Ballina Kulturë Kokaina universale

Kokaina universale

Sot industria e drogës është gjithnjë e më efikase dhe e copëzuar. Edhe pse kartelet e mëdha humbasin forcë, prodhimi dhe konsumi i drogave janë në rritje dhe dhuna e korrupsioni nga Amerika Latine kanë arritur shtetet europiane.

Nga fundi i 2019 dhe fillimi i 2020, në shtetin më të vogël të konit jugor – Uruguajit – janë kapur më shumë kilogram kokainë se në 20 vitet e mëparshme: në më pak se 6 muaj janë sekuestruar 12 ton drogë të destinuara për jashtë vendit. Një vëllim i pazakontë për shtetin jugamerikan, që ka nxjerrë në dritë disa transformime të ndodhura gjatë 10 viteve të fundit në trafikun ndërkombëtar të drogës, të evidentuara në raportet e Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian. Një lëvizje e fuqishme ekonomike globale që pandemia nuk e ka frenuar. Ekspertët dhe raportet dakordësohen në një pikë: për mënyrën sesi qenë strukturuar, kartelet si ai i Pablo Escobar në Kolumbi, që kishin monopolin e drogës dhe menaxhonin të gjithë procesin, nga mbjellja deri tek shpërndarja, nuk mund të të mbijetonin gjatë. Nga vitet ’90, kur kartelet e mëdha kolumbianë janë copëzuar, narkotrafiku ka hyrë në një fazë delokalizimi dhe terciarizimi. Fshatarë, prodhues, sipërmarrës, transportues, doganierë, pilotë, marinarë, polumbarë, policë, ushtarakë, punëtorë me mëditje dhe shitës me pakicë formonin hallkat e një zinxhiri që nga Andet e dërgonte kokainën në të gjithë botën.

Mëngjesin e 27 dhjetorit 2019 Christopher Murialdo, një uruguajan 19 vjeçar, djali i një biznesmeni të sojës në Departamentin Soriano (afër bregut të lumit Uruguaj, që lag edhe Argjentinën), është rrethuar nga policia e antidrogës në arat e të jatit. Mëngjesin e nesërm në pronën e familjes Murialdo janë sekuestruar 15 ton kokainë që mbahej në ruajtje nga dy punëtorë me mëditje. Kjo kokainë i shtohej 4.4 tonelatave të tjera të sekuestruar mbrëmjen e mëparshme në portin e Montevideo. Gastón Murialdo, babai i djalit, është procesuar bashkë me të birin dhe dy punëtorët me mëditje, që kishin fshehur drogën për t’u transportuar. Gjithësej bëheshin 5.9 ton kokainë e sekuestruar.

Kufij porozë
Policia uruguajane e specializuar në trafikun e drogës e dinte se Murialdo ishte në vështirësi prej disa borxheve. Dinte edhe se gjatë udhëtimeve të tij të shpeshta në Paraguaji, një vend urë për trafikun e kokainës dhe të marihuanës në konin jugor, ku në 2019 janë individualizuar më shumë se 1700 pista aterrimi klandestine, kishte hyrë në konakt me një organizatë që menaxhonte trafikun ndërkombëtar të drogës nga Bolivia. Hipoteza e policisë është se ngarkesa e kokainës kishte ardhur në Uruguaji nëpërmjet lumit: nga Bolivia ka kaluar në Paraguaji me avion, më pas nga lumi Paraná ka zbritur deri në grykëderdhjen e Rio de La Plata. Në këto lumenj “lëvizja e mallrave është e konsiderueshme dhe është e komplikuar të kontrollohet gjithçka”, thotë Carlos Noria, ish Komisar i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Antidrogë të Uruguajit. Në Amerikën Jugut shpesh modeli biznesor i sektorit bujqësor dhe ai i narkotrafikut integrohen. Të dy sektorët ndajnë furnizime dhe trajektore në zinxhirin e shpërndarjes. Por edhe menaxhues, punëtorë me mëditje, banka, studio ligjore dhe mjete transporti. Kokaina udhëton bashkë me sojën, orizin, mishin, leshin dhe verërat, edhe në ashensorë. Në 25 vitet e fundit Noria ka zbuluar ngarkesa kokaine në transportimin e këtyre dhe mallrave të tjera. “Jemi një vend që eksporton produkte bujqësore dhe narkotrafiku është një sipërmarrje tregëtare”, thotë ai.

