëve në një shkollë apo gazetë të çfarëdoshme të vendit dhe, nëse ju del mirë, do t’ju mbyllet goja, do të marxhinalizoheni, reputacioni do t’ju prishet përgjithmonë. Ideologjia e majtë përdor slogane egalitar, fjalë të tilla si “përfshirje”, “barazi”, “diversitet”, për ta hegjemonizuar komunikimin, në rrjetet sociale apo në mediat konvencionale, dhe për të goditur disidentët. Po ndodh ajo që kishte parashikuar Papa Benedikti i XVI, domethënë “një diktaturë botërore ideologjishë haptazi humaniste”».

Ju përqëndrohen mbi temën e familjes, që do të shkatërrohej nga ajo që ju e quani «ideologjia e gjinisë», martesën midis homoseksualëve. Ama kohët e fundit Papa Françesku është hapur ndaj bashkimit midis dy burrave apo dy grave…
«Po, ama e di njeri pozicionin real e Papa Françeskut? Mendoj se ka qenë ai që ka dashur ta krijojë këtë konfuzion. Bergoglio është një katolik liberal standard, që nuk ka objeksione reale ndaj martesave gei. Në Shtetet e Bashkuara At James Martin, një jezuit që lufton në favor të komunitetit Lgbt, thekson se doktrina katolike e përfshin homoseksualitetin, por kjo është absurde. Megjithatë, askush nuk e vë në dyshim ortodoksinë e Atit Francis, figurë shumë e afërt me Papën. Ne jetojmë në një shoqëri paskristiane, ku deri edhe heteroseksualët nuk e respektojnë martesën fetare. Urrej ta shikoj Papën që i dorëzohet botës moderne, ndërkohë që t’i nxjerrë në dritë kontradiktat. Kur thotë: “Kush jam unë për të gjykuar?”, mesazhi që përcillet është se nuk ka më asgjë për të thënë lidhur me homoseksualitetin. Dëmi është i përhershëm, sidomos tek të rinjtë që e dëgjojnë».

Qartazi që opinionet tuaja do të ngjallin diskutime. Por kjo nuk është një temë vetëm fetare. Ju vini në diskutim të drejtat civile e njerëzve sipas orientimit seksual të tyre…
«Mendoj se janë të gabuara ligjet për martesat homoseksuale, thjesht për faktin se nuk janë martesa. Sepse rrëfej që jam i paqartë lidhur me bashkimet civile. Ndoshta mund të pranohen me disa kufizime».

Le të flasim për politikë. I kanë qëndruar besnikë Donald Trump kristianët konservatorë?
«Të bardhët evangjelistë kanë votuar për Trump pakashumë me të njëjtat proporcione si më 2016: 76% këtë vit kundrejt 81% të katër viteve më parë. Kurse Trump dhe Biden kanë ndarë votën e katolikëve. Fakti që Biden është katolik nuk ka bërë diferencën për kristianët konservatorë. Të gjithë ne e dimë mirë se Trump nuk është shenjtor dhe ka mundësi ndoshta as kristian, ama gjatë mandatit të tij ka mbajtur pozicione shumë të forta në favor të lëvizjes pro life; ka emëruar në Gjykatën Supreme Amy Coney Barrett, një katolike konservatore. Veç kësaj, Trump ka bërë shumë për lirinë fetare».

Çfarë pritet nga Biden?
«Katolicizmi i Biden do të jetë ceremonial. Nuk e gjykoj besimin e tij personal, pasi është një problem midis tij dhe Zotit. Por “katoliku” Biden e mbështet 100% “ideologjinë e gjinisë” dhe lirinë totale e abortit. Jam i sigurtë se do t’i rinovojë sulmet ndaj lirisë fetare tashmë të bëra nga Barack Obama. Biden do të qeverisë si një politikan i çfarëdoshëm liberal, por do të shkojë në meshë të dielën. Peshkopët e emëruar nga Françesku do ta adhurojnë. Pres një ortek artikujsh lidhur me atë sesa Biden është një katolik i madh, një mik i vërtetë i Papës e kështu me radhë. Për katolikët liberalë e gjitha kjo do të jetë inkurajuese; kurse për katolikët konservatorë do të jetë deprimuese. Nuk do të ndryshojë asgjë. Ka një skizmë faktike në Kishën amerikane, e cila do të vazhdojë të rritet».
(nga La Lettura)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Exit mobile version