Angazhimet e Bashës dhe mashtrimet e Ramës!

Nga Elton LASKA

300 mijë vende punë premtoi Edi Rama në 2013, ndërkohë në 8 vite, 350 mijë shqiptarë u detyruan të marrin rrugën e mërgimit me shpresën për punë e për azil.

Shëndetësi falas ishte premtim madhor, por në 8 vite u përballëm me PPP-tё dhe vdekjen falas.

Legalizime falas, ulje të çmimit të energjisë dhe ujit ishin asi nën mangë i Ramës në fushatë, ndërkohë kostoja e jetesës në 8 vite u katërfishua.

Investime të huaja premtoi ai dhe shpura e tij; investimi i huaj ishte Brand-i më i fuqishëm ndërkombëtar që zbarkoi në Tiranë “Ndrangheta”, klani mafioz më gjakatar në Evropë.

Cilido shqiptar qё i lexon këto rreshta e kupton që emëruesi i përbashkët i 8 viteve të qeverisjes së Rilindjes është dështimi dhe e vetmja arritje e tij nëse mund të quhet e tillё, është kriminalizimi i shoqërisë dhe glorifikimi i kriminelëve.

Sot Kryedemokrati Lulzim Basha prezantoi programin ekonomik dhe “Star” i ceremonisë nuk ishte ai, siç bëri rivali i tij politik, por ekspertët më të mirë të ekonomisë në vend si ish deputetët, Jorida Tabaku, Florion Mima dhe Alfred Rushaj, ekspert ekonomie dhe ish Zv Ministër i Financave.

Zotimi i parë dhe më i rëndësishmi ishte hapja e 110 mijë vendeve të punës, një shifër absolutisht e realizueshme, madje që në vitin e parë të qeverisjes. Papunësia sot është një prej plagëve që kërkon kurë emergjente, si e vetmja shpresë për të ndalur hemoragjinë e emigrimit, kryesisht të tё rinjve tanë, që nesër do jenë shtylla e shoqërisë.

Në themel të zotimeve është familja shqiptare, teksa e shesht 9%, dyfishimi i të ardhurave, dyfishimi i ndihmës ekonomike dhe ulja e taksave për të ardhurat personale.

Paga minimale prej 36 mijë lekësh në muaj është premtim tjetër plotësisht i realizueshëm, ndërkohë do ketë subvencionim të tarifave të shkollimit për familjet me të ardhura nën 64 mijë lekë të reja. Nga kjo pritet të përfitojnë më mijëra studente që do kenë mundësi të barabarta arsimimi.

Rritja e pagës për arsimtarët është një tjetër hap i rëndësishëm me impakt direkt në të gjitha familjet shqiptare.

Paga 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët do t’i japë fund hemoragjisë së bluzave të bardha dhe do forcojë sistemin tonë shëndetësore, ndërkohë do t’i japë fund korrupsionit në sistemin shëndetësor.

Heqja taksës 24 lekë për karburantin do reflektohet menjëherë në ekonominë e brishtë të dhjetëra familjeve shqiptare. 100 milionë euro të dedikuara për fermerët pritet t’i japin hov rritjes së prodhimit vendas dhe të sfidojë produktet e importit që po vrasin fermerin shqiptar.

Ndërkohë totali i taksave dhe tarifave për biznesin e vogël 0.5% pritet t’i japë një frymëmarrje biznesit të vogël, të cilin korrupsioni i qeverisë Rama e çoi në greminë.
Subvencionimi i interesave bankare për kreditë për strehim dhe bonusi prej 30 mijë lekësh për 5 vitet e para do jetë një ndihmë e madhe për familjet e reja shqiptare.

Këto janë disa prej pikave kryesore të programit të Partisë Demokratike që duhet të zgjojnë qytetarin shqiptar dhe ta ndriçojnë nga tymnaja e propagandës.