Basha takim me shoqatën e fasonëve: Taksa e sheshtë 9%, ulje e madhe e barrës fiskale. Çdo litër naftë do të jetë 240 lekë më lirë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi në selinë e PD, iu shpjegoi përfaqësuesve të Shoqatës së Fasonëve, Programin Ekonomik të PD, #Shqipëria Fiton.
Basha tha se programi i propozuar nuk është një paketë premtimesh, por angazhime që merr qeveria e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Shefi i opozitës tha se ky program nuk është program mrekullish, por program normalizimi dhe rimëkëmbje të ekonomisë dhe me të fiton Shqipëria.

“Pa pikë diskutimi sektori i fasonëve është një nga sektorët kyç të ekonomisë shqiptare, për arsyen që sapo thatë, numrin e madh të personave që punësoni. Në shumë raste këta janë edhe personat e vetëm që sjellin të ardhura në familjet e tyre. Po kështu zhvillimet e viteve të fundit, duke përfshirë edhe zhvillimet e pandemisë, nga njëra anë ju kanë dëmtuar, ju kanë goditur rëndë. Mbi 15 mijë veta kanë humbur vendin e punës vetëm në sektorin tuaj, ky është lajmi i keq. Lajmi i mirë është që si pasojë e zhvillimeve globale, tregjet kryesore ku ju çoni produktin tuaj po mendojnë të zhvendosin apo të fuqizojnë zinxhirin e furnizimit që do të thotë që në qoftë se Shqipëria njësoj si vendet e tjera të rajonit tonë janë gati kontratat tuaja mund të rriten, mund të shumëfishohen dhe aftësia juaj për të punësuar më shumë njerëz dhe për t’i paguar më mirë mund të rritet. Natyrisht për këtë ju duhet të keni në krah shtetin. Ajo që kemi prezantuar nuk është program mrekullish, është program normalizimi dhe rimëkëmbje ekonomike. Ato nuk janë premtime, janë angazhime. Propozimet tona janë të qarta dhe janë të provuara që funksionojnë. Taksa e sheshtë 9% është një ulje jashtëzakonisht e madhe krahasuar me taksën 15% që ju paguani. Çmimi i naftës 240 lekë të vjetra për litër karburant i shtuar në këto 8 vite. Çdo litër naftë prej ditës së parë të qeverisë të dalë nga ota e 25 Prillit do të jetë 240 lekë më i lirë. Dhe kjo pa diskutim do të reflektohet edh në vlerën e koston e prodhimit tuaj dhe në aftësinë tuaj për të konkurruar me ofertën tuaj ne tregun Europian dhe më gjerë. Për biznesin prodhues e njëjta masë do të merret me energjinë elektrike. Dhe një pikë tjetër që dua të përmend para se të vazhdojmë diskutimit është rimbursimi i TVSH-së. Rimbursimi i TVSH-së me të gjithë sektorët e ekonomisë është kthyer në një ankth të paparë dhe padiskutim në një kohë krize detyra e qeverisë, detyra e parë e qeverisë është të mos ta vonojë rimbursimin e TVSH-së. Ky është një nga angazhimet kryesore që kemi marrë përpara sipërmarrjes në tërësi dhe para sipërmarrjes si e juaja në veçanti. Me dy fjalë, nuk janë premtime, por janë pjesë e një plani konkret. Janë angazhime me të cilat ne e nisim që në ditën e parë të punës, t’ju vijmë në ndihmuar ju njerëzve të punës që të ndihmoni të punësuarit tuaj që të punësoni të tjerë dhe të përmirësoni standardin e jetës së tyre, natyrisht duke bërë të mundur që të përcillni një pjesë të fitimeve që do të vijnë si rezultat i këtyre masave edhe në objektivat që kemi në raport me rritjen e mirëqenies dhe rritjen e pagave për punonjësit shqiptare”, – u shpreh Basha.