Qindra pista aterrimi në latifondet e mëdha, varka dhe kamipnë që mundësojnë transportimin nëpërmjet kufijve porozë të rajonit. Shpesh kokaina spostohet nga Peruja në Bolivi dhe nga Paragauaji në Brazil, për të arritur më pas në portet e Atlantikut, nga ku niset për të shkuar në pjesën tjetër të botës. Gastón Murialdo donte të bëhej një hallkë e këtij zinxhiri. Nuk u ka thënë hetuesve se nga vinte dhe për ku ishte drejtuar kokaina, por i ka treguar se kishte marrë paradhënie 250000 dollarë për ta dërguar drogën në Togo të Afrikës. Policia mendon se destinacioni final është Europa, ku edhe përfundon pjesa më e madhe e pluhurit të bardhë që vjen nga Amerika e Jugut. Sipas Kombeve të Bashkuara, çdo vit 500 milion konteinerë çajnë detet e të gjithë botës. 9 ngarkesa nga 10 kalojnë nga konteinerë dhe nga porte të ndryshme përpara se të arrijnë destinacionin final të tyre. Ama më pak se 2% e konteinerëve inspektohet. Nëpërmjet rrugëve detare të Atlantikut kokaina arrin Europën një port pas tjetrit, një konteiner pas tjetrit. Trafiku nganjëherë përshkon Afrikën për të kënaqur një kërkesë, që gjatë 9 viteve të fundit ka arritur nivele konsumi shumë të larta, të ushqyer nga një rekord prodhimi.

Falë një zinxhiri prodhimi dhe shpërndarjeje më efikas, në qytetet europian shjkon kokaina më e pastër që mund të jetë parë ndonjëherë në historinë e vonshme (mesatarisht është e pastër në 69% dhe në shumë raste më shumë se 85%, sipas Qendrës Europiane të Monitorimit të Drogave dhe të Toksikodipendencës). “Nuk është çudi që Uruguaji është një vend tranziti. Risia është sasia e drogës që kalon nga aty”, shpjegon Noria. Në 2017 prodhimi i kokainës ka qenë më i larti i regjistruiar ndonjëherë nga njerëzimi: vlerësimet flasin për 1976 ton. Në 2018 Bashkimi Europian ka thyer të gjitha rekordet e njohura: 110000 sekuestrime në një vit. Sipas Observatorit Europian të Drogave dhe të Toksikodipendencës, rreth 18 milion europianë midis 15 dhe 64 vjeçëve kanë konsumuar kokainë të paktën një herë në jetë. Tendenca në rritje e konsumeve nuk kufizohet tek Europa: përtej juglindjes aziatike, për shembull, në Australi kërkesa për kokainë nuk ka qenë kurrë kaq e lartë. Veç kësaj, konsumi është rritur edhe në metropolet latinoamerikane, por me një nivel më të ulët pastërtie.

Efikasitet biznesor
Për të plotësuar kërkesën globale, vendet prodhuese duket se kanë studiuar manualët e efikasitetit biznesor. Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Kontrollin e Drogës dhe Parandalimin e Krimit (UNODC), nga 2005 deri më 2018 të mbjellat në Kolumbi janë dyfishuar. Edhe në Peru e Bolivi tokat e mbjella me kokë janë rritur. Njëkohësisht, asistenca teknike e dhënë fshatarëve e ka përmirësuar rendimentin e gjethes së kokës. Prodhimi është modernizuar falë përdorimit të teknikave bujqësore të krasitjes, plehërimit, kontrollit të barërave të keqija dhe të sëmundjeve të bimëve (shpesh me pesticide) dhe sidomos duke futur varietete më produktivë, më rezistentë ndaj klimës dhe patogjenëve, që përmirësojnë rendimentin. 72% e parcelave të tokës të studiuara është bërë më produktive falë kultivimit të varieteteve gjenetike më të përshtatshme. Në studimin e saj për Kolumbinë, UNODC nënvizon se nga 2013 deri më 2017 parcelat e mbjella me kokë thuajse janë dyfishuar, në të njëjtën periudhë është dyfishuar edhe prodhimi i kokainës klorhidrike (kripa klorhidrike e kokainës). Raporti për Perunë regjistron vetëm një rritje të lehtë të parcelave të mbjella me kokë. Por aspekti më i rëndësishëm në të dy rastet është rendimenti më i mirë, si për sa i përket sipërfaqes së mbjellë të nevojshme për prodhimin e një kilogrami, ashtu edhe për nxjerrjen më të madhe të alkaloidit, domethënë të kokainës.

