Rekord negativ për të gjithë periudhën e epidemisë, mjeku i njohur: Koha për përralla ka ikur!

Nga Erin DASHOA

Java që kaloi u mbyll me mbi 5,800 raste të diagnostikuara me COVID, një rekord negativ për të gjithë periudhën e epidemisë!

Numri i personave të shtruar në spitalet COVID u ngrit në vlera alarmuese, duke kërcyer nga një mesatare ditore nën 300 përgjatë javës, në 365 të shtruar ditën e sotme.

Ajo që është edhe më shqetësuese, numri ditor i vdekjeve, kapi sërish shifra dyshifrore duke arritur në 65 vdekje përgjatë javës (ndërkohë që në dy javët paraardhëse kishte qenë 36 dhe 38).

Sidoqoftë, duhet sqaruar se të diagnostikuarit, të shtruarit dhe humbjet e raportuara të jetëve përfaqësojnë vetëm majën e ajsbergut!

Përqindja e personave të testuar pozitiv sot ishte 29%, ç’ka tregon se numri i personave të infektuar është shumë më i lartë, por që ata të kapen duhet që numri i testimeve të jetë të paktën tre herë më i lartë!

Spitalet rajonale janë mbushur me pacientë të prekur nga COVID dhe kërcimi i mesatares së të shtruarve në tre spitalet COVID me mbi 60 pacientë brenda një dite të vetme tregon se tashmë kapacitetet rajonale kanë arritur pikën e ngopjes!

Vdekjet vazhdojnë të nënraportohen, duke mos përfshirë vdekjet në shtëpi, vdekjet në persona me tampon negativ dhe ato që janë duke ndodhur në spitalet rajonalë!

Ndërkohë vaksinimi në Air Albania vazhdon me ritmin qesharak prej 16 të vaksinuar në ditë ndërsa kryeministri deklaron pa turp se nuk kemi probleme me vaksinimin, thjesht vaksinimi “është spostuar në kohë”!!!

Koha për përralla ka ikur! Janari e futi në kolaps sistemin shëndetësor, ndërkohë që në dy muajt e mbetur nga sezoni i virozave (shkurt dhe mars) rrezikohet katastrofa!

Kjo qeveri, kjo ministri dhe ky komitet janë dorëzuar prej kohësh pa kushte përballë COVID-it!

Në vend të përrallave me vaksina, qytetarët do të preferonin t’i shihnin këta aventurierë të rrezikshëm të larguar një orë e më parë…