Zhgënjim! Besnik Mustafaj nuk qenka “agjent” i futur në rradhët tona!

Nga Roland BEJKO

===============================

Me furi të madhe u përhap dje lajmi në media dhe mediat sociale se Besnik Mustafaj ishte miratuar nga “rilindja” si anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së.

Më bëri përshtypje në Facebook ku lajm që u shoqërua me një kënaqësi të paparë sharjes, epitetesh e me gjithfarë konspiracionesh që shtriheshin qysh nga zanafilla e parcurit të tij si adoleshent, momentet kur u emërua mësues fërngjishtje në fshatrat e Tropojës, e deri në ditët e sotme si njeri që i shërben Edi Ramës dhe “besnik” i Partisë së vjetër të Punës..

I shtyrë nga kurioziteti, pyeta dy deputetë të cilët më thanë se z. Musrafaj së bashku me dy kandidaturat e tjera kanë qenë miratuar nga Komisioni i mediave që kryesohej nga zj. A.Vokshi si kandidatura të opozitës më 2018-ën. Me braktisjen e Parlamentit nga opozita, mbetën në sirtar dhe këto propozime pa u kaluar për miratim në seancë.

Me sa duket, meqë erdhi fundi i mandatit të këtij Kuvendi dhe me që ka kaluar çdo lloj afati ligjor për vakancat në Këshillin Drejtues të RTSH-së, “rilindasit” u kujtuan ta konsumonin si proçedurë.

Por “rilindasit”, si rufjanë që janë, i paraqitën medias para seancës një shkresë tip formale që bëhet nga çdo komision përkatës për çdo material që kalon në seancë duke thënë “miratohet” ….. dhe poshtë saj shënohet emri i Kryetarit të Kuvendit pa firmë. Firma hidhet pas seancës nëse propozimi i komisionit miratohet në Kuvend, përndryshe, me atë shkresë, pra kur nuk miratohet, fshin Gramozi atë që s’thuhet, siç ndodhi në fakt edhe dje.

Kështu që kaq duhej. Kjo shkresë shërbeu si sallatë fshati para vaktit për të gjithë ata që mezi prisnin ta gjenin në gabim edhe një personalitet tjetër të PD dhe kulturës shqiptare.

Por, pas votimit në seancë, me shumicën e votave, 74 kundër dhe 26 pro, të tri kandidaturat e opozitës u rrëzuan, pra nuk u miratuan nga Edi Rama dhe kukullat e tij aty.

Por, vini re. Mediat i bënë bujë dhe e quajtën si të miratuar kandidaturën e z. Mustafaj, jo pa qëllim. Peshkuan për disa orë ca mendjepeshqë që e hëngrën sapunin për djathë.

Pasi nuk e miratuan, nuk e bënë bujë këtë lajm. U kujdesën që në opinion të vazhdohej me debatet mbi lajmin e parë. U interesonte kjo shfaqje ku ky personalitet, shkrimtar dhe politikan i veçantë të “shqyhej” nga piranjat e facebukut të cilar pas çdo intelektuali në parti, mendojnë se fshihet me siguri një “tradhëtar” i mundshëm i “idealeve”.

Përtej kësaj, mos miratimi i kandidaturës së z. Mustafaj nga Kuvendi, moralisht i bënë nder atij, se i shërbeu mbrojtjes së imazhit të tij në sytë e publikut opozitar që me të drejtë rrefuzon çdo “dhuratë” nga Edi Rama, edhe kur ai pozicion i të takon opozitës reale.

Por, nga ana tjetër, mos miratimi i z. Musrafaj në atë detyrë, është në thelb një gjë e keqe për funksionimin e atij Këshilli, i cili me mungesën e përfaqësuesve të opozitës, është duke marrë vendime “thagma” që i shkojnë për shtat interesave të drejtuesve të RTSH në dëm të interesit publik.

Ndërkohë, mos miratimi i Z. Mustafaj, i mërziti pak si shumë ata që gëzuan se zbuluan “agjentin e vjetër” në rradhët tona, por ama duhet thënë se jo çdo e keqe që ndodh, ndodh vetëm për të keq, por e ka me vete edhe një të mirë; të paktën në rastin konkret u qetësua mileti kur morri vesh se B. Mustafaj nuk na qenka “agjent” i futur në rradhët e partisë sonë nga ishsigurimi i shtetit, as nga Nexhmia, dhe po ashtu, as edhe nga Gramozi. Jo për gjë, por kishin dhe merak se po të ishte i tillë, do na delegjitimohej edhe Komisioni i Përzgjedhjes së Kandidaturave e do na hidhej në erë gjithë procesi ynë famëmadh.