“Produktiviteti jo vetëm është stabilizuar, por është rritur, si ajo e produktit bazë, ashtu edhe ai i kokainës së pastër, e prodhuar me metoda të larta shkencore. Kartelet nuk rekrutojnë më krah pune me çmim të ulët, por tani punësojnë kimistë që dinë të bëjnë punën e tyre”, shpjegon Hugo Cabieses, Profesor në Universitetin e Paqësorit të Perusë dhe ekspert i drogave dhe i ekonomive ilegale. “Rritja e produktivitetit të gjethes së kokës dhe e cilësisë së alkaloidit ka ushqyer një luftë për prodhimin e gjethes së kokës me alkaloidin më të mirë”, shpjegon Jaime Antezana Rivera, konsulent i pavarur për trafikun e kokainës në Peru. Kombet e Bashkuara flasin për një stabilizim të mbjelljeve të kokës në vend gjatë viteve të fundit, por Antezana nuk është dakord. “Sipërfaqja dhe produktiviteti janë rritur në të gjithë territorin”, thotë ai.

Sipas monitorimit të fundit të të mbjellave të kokës në Peru nga ana e UNODC, në vend prodhimi potencial i gjethes së kokës nga njëra anë dhe ai i klorhidratit dhe materialit bazë nga ana tjetër janë rritur respektivisht me 11% dhe 12% midis viteve 2016 dhe 2017. Në të gjithë botën rritet kërkesa dhe disponueshmëria e pastërtia e kokainës. Në 2007 raporti botëror për drogat i Kombeve të Bashkuara vlerësonte se atë vit 14 milion njerëz kishin konsumuar kokainë. Në raportin e 2020 kjo shifër është 19 milion. Në 2006 kokaina vinte në Europë me konteinerë të nisur nga Venezuela. Në katër muajt e parë të 2020 sekuestrimet kanë ndodhur sidomos në ngarkesa të ardhura nga Ekuadori e Brazili, që kanë kaluar deri Kolumbinë, të paktën në portin belg të Anversës, një prej pritësve më të rëndësishëm e kokainës të botës.

Një prodhim i pandalshëm
Mbyllja e kufijve për shkak të pandemisë nuk e ka ndaluar narkotrafikun. “Trafiku i kokainës në konteinerë detarë nuk është goditur, siç e demonstrojnë sekuetsrimet e ngarkesave të mëdha në portet e mëdha europiane”, tregon raporti i EUROPOL dhe i Observatorit Europian të Drogave kushtuar impaktit të Covid-19 lidhur me shpërndarjen dhe trafikun e drogave. Porti i Roterdamit, një tjetër pikë themelore e narkotrafikut ndërkontinental, ka regjistruar më shumë sekuestrime kokaine në 3 muajt e parë të 2020 se në të njëjtën periudhë të 2019. Në prill janë kryer sekuestrime prej më shumë se 16 tonëve në Spanjë, në Hollandë dhe në Belgjikë. “Tregu i kokainës di sesi t’i përballojë kufijtë e mbyllur”, pohon Damián Zaitch, pedagog në Universitetin e Utrecht. Bashkë me studentët e tij, Zaitch studion portet kryesore të Hollandës e të Belgjikës që presin pluhurin e bardhë. Prej 20 vitesh vëzhgon etnografinë e trafikut transatlantik të drogave drejt Hollandës.