Gjergj Gjika një nga përfaqësuesit kryesorë të sektorit fason në Shqipëri, tha se ky sektor i rëndësishëm i ekonomisë është ofruesi më i madh i vendeve të punës, por nuk shikohet si i tillë nga institucionet ndërkohë që prej qeverisë së ardhëshme ai tha se pret të mundshmen, jo premtime të pamundshme për tu mbajtur.

Gjergj Gjika: Ne i mirëkuptojmë sepse vështirësi natyrore mundet të ndodhin edhe në të ardhmen. Problemi është i përcjelljes, ne sot ndodhemi në një gjendje shumë të vështirë. Ne duam të përcaktojmë bashkërisht të mundshmen, siç thatë ju, angazhimet dhe ne duam angazhimet e qeverisë së ardhshme, të mundshme sepse u bënë kaq vite që ne dëgjojmë vetëm llafe të bukura, dëgjojmë vetëm premtime dhe në fund të fundit ne vemi vetëm me rezultate negative apo me, të themi spostime mbrapsht. Ne sot vërtetë jemi në këtë fazë shumë të goditur por ju e keni obligim që do të merrni qeverinë nesër që e para, e para është që të na shëroni biznesin shqiptar në përgjithësi dhe sektorin tonë në veçanti. E dyta të krijoni mundësinë që ky të eci pasi të shërohet me këmbët e veta. Dhe e treta të shohim për tregjet që ju i lançuat me të drejtë në të ardhmen, pra me vizionin afatgjatë të këtij biznesi i cili s’ka për tu mbyllur kurrë sepse njerëzimi që kur lind e derisa vdes ka nevojë për tu veshur e për tu mbathur.

Hëna Hoxha, anëtare e kryesisë së shoqatës tha se fasoneria rrezikon të hyjë në krizë të thellë.
*“Konkretisht në momentin që flas unë mbaroj punë të hënën dhe nuk e di se çfarë do ndodhi për minimum 2 muajt e ardhshëm.
Lulzim Basha: Në ç’kuptim mbaroni të hënën?

Sipërmarrësja: Që s’ka asnjë lloj kontrate për sezonin që fillojmë. Domethënë mbarojmë sezonin në fjalë dhe sezoni i ri, unë jam  dy vendet që punoj është Italia me 80% import eksport dhe 20% Republika Çeka import eksport. Të dy klientët me emal-e zyrtare kanë komunikuar që deri në mesin e Prillit nuk ka as edhe njëlloj kontrate. Mua e para më dhëmbë shpirti dhe më vjen keq se çdo ditë në mëngjes kur hyjë në fabrikë shoh sytë e tyre të gjithë në sytë e mi që të shohin ka ndonjë shpresë për punë sepse e dinë është situatë në të gjithë. Flas për sektorin tim prodhojë këpucë. Unë të dëgjova me vëmendje kam parë mbrëmë programin tuaj. Nuk dua të them, uroj, nuk ke marrë premtime që e the nuk është premtim por është një angazhim dhe sinqerisht ma ngroh zemrën. Uroj që ky sektor pas administratës shtetërore është sektori që punëson fuqinë më të madhe në këtë vend të shihet me seriozitetin më të madh. Ne si punëdhënës nga ana jonë kemi bërë dhe do vazhdojmë të bëjmë maksimumin por të paktën qeveria mendoj që duhet të jetë një bashkëjetesë përfekte qeveri-fason.

Lulzim Basha: Dhe unë të falënderoj nga zemra që shprehe me kaq sinqeritet dhe kaq ndjeshmëri problemin. E para e punës të falënderoj që e ke kuptuar siç është. Nuk janë premtime janë angazhime. Janë angazhime që do të bëhen realitet.

Dhe e dyta po të premtoj të njëjtën gjë ty, që unë nuk do ta shoh veten nesër si bosi, si shefi, si Skënderbeu juaj por si njeriu që do qaj hallet me ju për tua zgjidhur me fuqinë që më jep kushtetuta dhe ligji.

Është një fuqi e madh në qoftë se përdoret ashtu siç duhet për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve si ty.