“Nëqoftëse nga Amerika Latine vinë frutat, vjen edhe kokaina”, thotë ai. Pandemia nuk ka qenë problem as edhe në luginën e lumenjve Apurímac, Ene dhe Mantaro, zona e Perusë me prodhimin më të madh, ose në pylet kolumbiane. Edhe pse në gjysmën e dytë të marsit çmimet e kokës kanë rëndë prej lockdown, midis fundit të prillit dhe fillimit të majit janë kthyer në vlerat e zakonshme, pakashumë të të qëndrueshme. Gjatë valës së parë të pandemisë çmimi i gjethes së kokës në Peru është kthyer në vlerat e saj, që në bazë të rajonit dhe të përqëndrimit të alkaloidit luhaten nga 30 deri në 55 dollarë për arroba (11.5 kg). Në Kolumbi çmimi i bimës së kokainës është rritur jo për shkak të Covid-19, por prej çarmatimit të grupit luftarak FARC. “Kuotat, kontributet, taksat apo siç duhet t’i quanim në të kaluarën që FARC i merrte nuk ekzistojnë më”, shpjegon avokati kolumbian Pedro Arenas i Observatorit Global për Kultivimet e Paligjshme. “Boshllëku që është krijuar në disa territore nuk është zënë nga shteti dhe sot kontestohet nga grupe të reja të armatosura”.

Lufta për të siguruar pasurinë e këtyre territoreve (nxjerrje minerale, shpyllëzim i paligjshëm, resurse natyrore dhe njerëzore) ka bërë të rritet me 50% çmimi i bimës dhe ka shkaktuar vrasje të ndryshme liderësh komunitarë, siç shpjegon eksperti kolumbian që prej vitesh mbron në terren dhe në gjykata kultivuesit e kokës, tani nëpërmjet Viso Mutop, një organizatë që lufton për të drejtat e këtyre bujqëve. “Në 20 vitet e fundit një kilogram material i papërpunuar kushtonte pak më pak se 600 dollarë. Por në dhjetor në disa zona është rritur mbi 900 dollarëve. Ka ndodhur sepse blerësit kanë riorganizuar forcat e tyre dhe sepse janë hapur kanale të reja tregëtimi me protagonistë të rinj në zinxhirin e trafikut ndërkombëtar”, shpjegon Arenas. Këta aktorë nuk janë kolumbianë, por “brazilianë, meksikanë, afrikanë, europianë dhe aziatikë”. Lufta midis trafikantëve të armatosur që kanë nevojë për ta lëvizur “tregun” dhe vështirësitë e fshatarëve kanë bërë që prodhimi i kokainës të mbizotëronte ndaj frikës së Covid-19.

Shifra relative
Në një treg që vështirë se ndalet edhe në rrethana të jashtëzakonshme si këto aktuale, rezultati i tensionit momental midis një oderte më të ulët dhe një kërkese të privuar nga elasticiteti është një rritje e papritur e çmimit. Është ky vlerësimi i ekspertëve, të paktën për muajt më të vështirë të lockdown (mars dhe prill), sidomos në dy qendrat e shkëmbimit dhe të prodhimit në Europë: Spanjë e Francë. Peruja, prodhuesi i dytë botëror i gjethes së kokës dhe i materialit bazë, ka pasur një rënie në prodhimin e gjetheve të kokës, të materialit bazë dhe të kokainës gjatës gjysmës së dytë të marsit. Në disa zona çmimi i gjetheve të kokës ka rënë, si në Puno, ku vlera e një arroba ka zbritur në zero. E njëjta ka ndodhur edhe në pyllin amazonik. “Nuk kishte blerës, qenë larguar të gjithë nga frika e infektimit. Prodhimi dhe blerja janë bllokuar”, shpjegon Jaime Antezana Rivera, konsulenti i pavarur për kokën në Peru. Efekti nuk ka zgjatur shumë. “Disa narkotrafikantë kanë përfituar, duke blerë sasi të mëdha malli me një çmim të ulët dhe duke i shitur me një çmim më të lartë. Askush nuk ka pranuar ndonjëherë se pandemia ka qenë fundi i botës apo i markotrafikut”, shpjegon Antezana. Rrugët lumore lidhin pyjet dhe malet andeane me botën prej 150 vjetësh, kur gjermanë, francezë, hollandezë e amerikanë hodhën bazat e bujqësisë, prodhimit dhe shpërndarjes së kokainës në Peru. Trafiku nuk është ndalur kurrë, as kur kokaina është shpallur e paligjshme një shekull më parë.

Nga vitet ’80, Europa Qendrore konsumon sasi gjithnjë e më të madhe pluhuri të bardhë dhe në 10 vitet e fundit i është shtuar kërkesa e vendeve skandinave dhe e atyre të Lindjes, duke favorizuar një trafik në rritje nga Amerika e Jugut. 2019 në Uruguaj ka qenë viti i kokainës. Ngarkesës pothuajse 6 tonëshe të Murialdo i është shtuar një tjetër prej 4.5 tonësh të drejtuara për Anversë në gusht. Autoritetet gjermane kanë kapur ngarkesën më të madhe të historisë së tyre teksa tranzitonte nga Hamburgu: 4 ton e gjysmë kokaine në ardhje nga Uruguaji bashkë me një ngarkesë soje. Biznesmeni i një familjeje të kamur që menaxhonte 7 kompani eksporti është i vetmi i akuzuar nga prokuroria për bashkëpunim në trafik ndërkombëtar. E pret procesin në liri: sipas mbrojtjes së tij, kokaina është ngarkuar në konteinerë pasi anija kishte braktisur portin e Montevideos. Sipas EUROPOL, në Uruguaji 4200 pako me pluhur të bardhë kanë një çmim më shumë se 43 milion euro. Në Paraguaji, çmimi i tyre do të vërtitej në rreth 14 milion euro, në Peru në 8 milion. Sikur të kishte ardhur në Anversë, sipas vlerësimit të policisë europiane ajo ngarkesë do të kishte një vlerë prej 129 milion eurosh. E shitur me pakicë në çdo vend të Bashkimit Europian me një çmim prej rreth 80 eoru grami, vlera e ngarkesës do të i ishte afruar 400 milion eurove. Gjermanët e kanë vlerësuar ngarkesën në 1 miliard euro. Qenë 4 milion e gjysmë doza me 90% pastërti. Këto shifra, që duken të habitshme, janë më pak se 0.22% e atij që sipas Kombeve të Bashkuara ka qenë prodhimi botëror në 2017.

Shpërndarje
Sipas vlerësimeve, në të njëjtin vit vetëm në Europë janë konsumuar 9.1 miliard euro kokainë. Thuajse e njëjta shifër që qeveria spanjolle u ka alokuar në 2020 komuniteteve autonome për shpenzimet shëndetësore e jashtëzakonshme të lidhura me pandeminë. Në 2014 shitja e kokainës me pakicë në kontinent kishte arritur 91 tonët. 3 vite më pas, shifra është rritur në 119 ton. Analizat e ujërave të rrjedhshme sugjerojnë një rritje të konsumit me 71% nga 2011 më 2015 në 78 qytete europiane, sidomos më të mëdhatë. “Në vitet ’90 ndesheshim me kartelet në Amerikën e jugut që menaxhonin të gjithë procesin, nga prodhimi tek shpërndarja. Sot ka grupe të vegjël lokalë.. disa prodhojnë, disa mbjellin, disa merren me transportin apo me shpërndarjen. Sipas investigimeve më të rëndësishme të 15 viteve të fundit, droga që del nga Uruguaji shpërndahet nga grupet kriminale europiane”, konfirmon Noria.