Që njerëz si ty Ana dhe gjithë sipërmarrësit e ndershëm shqiptar pastaj ndihmojnë mijëra të tjerë që sot janë në fatkeqësi familjare janë në pamundësi për të ushqyer fëmijët e tyre, janë pa siguri 7 në 10 po t’u jepet mundësia duan të ikin sepse kjo qeveri për 8 vite me rrallë i gënjeu, i mashtroi me premtime boshe. Boll më kështu, e dinë fare mirë që Shqiptarët duan të ndryshojnë gjërat dhe me këtë plan gjërat do të ndryshojnë, me këtë plan Shqiptarët do të fitojnë, me këtë plan Shqipëria do të fitojë dhe ky është zotimi, angazhimi që kam sot para teje me të njëjtën përmasë sinqeriteti dhe ndjeshmërie që ke ti ndaj punonjësve të tu.

Sipërmarrësi: Shoqata jonë me sa di unë bëri një anketim të shumë bizneseve tona ku nga anketimi doli që afërsisht mbi gjysma e sipërmarrësve si ne donin të shisnin bizneset, pra kjo do të thotë që është detyra juaj si kryeministër i ardhshëm ti ktheni besimin dhe entuziazmin sipërmarrjes së lirë sepse të jeni të bindur kështu siç thatë ju të gjithë qytetarët shqiptarë nuk kanë gjetur Shqipërinë që duan dhe për këtë arsye mendoj që jo vetëm sipërmarrësve të ndershëm dhe jo atyre me biznesin nga hiçi me PPP që na bëjnë konkurrencën edhe na fyejnë për atë që kemi bërë ne për këto 30 vite, me sipërmarrjen e huaj edhe pse jo me entuziazmin e sipërmarrësve të rinj dhe në këtë mënyrë programi është ai që ne kemi bërë faktikisht. Ne i kemi demonstruar problematika tona dhe në këtë rast ndodhemi në konkretizim dhe një mobilizim të gjithë shqiptarëve, qytetarëve, sipërmarrësve për të bërë të mundur të ndryshojmë Shqipërinë e kësaj dekade.

Lulzim Basha: Nuk ka kundër nuk ka alternativë që shqiptarët duan të ndryshojnë gjendjen dhe me këtë plan gjerat do të ndryshojnë, me këtë plan do të fitojnë të gjithë shqiptarët, me këtë plan do të fitojëShqipëria.

Sipërmarrësi: Ka ardhur koha që politika ta reflektojë dhe atë që çfarëthotë ta bëjë. Programi më i preferuar si të themi më pozitivi, në radhë të parë për ekonominë dhe për sektorin që ne kemi dhe patjetër do ta firmosim dhe e përsëris ne jemi forca ne jemi ato që kemi në krah dhe në kurrizin tonë bukën e gojës së këtyre punonjësve dhe këto punonjës që janë rritur në vlera ekonomike dhe në vlera të themi formimi janë bërë vetëm me forcat tona. Nuk kemi pasur asnjëherë mbështetjen. Atëherë, ne jemi të gatshëm me patjetër të firmosim këtë kontratë që ju thatë. Ju falënderoj për kohën që na dedikuat dhe për ne është shumë e rëndësishme ato që ne shpalosëm me zemër të hapur dhe ato që ju na shpalosët po me zemër të hapur. Faleminderit përsëri.

LulzimBasha: Edhe unë ju falënderoj nga zemra për kohën që më dhatë. E kemi nisur prej 7 vitesh këtë bashkëpunim, po e finalizojmë sot. Ju falënderoj për besimin që keni për programin tonë, në angazhimet e mija. Janë angazhime të drejtpërdrejta karshi jush, karshi gjithë prodhuesve të sipërmarrjes shqiptare, karshi çdo shqiptari. Dhe të jeni të sigurt se gjithë produkti final i këtyre angazhimeve është që të gjithë shqiptarët do të fitojnë dhe Shqipëria do të fitojë. Ju faleminderit nga zemra.

1 78