Portet europiane që marrin këto ngarkesa regjistrojnë nivele në rritje dhune dhe korrupsioni. Në marsin e 2016, koka e një marokeni të përfshirë në trafikun e drogës është gjetur përpara një bari në Amsterdam. Në 4 vitet e mëparshme qenë denoncuar të paktën 16 vrasje në Spanjë, Belgjikë e Hollandë prej një lufte midis grupesh kriminale në vijim të vjedhjes të një ngarkese kokainë në portin e Anversës. Gjatë 2020 autoritetet gjyqësore dhe policia e Anversës janë përballur me atentate, të shtëna, shpërthime granatash artizanale dhe deri me sekuestrimin për 42 ditë të një fëmije 13 vjeçar, të gjithë krime të lidhura me luftërat e oligopoleve të kokainës. Organizmat europianë kanë dokumentuar praninë e vrasësve të narkotrafikut në Hollandë, Spanjë dhe Suedi.
Këto grupe europiane kanë struktura biznesore që i mbrojnë dhe, si të gjitha shumëkombëshet, kanë seli në Amerikën Latine. “Është një model i ri biznesi nga prodhimi tek shpërndarja”, thotë raporti i Observatorit Europian. Menaxhojnë zinxhirin shpërndarës, sigurojnë çmime të mira, shmangin ndërmjetësit dhe përmirësojnë cilësinë e kokainës. 10 vite më parë cilësia e kokainës së sekuestruar ishte 50%. Sot vjen në Europë përpara shitjes me pakicë me një pastërti mesatare prej 85%. Kjo demonstron se, siç ka ndodhur në Amerikën Latinë, kartelet e mëdha (italiane dhe kolumbiane) janë transferuar. Ekzistojnë mafie në Spanjë, në Mbretërinë e Bashkuar, në Francë, në Irlandë, në Marok, në Serbi dhe në Turqi. Shpërndarja e ka përmirësuar disponueshmërinë e kokainës duke i optimizuar logjistikën dhe duke i ulur kostot e blerjes në burim.

Për Damián Zaitch ka “një ndërkombëtarizim të fortë me një sasi më të lartë grupesh, rrugësh, tregjesh dhe një rritje të copëzimit. Pablo Escobar ka qenë përjashtim dhe perandoria e tij ka zgjatur pak, gjërat nuk i kanë ecur mirë. 20 vite më parë, ideja e një karteli që dominon një vend apo një territor ishte tashmë mjaft e diskutueshme. Tregu në vetëvete është copëzuar. Sot ka më shumë protagonistë sesa më parë. Janë oprganizata shumëkombëshe që bëjnë biznes. Politikat publike nuk kanë bërë të reduktohet konsumi apo prodhimi, por kanë çuar tek brendësimi, në hapjen e më shumë rrugëve dhe në përfshirjen e më shumë aktorëve. Kur rritet copëzimi, rritet konkurrenca dhe dhuna. Krahasuar me 20 vite më parë, sot ka një raport më të ngushtë me ekonominë e ligjshme, me portet, transportet komunikacionin dhe logjistikën e saj. Çmimet janë ende të larta, kështu që mund të vazhdohen të paguhen rrushfet. Është rritur korrupsioni i policisë, i doganave dhe ai i punonjësve të porteve”, thotë Zaitch.

Mësimi i kotë
Porti i Roterdamit, më i madhi i Europës, është midis atyre që marrin më shumë kokainë në botë. Sipas shifrave të autoriteteve portuale, hynë dhe dalin 24000 konteinerë në ditë. “Ka një tension midis kontrollit dhe efikasitetit ekonomik. Për të inspektuar një konteiner nevojiten të paktën 20 minuta. Nuk është e mundur të kontrollohen të gjithë, dëmi për portin do të ishte i madh”, pohon Zaitch. “Rrjetet kriminale që kanë minuar bazat sociale e shtetit të së drejtës në Amerikën Latine tani po e bëjnë në vendet europiane. Fillimisht në Spanjë lajmet lidhur me rastet e korrupsionit të policisë lexoheshin një herë në muaj, kurse tani ka thuajse një çdo javë. Korrupsioni është gjithnjë e më shumë i përhapur”, thotë David Pere Martínez Oró, koordinator i Njësisë së Politikës të Drogave në Universitetin Autonom të Barcelonës.

Në botën e politikave të drogës ekziston koncepti i efektit flluskë, i zhvilluar pasi ka njohur rezultatet e tmerrshme të Plan Colombia, planit të hartuar më 1999 nga Uashingtoni për të luftuar narkotrafikun: kur ushtrohet presion ndaj flluskës, ajri nuk zhduket, spostohet tjetërkund. Në terma të politikave publike, ndalimi nuk e eliminon problemin, por shpërndan dhe copëzon grupet kriminale që ndryshojnë vendin e prodhimit: decentralizon prodhimin duke bërë të rritet dhuna në territoret e reja. Është mësimi jo i mësuar që ka çuar dhunën e Kolumbisë në Meksikë, nga aty në Amerikën Qendrore dhe tani në Europë me pikatore.

“Fillimisht kanë ardhur të kërkojnë policët, shpejt do të vinë të kërkojnë gjykatësit dhe politikanët. Është politika plomo o plata, plumba ose para”, thotë profesori katalanas. “Është një skenar logjik, pasi tregjet e derrugulluara funksionojnë pa kontroll. Mënyra e vetme e përmirësimit të situatës është të lihet që shteti ta prodhojë dhe shpërndajë kokainën, në rast se nuk dëshirohen policë të korruptuar”, thotë Martínez Oró. 21 senatorët kolumbianë që në gusht kanë nënshkruar një projekt për rregullimin e prodhimit të kokainës në vend e mendonjë njëlloj. E dinë se do të jetë e vështirë: shteti duhet ta prodhojë kokainën, një mjek duhet të kontrollojë nëse pacienti është në kushtet fizike që ta përdorë apo ta dërgojë tek një specialist në rast se ka probleme varësie. Ato që duhet ta kultivojnë kokën duhet të jenë komunitetet indigjene. Në 40 vitet e fundit mazhoranca e parlamentit ka premtuar ta luftojë trafikun e drogës dhe ta “fitojë luftën” fshat pas fshati, edhe pse ky horizont duket gjithnjë e më i zbehtë.

Ideologu i projektit është senatori Iván Marulanda Gómez, i partisë Alianza Verde, një ekonomist që në vitet ’80 themeloi partinë Nuevo Liberalismo bashkë me Luis Carlos Galán (i vrarë më 1989) dhe Rodigo Lara (i vrarë më 1984). Kësaj lëvizjeje praktikisht ju pre koka nga Pablo Escobar dhe nga ndjekësit e tij: senatori, që sot është 74 vjeçar, ka parë ka parë t’i vdesin shokët dhe shoqërinë kolumbiane të përgjaket prej luftës kundër narkotrafikut. “Pranimi i kësaj kasaphane në Kolumbi ka qenë një naivitet”, thotë Marulanda Gómez. “Kemi sakrifikuar jetën e mijëra njerëzve dhe shteti ka përfunduar duke u bërë një instrument në duart e pushteteve mafioze. Korrupsioni i drejtësisë, i politikës, i shoqërisë dhe riciklimi i parave të pista e kanë ndryshuar krejtësisht ekonominë e vendit. Përpara këtij skenari mundësia e vetme është ajo e rregullimit të tregut”. E di se propozimi i tij nuk do të votohet nga parlamenti kolumbian. Por për momentin i mjafton që ka habur debatin, ka filluar një diskutim dhe i ka dhënë opinionit publik argumenta reflektimi. Sipas tij, duhen depenalizuar drogat për të kaluar nga “lufta kundër narkotrafikut në një vizion civil, të arësyeshëm dhe racional”. Marulanda, që ka shpëtuar nga dhuna e viteve ’80 e ’90 duke shkuar në ekzil në Europë, është kthyer duke u ulur në Senatin e vendit latinoamerikan. Dëshiron të hedhë në tavolinën e debatit rregullimin e kokainës, duke ju kujtuar shokëve të tij dhe atyre që nuk do të kthehen për shkak të një lufte që e ka bërë trafikun e kokainës një aferë jashtëzakonisht fitimprurëse për mafie gjithnjë e më të forta dhe shtete gjithnjë e më të dobët.
(Guillermo Garat, Eliezer Budasoff e Jorge Galindo për El País)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Exit mobile version